(Pjesa II) “Debatet me motrën për Bahri Omarin, më lutej aman Enver”

Sep 1, 2015 | 23:57
SHPËRNDAJE

Goditja që Enver Hoxha i bëri Bahri Omarit, para së gjithash, ka qenë dramë e tmerrshme për të shoqen e tij, Fahrijen. Ajo s’foli kurrë sa ishte gjallë për fatin e të shoqit shënjuar nga i vëllai dhe përplasjet e tyre në vitet e luftës.

ENVER HOXHA ME MOTREN FARIHJEN DHE NIPIN FATOSIN NE ITALI NE VITIN 1934
ENVER HOXHA ME MOTREN FARIHJEN DHE NIPIN FATOSIN NE ITALI NE VITIN 1934
Po kjo s’ka ndodhur me Enverin, i cili njëherazi me vlerësimet zyrtare për kunatin “tradhtar” e “kuisling”, ka lënë të dokumentuar një histori të zgjeruar me kujtime mbi raportet konfliktuale me burrin e motrës.

Në kujtimet e destinuara për familjarët dhe bashkëpunëtorët e afërt, Hoxha përpiqet të zbardhë, sipas shijeve të veta, një pjesë të debateve me Omarin në prani të së motrës, duke mos kursyer as gjendjen e vështirë të saj.

“Fahrija e mjerë ulte kokën dhe qante, shkruan Enveri, nga një anë burri, nga ana tjetër vëllai, ku asnjëri s’i lëshonte rrugën tjetrit”. Pavarësisht sa i sinqertë është Hoxha në përshkrimin e këtyre detajeve, ajo që pohon për reagimin e Fahrijes gjatë përballjes me Bahriun, zbulon një tjetër qasje të tij për raportet me familjarët.

“Një mbrëmje shkova te Fahrija, kujton Hoxha. Aman, Enver, më tha ajo duke qarë, si do të vejë kjo punë? I lutem Bahriut të heqë dorë, po e ka kokën gur. S’bindet. E ka si e ka kokën burri yt, i thashë, kjo s’vlen për mua. Po vazhdoi si e ka nisur, dije se pushka na ndan. Çfarë?, pyeti ajo e tronditur dhe aty për aty më propozoi të merrja Luanin, djalin e saj me partizanët”.

Ky ishte Bahriu për Enverin, së paku për aq sa ka lënë të shkruar me dorën e tij. Në numrin e kaluar publikuam një pjesë të vlerësimeve të Hoxhës për Omarin në kohën kur me miqtë e “bandës antizogiste” qëndronin në emigracion në Bari të Italisë. Aty kishin “uzurpuar” kafene “Stopani”-n, ku qëndronin orë të tëra duke konsumuar politikë pa bereqet, shkruan Enveri. Hera-herës pyesnin Bahriun, i cili njihte disa gjuhë, po kishte kulturë konfuze dhe ishte budalla. I kishte hedhur “trutë e gomarit” Ali Këlcyra, dhe e bëri një nga njerëzit më të egër e më të poshtër. Sakaq, vijon Hoxha, pjesa tjetër e dërgatës “antizogiste”, me Ali Këlcyrën, Qazim Kokoshin, Rexhep Mitrovicën etj., u vendosën në Paris.

Në krye kishin, gjoja, Kol Tromarën, por asnjëri s’e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin. Këtyre myteberëve, shton ai me përbuzje, u qe mbushur mendja top se ishin politikanët më të zotë që kishte njohur Shqipëria. Rikthimi i tyre pas pushtimit fashist dhe debatet me Hoxhën dhe të tijtë, janë momentet më intriguese të kujtimeve të këtij të fundit, ku pjesën më të rëndësishme e zë përballja me Omarin e porsashtegtuar, siç shkruan Enveri me tufën e “lejlekëve” që lanë kafenetë e Europës…

DOKUMENTI
Ata nuk i kam njohur mirë në Paris, se isha student pa para. Ngandonjëherë më jepnin ndonjë lek shokët, herë më dërgonte plaku ndonjë napolon, ca kohë gjeta vend dhe jepja mësim shqip me 10 lekë orën. Për aq kohë sa i njoha, ata kurdoherë i kisha parë duke luajtur në klubet e kumarit, në kinema etj. Dukej që kishin para boll. “Ku i gjejnë, more Remzi Fico?”, e pyesja këtë, një student në mjekësi e që e kishte mik Kol Tromarën. “Marrin pare të madhe nga qeveria franceze si politikanë që janë”, më thoshte Remziu. Qendrat e tyre qenë “La Coupole” dhe kafene të tjera me nam. Atje luhej dhe kumar, bëhej politikë, “rrëzohej Zogu”, “ngrihej populli shqiptar” prej tyre dhe atje ndaheshin edhe frangat e dollarët që ua siguronte rruga e tradhtisë ku qenë futur.

Untitled-14
Aty kam parë mjaft herë Kol Tromarën. Nuk më kanë parë sytë arrogant më të madh, megalloman, antidemokrat si ai. Kokën e mbante lart dhe syzet alla amerikane, vishej me rroba të zeza, si ata “kakerët” dhe ecte, shikonte e fliste sikur e mbante botën mbi supe. Qazim Koculin as e njoha kurrë. Ali Këlcyrën një herë e takova dhe këtë herë i vajta në shtëpi për t’i çuar një letër nga Bahriu.

Kishte një apartament shumë të mirë. Ai mezi më futi në sallon, kur mori vesh se isha kunati i Bahri Omarit, më dha një cigare, thirri shërbëtoren franceze dhe i tha të më bënte një kafe. Aty më pyeti për çfarë studioja dhe ç’kishim nga Shqipëria. Sa piva kafenë, u ngrita dhe ika. S’ia pashë më surratin këtij tradhtari as jashtë, as kur erdhi në Shqipëri me pushtuesin. Sejfi Vllamasin po ashtu një herë e kam takuar në Paris; si ky, si Rexhep Mitrovica më janë dukur njerëz më të thjeshtë, më demokratë dhe më të njerëzishëm se të tjerët.

RIKTHIMI I “LEJLEKËVE” ME FASHISTËT
Kështu i kam njohur këta njerëz para pushtimit italian. Tok me pushtimin italian u kthyen edhe këta zotërinj në Shqipëri dhe mendimet e tyre ishin po ato për të cilat kam folur më lart. Tash nën hijen e pushtuesit këta “patriotë të shquar” do ta drejtonin popullin dhe vendin në rrugën e “demokracisë” e të përparimit… fashist.

Ç’bënë gjithë këta farë “lejlekësh” që u kthyen nga kafenetë e Europës? U çmallën me miqtë e tyre, vendosën lidhje politike me “demokratët antizogistë”, me të cilët takoheshin nëpër kafene. Këta të ashtuquajtur “demokratë antizogistë” tash me pushtimin e vendit ose mbanin vendet që kishin pasur në kohën e Zogut, ose ishin ngritur në “rutbe” dhe po pasuroheshin më shumë në kurriz të popullit dhe me ndihmën e fashizmit.

“Patriotët e shquar” të kthyer nga Europa tatonin terrenin, nuhatnin nga vinte dhe si vinte lireta, tatonin kuislingët, hierakët fashistë, hiqeshin si njerëz “të panjollosur” politikisht, si “politikanë të zotë”, prandaj tash që “u bë deti kos këtyre u duhej dhënë jo luga, por luharja”. U instaluan me banime; rroga u vazhdonte, por se në ç’rrugë, nuk dihej. Pushtuesit i interesonte që kjo rrogë të legalizohej, por, nga ana tjetër, kjo do të thoshte që këta pseudopatriotë të komprometoheshin, të futeshin në valle.

Por Italia fashiste nuk mund t’i përdorte përpara Vërlacëve, Merlikëve, Eqerem Bej Vlorës, Maliq Bushatit etj. Këta ishin violinat e para, të tjerët duhej t’i nënshtroheshin regjimit kuisling e pushtuesit dhe të punonin për të. Kështu që këta “patriotë” u futën në valle dhe morën rroga të majme e “shpërblime patriotike”.

Një pjesë u fut në “këshillin e shtetit”, i krijuar apostafat për ta, të tjerët u bënë feudalë, disa të tjerë morën rroga e ryshfete, duke bërë një propagandë të maskuar kundër rezistencës së popullit. Futjen në shtetin fashist këta e konsideronin “nevojë për të marrë kalanë nga brenda” dhe me paturpësinë më të madhe dënonin ata që luftonin për të shkatërruar kalanë nga jashtë. Populli u ngrit në këmbë kundër pushtuesit dhe qeverisë gjakatare të Vërlacit e të Mustafa Krujës, kurse këta myteberë kritikonin luftën dhe e quanin “lodër kalamajsh”.

DEBATET ME BAHRI OMARIN
Kam pasur debate të zjarrta dhe gati të përditshme me Bahri Omarin, në shtëpinë e të cilit veja shpesh për të ngrenë dhe për të fjetur, sa isha në Tiranë, kur më pushuan nga puna në Korçë. Grindjet ishin për çështje politike dhe në këtë drejtim s’pajtoheshim kurrkund. Bahri Omari, me një këmbëngulje prej tradhtari, pretendonte se ai dhe shokët e tij, me Ali Bej Këlcyrën në krye, ishin nga më antifashistët, nga më antiitalianët, nga më demokratët që ka parë Shqipëria.

-Kjo është politika jonë – thoshte Bahriu – kjo është një taktikë e jona. -Kujt i shërben kjo politikë dhe kjo taktikë? – e pyesja.

-Popullit dhe demokracisë. -Mirë, po a keni arsye? Populli e urren okupatorin, e dënon bashkëpunimin me të; ai nuk mund të jetë kurrë me ju dhe as me politikën tuaj që është kolaboracioniste.

-Thoni ju komunistët – thoshte Bahri Omari – ju pretendoni se keni popullin me vete, populli është me ne. E me të tillë njerëz nuk kishte mundësi të mbaje gjakftohtësinë dhe një ditë i nevrikosur gjatë një debati të ashpër me të, i them:

“Populli kurrë s’mund të ndjekë tradhtarët, ai do të luftojë kundër okupatorit e tradhtarëve dhe do të fitojë”. Bahri Omari e kuptoi sulmin e drejtpërdrejtë që i bëra dhe m’u përgjigj: “Do ta shohim se kush janë tradhtarët, ju apo ne”.

-Do ta shohim, i them, por dua të precizoj se ata që do të pengojnë luftën e popullit dhe do të bashkëpunojnë me armikun, janë tradhtarë.

-Të lutem, Enver – më tha Bahriu – unë nuk dua të bisedoj me ty për politikë, është e qartë se ne jemi kundërshtarë.

-Ashtu është – iu përgjigja – por dua të të hap sytë, të të shpëtoj nga kjo rrugë që është greminë e tmerrshme. Mua më vjen keq për ty, por po ta them haptazi, më vjen keq për motrën time, që është gruaja jote, dhe për dy djemtë tuaj.

Fahrija e mjerë kishte ulur kokën dhe qante; ishte një luftë tragjike: nga një anë burri dhe fëmijët, nga ana tjetër vëllai. Asnjëri nuk i lëshonte rrugën tjetrit.

LOTËT E FAHRIJES
Një mbrëmje vajta te Fahrija. Bahriu nuk ishte. Ajo duke qarë më tha: “Aman, Enver, më thuaj si do të vejë kjo punë?”. “Duhet të shpëtojmë Bahrinë nga kjo rrugë, i them, se kjo është rruga e tradhtisë. Ilaç tjetër nuk ka, ose me popullin e me luftën e tij kundër okupatorëve, ose me këta të fundit”.

-Po ç’duhet të bëj unë? – më thotë ajo. Ai është i mirë, por është si mushkë, i them përherë: Hiq dorë nga Ali Këlcyra, ai është një bej, hiq dorë nga puna në shtet, do të rrojmë si të rrojmë. Po ti e di, ai e ka kokën gur.

-E ka si e ka kokën burri yt, ajo nuk vlen për mua. Ka rëndësi koka e popullit që duhet ta shpëtojmë. Unë po të dal borxhit dhe sa mund të luftoj akoma se mos e shpëtojmë, por po vazhdoi rrugën e tij, pushka na ndan, po të paralajmëroj. Motër Fahrija, duke qarë, më tha:

-Enver, Luani le të vijë me ty në luftë, Bahriun s’e bind dot. Fahrija ishte një nga motrat e mia më të mira, më të zgjuara, më e dashura, më popullorja. Sa e doja atë, aq fillova ta urrej për vdekje burrin e saj. Hapa dyqanin “Flora” me Esatin dhe filluam të grumbullonim shokët e të vazhdonim veprimtarinë komuniste të grupit të Korçës.

Derisa zura shtëpi dhe solla xhaxhanë, Anenë dhe Sanon në Tiranë, unë veja te Bahri Omari dhe te motra. Siç thotë një proverb popullor që “armikun mos e duaj, por pjesën ia ruaj”, duhet të them se Bahriu ishte një borgjez liberal, me sjellje familjare dhe miqësore në kuptimin e tij (të borgjezit), kurse në mendime politike ishte me tërë kuptimin e fjalës një borgjez kokëderr dhe prapanik. Por pas grindjeve për çështje politike, ai përpiqej që këto të mos shtriheshin më tej.

NË VIGJILJE TË THEMELIMIT TË PARTISË
Në kohët kur akoma nuk e kishim formuar Partinë, si dhe më vonë kur as Konferenca e Pezës nuk ishte thirrur, as Fronti Antifashist s’qe formuar dhe as ata nuk e kishin formuar “Ballin Kombëtar”, krerët e ardhshëm të kësaj organizate tradhtare, si Lumo Skëndua, Ali Këlcyra, Kol Tromara, Bahri Omari e të tjerë as që mund të dallonin akoma si duhej prirjet dhe afinitetet e tyre. Dinim që Ali, Kol, Bahri, Sheh, Sejfi etj., ishin të një rryme. Nuk e kisha dëgjuar kurrë Bahrinë të fliste me simpati as për Lumo Skëndon, as për Mehdi Benë e të tjerë njerëz të këtij kallëpi.

Mund të kishin ndarë rolet, mundej që Ali Këlcyra merrej me ta; shokun e tyre Xhevat Korçën, i cili edhe emrin e italianizoi dhe e bëri Djevat, e lanë të futej në qeverinë kuislinge; Ali Këlcyra, dhëndri i Vrionasve, aleat i tyre, natyrisht dhe i Vërlacëve, nuk mori nëpunësi, me sa di unë, ai kështu hiqej si “Katharos” “I patriotit”. Bahriu, siç e thashë, bashkë me të tjerët dhe dr. Nishanin (i cili nuk ishte i grupit të tyre, por e quanin si “kuqalosh”), ishin anëtarë të “Këshillit të Shtetit”, i krijuar apostafat për këta lloj njerëzish, që regjimi fashist i kishte nëpër këmbë e i mbante dhe si rezervë për kohët e këqija që do t’i vinin (siç i erdhën).

Bënim çmos ne “miqtë”, kushërinjtë dhe të njohurit e tyre që t’i largonim nga nëpunësia fashiste, përdornim deri edhe satirën, megjithatë më kot. Më kujtohet se si një pasdreke hymë në Karusel me Esat Dishnicën dhe i shohim të gjithë këta “këshilltarë” të grumbulluar në tryeza, duke biseduar në mes tyre.
vijon neser

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura