Debate në klub, “Tushe” kërcënon me largim

Oct 23, 2012 | 13:33
SHPËRNDAJE

Tirana/ Zbardhet mbledhja mes drejtuesve të klubit dhe Artur Lekbello.

Tagani kërkon llogari për atmosferën negative në skuadër.

Nuk e ka kapërdirë dot atë barazim tejet të vakët me Kastriotin administratori i Tiranës, Salih Tagani, ndaj dje ka kërkuar një mbledhje me shefin e klubit, Alban Tafaji, dhe trajnerin Artur Lekbello.  Natyrisht që në qendër të vëmendjes ka qenë situata rreth ekipit, jo nga më të mirat që prej shumë kohësh tashmë, si dhe diskutimi lidhur me përplasjen në stërvitje mes trajnerit dhe mesfushorit Klodian Duro. Fillimisht Tagani i ka kërkuar teknikut që të pasqyronte sa më qartë situatën e skuadrës dhe faktin se ekipi u duk gati i përçarë gjatë ndeshjes me Kastriotin. Sakaq, në një moment të caktuar, nuk kanë munguar edhe reagime drastike të trajnerit bardheblu, i cili ka kërkuar që të largohet nëse drejtuesit mendojnë se problemi i skuadrës qëndron pikërisht te ky i fundit. Në debat është përfshirë natyrisht edhe shefi i klubit, i cili menjëherë pas “kërcënimit” nga ana e trajnerit ka kërkuar që një gjë e tillë nuk duhet të merret fare në konsideratë, pasi Lekbello u zgjodh pas konsultimesh të gjata dhe me miratimin e krejt bordit. Në këtë këndvështrim, Tafaji ka kërkuar që trajneri të vazhdojë punën në krye të skuadrës, sipas kontratës, duke evidentuar dhe rregulluar problemet taktike të kësaj Tirane, e cila këtë sezon më shumë se kurrë kërkon të lërë shenjën në kampionat, pra të fitojë titullin. Më tej është diskutuar për dy ndeshjet e radhës, në kupë dhe kampionat, por ajo që është parë me përparësi nga Tagani ka qenë natyrisht përballja e së shtunës në Korçë ndaj Skënderbeut. Administratori ka kërkuar një reagim të menjëhershëm të ekipit, të paktën në aspektin lojë (por natyrisht edhe në rezultat), ku Tirana ka çaluar më së shumti në 4 javët e fundit në kampionat. Fakt është se bardheblutë kanë akumuluar 6 pikë në katër javë (tri barazime dhe një fitore), por nuk kanë prodhuar lojë. Në fund është diskutuar për përplasjen Lekbello-Duro. Tagani dhe shefi i klubit Tafaji i kanë kërkuar trajnerit detaje nga ky incident dhe arsyet se përse ai kërkon që lojtari të ndëshkohet. Më pas është vendosur që Duro të pezullohet për shkelje disipline me tri  ndeshje (ndaj Kastriotit, e cila u shlye; ndaj Kukësit në kupë dhe kundër Skënderbeut të shtunën), por do të jetë i detyruar gjatë kësaj kohe që të stërvitet rregullisht me ekipin për të qenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e javës së nëntë në kampionat. Pas gati tri orësh mbledhjeje dhe diskutime, janë qartësuar një sërë problemesh shqetësuese rreth skuadrës dhe trajneri ka vijuar menjëherë me seancën stërvitore në kompleksin “Skënder Halili”.

Tirana, 12 vjet që nuk fiton në Korçë
Tirana ka 12 vjet që nuk fiton një ndeshje kampionati në Korçë (ka fituar në Superkupë, por jo në kampionat). Hera e fundit ka qenë më 16 shtator 2000, teksa bardheblutë fitonin 3-1. Më pas janë pesë fitore të korçarëve ndaj skuadrës bardheblu dhe vetëm dy barazime. Gjithsesi, Tirana krenohet me faktin se ka fituar finalen e Superkupës pikërisht në Korçë, vitin e kaluar, nën drejtimin e Rubios. Sakaq këtë javë do kërkojë të thyejë një tabu më shumë se dhjetëvjeçare dhe të rifutet sërish në vallen e titullit, pasi diferenca mes Tiranës dhe Skënderbeut për momentin është katër pikë.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura