Debatet e PS-së për emërimet e drejtorëve/ Reagon PD: Po ndajnë plaçkën e masakrës zgjedhore, bashkuan forcat për të marrë kontrollin e institucioneve

Sep 23, 2021 | 16:16
SHPËRNDAJE

selia-partiademokratike

Partia Demokratike ka reaguar pas debateve mes socialistëve gjatë mbledhjes së strukturave të PS-së një ditë më parë në Shkodër.

Në fokus të këtyre debateve të zbardhura nga Panorama.al, ishin punësimet, emërimi i drejtorëve, përgatitja për zgjedhjeve vendore të 2023-shit si dhe hapësira që i është lënë në punësime, aleatit të PS në Shkodër që është kreu i PSD, Tom Doshi.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj përmes një postimi në rrjete sociale shkruan se ky është rezultati i paralajmërimeve dhe denoncimeve të demokratëve për partneritetin Rama-Doshi.

Sipas tij, këto rrëfime dhe debate janë prova më e qartë se partneriteti i tyre funksionon si PPP korruptive dhe kriminale në kurriz të qytetarëve të thjeshtë.

Alibeaj shkruan se kryeministri Rama dhe kreu i PSD-së Tom Doshi bashkuan mandatet e tyre të vjedhura për të shtuar babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve.

Postimi i Enkelejd Alibeajt:

Për Partinë Demokratike, ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar. Prej kohësh, me fakte dhe prova, kemi paralajmëruar se si modeli i ndërtuar nga Edi Rama po përhapet si një tumor në indet e partisë që ai sundon dhe metastazat shtrihen në gjithë aparatin shtetëror. Debatet e publikuara në media nga mbledhja e PS-së së Shkodrës, konfirmojnë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.

Këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama, Doshi, Rakipi, funksionin si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare. Pak ditë më parë ata bashkuan mandatet e vjedhura për të konfirmuar ortakërinë e tyre parlamentare, jo për të zgjidhur çështjen e papunësisë, gjendjen e rëndë ekonomike apo korrupsionin që cënon të ardhmen e Shqipërisë, por për të nginjur babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve. Përballja me këtë model është detyrë imperative për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare, sepse ç’kapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni janë e vetmja mënyrë për t’u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë.

Lexoni edhe: EKSKLUZIVE-Emërimet në administratë nga PSD, plas sherri mes socialistëve/ “Janë marrë drejtorë nga rruga dhe pa kontribute në PS”! Sterkaj i kthehet Gjiknurit: Je djalë simpatik, por s’më pyet kush për…

debatetps (1)

debatetps (3)debatetps (2)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura