Komisioni për 25 prillin/ Alibeaj: Zbulohet skenari i PS-së, nuk duan të hetojnë! Gjylameti ironi me firmat e “Foltores”: Do thërrasim 4200 dëshmitarë, do ikni pas 11 dhjetorit (Debatet)

Nov 24, 2021 | 17:15
SHPËRNDAJE

Votimi i planit të hetimit për Komisionin Hetimor të Zgjedhjeve të 25 prillit ka kaluar me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita propozoi thirrjen e disa dëshmitarëve që të shprehen lidhur me objektin e hetimit për zgjedhjet, ndërkohë që mazhoranca ka kërkuar thirrjen e deputetëve demokratë Gazmend Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi.

enkelejdalibeaj

Në të njëjtën kohë, mazhoranca kërkoi që të përjashtohen si dëshmitar krerët e SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja dhe Olsian Çela, çka kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj nuk e hodhi në votim.

Më pas, demokrati hodhi në votim propozimet e PS dhe PD për thërritjen si dëshmitar të deputetëve demokratë të sipërpërmendur dhe një listë të disa personave të tjerë. Me 3 vota pro, 1 abstenim dhe 6 kundër, këto propozime nuk u miratuan, çka ka sjellë një reagim të kryetarit të Komisionit Hetimor.

Për Enkelejd Alibeajn, kundërshtimi i këtyre dy propozimeve, ka zbuluar skenarin e mazhorancës për të mos vijuar me hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Opozita thotë se rrëzimi i këtyre dy kërkesave ishte fundi i parashikuar nga mazhoranca.

Enkelejd Alibeaj: Nuk do të hidhen në votim kërkesat për të përjashtuar zotërinjtë Kraja dhe Çela, respektivisht drejtori i SPAK dhe drejtues i Prokurorisë së Përgjithshme, sepse cënon të drejtën e anëtarëve të Komisionit për të kërkuar prova dhe nuk hidhet në votim as çështja për të kufizuar kohën nga 1 janari 2020 – 24 dhjetor 2020. Ky është plani i hetimit së bashku me shtesat.

Blerina Gjylameti: Kemi kohë edhe dy javë për të patur një kryetar, i cili do të dijë të respektojë ligjin. Data 11 e përcakton që nuk do të jetë më.

Enkelejd Alibeaj: Kush është pro?

Blerina Gjylameti: 4200 dëshmitarë do të thërrasim. 4200 dëshmitarë patjetër.

Enkelejd Alibeaj: Kush është pro? 3 veta pro. Kush është kundër? 6 kundër. Duke qenë se plani i hetimit është i tillë, i cili nuk kalon dot pa votim të ndërmjetëm që do të thotë pa votat pro të shumicës, rezulton se nga të gjithë anëtarët kanë votuar pro vetëm 3 anëtarë. 1 abstenim dhe 7 anëtarë të shumicës të cilët kanë votuar kundër miratimit të planit të hetimit. Që do të thotë që sipas ligjit, për sa kohë që nuk miratohet plani i hetimit, nuk mund të deklarohet dot fillimi i hetimit që do të thotë, hetimi i këtij komisionin përfundon këtu. Përgjegjësia ligjore dhe politike është tashmë në sytë e të gjithë publikut. Derisa të ketë një reflektim nga ana e anëtarëve të cilët kanë votuar kundër vazhdimit të hetimit, fatkeqësisht duhet të deklaroj këtë që ligji thotë.

Këtu ndërpritet veprimtaria hetimore, është e qartë se përse u ndërpre. U demaskua skenari. Skenari është i thjeshtë. Nuk duan të hetojnë, nuk dua të bëjnë publike atë se çka ndodhur në kundërshtim të ligjit dhe votimit të Kuvendit dëshirës së shprehur disa javë javë më parë, më 14 tetor, për këtë arsye për sa kohë që plani i hetimit nuk mund të vazhdojë më tej, kjo mbledhje nuk ka më se ç’të debatojë më tej, seanca për këtë arsye mbyllet dhe do të ketë njoftim për seancën e rradhës. Do të merremi vesh sipas ligjit dhe rregullores. Fatkeqësisht ky ishte fundi i parashkruar nga ana juaj.

***

Pas këtij debati, u ndërpre mbledhja për disa minuta, teksa opozita u largua. Pa praninë e opozitës, deputetët e mazhorancës miratuan planin hetimor sëbashku me kërkesat që paraqitën ata.

Sipas zv.kryetarit të komisionit, Tonin Gogu, kryetari i Komisionit Hetimor nuk hodhi në votim amendamentet në fillim duke thyer rregulloren e Kuvendit.

Gogu: Me një shumicë të të gjithë anëtarëve ne kemi kuorum me shumicë anëtarësh me të drejtë vote. Ju rikujtojmë se përpara pushimit, bëmë një kërkesë për procedurë pasi kryetari I Komisionit në shkelje të rregullores së Kuvendit, nuk e filloi votimin me hedhjen për votë të amendamenteve. Si pasojë, paraqiti si propozim një amalgamë ku kërkesat tona për plotësimin e planit të hetimit ishin të shpërfytyruara, kështu ne po vazhdojmë mbledhjen dhe po votojmë planin e hetimi të propozuar nga kryetari me plotësime që ne kërkojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura