VIDEO/ Drejtoresha tallet në Kuvend: Jam pastruese, nuk dal nga mbledhja. I quan deputetët kumarxhinj

Apr 11, 2015 | 8:47
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve është përfshirë dje në një konflikt të padëgjuar më parë mes kryetarit të Komisionit Fatmir Xhafaj dhe drejtoreshës së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali. Debat dhe replika në limitet e etikës parlamentare kanë shoqëruar dje mbledhjet e Komisionit të Ligjeve, që është më i rëndësishmi në hierarkinë e komisioneve të institucionit të Kuvendit.

Në daljen e dytë në publik të drejtoreshës së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali, që pas prezantimit nga Kryeministri Rama si pjesë e prurjeve të reja të femrave në drejtoritë kyçe të Ministrisë së Financave, kjo e fundit ka injoruar deputetët e Kuvendit duke thënë se ishin lojtarë kumari.

 

Sufali dhe Cani ne komisionin e Ligjeve

Drejtoresha e Lojërave të Fatit i është përgjigjur në mënyrë arrogante kreut të Komisionit, duke refuzuar t’i bindet kërkesës për t’u larguar nga salla, pasi nuk është prezantuar me funksionin që mbante, por ka pohuar se ishte “pastruese” në Ministrinë e Financave. 

Zanafilla për acarimin e toneve është bërë deklarata e drejtoreshës Sufali, e cila tha se të gjithë anëtarët e Komisionit ishin në konflikt interesi me projektligjin e ri të “lojërave të fatit”, pasi luajnë nëpër kazino.

NGJARJA
Me nisjen e pjesës së dytë të mbledhjes, deputeti i PS-së Pandeli Majko ka ironizuar me deputetët e pranishëm në sallë duke thënë se kush ishte në konflikt interesi, pra që luante në lojërat e fatit, duhet të mos merrte pjesë në shqyrtimin e projektligjit të ri. Majko ka theksuar se ai do të çohej dhe do të largohej i pari nga mbledhja pasi kishte luajtur skedina në kohën që kishte kryer gjimnazin. Por, për drejtoreshën e Lojërave të Fatit, nëse ajo do të kërkonte të largoheshin deputetët që ishin në konflikt interesi, atëherë do të prishej mbledhja e Komisionit.

“Jam e sigurt fare, të gjithë! I bie të prishet Komisioni. Janë të gjithë me konflikt interesi, ta garantoj unë me 100 për qind”, tha Luneda Sufali. Ndërkohë deputeti Bashkim Fino ka kërkuar që drejtoresha të shprehej për deputetët e opozitës, nëse këta të fundit ishin “kumarxhinj”, dhe kjo e fundit u shpreh se ishte 100% e sigurt që edhe deputetët e pakicës luanin në kazino.

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar nga drejtoresha të tregohej e kujdesshme, pasi në Kuvend do miratohej ligji për dekriminalizimin e shpifjes. Por në këtë moment, kreu i Komisionit Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga drejtoresha Luneda Sufali të mos fliste pa leje, përndryshe do detyrohej ta nxirrte jashtë.

Por kjo e fundit ka vazhduar të flasë me deputetët. “A ka mundësi të mos flasësh më, ose do dalësh përjashta!… Këtu e drejtoj unë mbledhjen, aty ku merr pjesë ti, drejtojnë ata (ministri). Përgjigje kur jam unë nuk mund të japësh! Nuk e di çfarë punë bën atje në ministri?!”, tha Xhafaj. Por Sufali iu përgjigj duke qeshur se punonte si “pastruese”.

Kjo ka mjaftuar që kreu i Komisionit të kërkojë largimin e saj nga salla, por ajo nuk i është bindur për disa herë. “Nuk largohem, kam ardhur të mbroj projektligjin”, iu përgjigj Sufali. Pas disa tentativash, Xhafaj kërkoi nga ministri që të marrë masa, por ky i fundit u “dorëzua” duke thënë se është drejtoresha e Lojërave të Fatit. Xhafaj i kërkoi Canit që t’i mësojë drejtoreshës se çfarë ishte Parlamenti, ndërkohë ka ironizuar duke thënë: “Duket i paska ec mirë këto kohë, që flet komplet qesim”. FATION BINJAKU


REPLIKAT NË KOMISION

Fatmir Xhafaj: Zoti ministër, ndjesë për vonesën, por tani mbaruam ligjin e energjisë. S’keni ardhur kur keni mbrojtur buxhetin kaq shumë nga Ministria, keni ardhur për lojërat e fatit.

Shkëlqim Cani:
U trembëm nga hera e kaluar…

Luneda Sufali:
Jemi dhe nga Lojërat e Fatit, edhe nga Ministria.

Fatmir Xhafaj:
S’kisha parë të merrnit kaq staf me vete ndonjëherë.

Pandeli Majko
: Bëj atë pyetjen që thashë unë dje, kush ka konflikt interesi të largohet.

Luneda Sufali:
Jam e sigurt fare, të gjithë! I bie të prishet Komisioni.

Pandeli Majko
: Çohem unë i pari. Kam lujt skedina në shkollë të mesme…

Luneda Sufali:
Janë të gjithë me konflikt interesi, ta garantoj unë me 100 për qind.

Bashkim Fino:
Shiko këtej nga opozita…

Luneda Sufali:
E, kush ka konflikt!, Këtu jeni të gjithë. Kanë konflikt …

Oerd Bylykbashi:
Zonjë do dekriminalizohet shpifja… Edhe shpifjen do ta dekriminalizojmë. Kujdes!

Pandeli Majko:
Thuaja pak kryetarit të Komisionit se duhet ta dëgjojë live…

Luneda Sufali:
Duhet të bëhet pyetja që t’ia them…

Fatmir Xhafaj:
A ka mundësi të mos flasësh më, ose do dalësh përjashta…Këtu e drejtoj unë mbledhjen, aty ku merr pjesë ti, drejtojnë ata (ministri).

Luneda Sufali:
Patjetër, por po i ktheja përgjigje zotit Majko.

Fatmir Xhafaj:
Patjetër, por përgjigje kur jam unë nuk mund të japësh. Nuk e di çfarë pune bën atje në ministri po…

Luneda Sufali:
Pastruese. (Qesh)

Fatmir Xhafaj:
Atëherë dil nga salla.

Luneda Sufali:
Jam e ftuar në Komision.

Fatmir Xhafaj:
Atë e vendos unë, të lutem largohu nga karrigia.

Luneda Sufali:
Nuk largohem!

Fatmir Xhafaj:
Zonjë, urdhëroj unë këtu!

Luneda Sufali:
S’mund të largohem. Më kanë caktuar për të ardhur të mbroj diçka…

Fatmir Xhafaj:
E përcaktoj unë. Prandaj tërhiqu mbrapa aty!

Luneda Sufali:
Nuk mund të largohem!

Fatmir Xhafaj:
Tërhiqu atëherë se do të ndërpres Komisionin, po të them!

Luneda Sufali:
Ndërprite…

Fatmir Xhafaj:
Nuk thërras pastrueset unë këtu…

Luneda Sufali- Shkëlqim Canit
: E kupton çfarë po më kërkon?! Unë kam ardhur në Komision të mbroj ligjin këtu…

Fatmir Xhafaj:
Zoti ministër, do marrësh masa apo të ndërpres Komisionin.

Shkëlqim Cani:
Po ishte humor, po bënim shaka.

Fatmir Xhafaj:
Jo të lutem, nuk ka shaka.

Shkëlqim Cani:
Po kjo është drejtoresha e Lojërave të Fatit.

Fatmir Xhafaj:
Po aq më keq akoma, në qoftë se është drejtoresha.

Shkëlqim Cani:
Po ne po bënim shaka deri tani.

Bashkim Fino:
Po bënim humor…

Fatmir Xhafaj:
Çfarë humori, pse humor do bëjmë këtu?! Pse për humor kemi ardhur këtu ne me punonjësit tuaj.

Shkëlqim Cani:
Nga që s’kishte filluar mbledhja, prandaj.

Fatmir Xhafaj:
Muhabet është ky. Drejtoresha që bën shaka në Komision?! Nuk di çfarë është Parlamenti? Mësojani punonjësve tuaj se çfarë është Parlamenti, pastaj hajdeni…

Bashkim Fino:
Nga Parlamenti buron qeveria, donte të thoshte…

Fatmir Xhafaj:
Duket i paska ec mirë këto kohë, që flet komplet qesim.

Bashkim Fino- Luneda Sufalit:
Ç’na bërë moj…

 

Sufali dhe Cani ne komisionin e Ligjeve

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura