Debat në Kampionatin Olimpik, komuniteti mysliman: Gjimnastika s’është për femra

Jun 25, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

Gjimnastja kamipione, Farah Ann Abdul Hadi

Veshja e fitueses së gjashtë medaljeve në Lojërat e Azisë së Jugut, prej të cilave dy të arta, 21-vjeçares malajziane Farah Ann Abdul Hadi, ka hapur debate në vendin e saj. Klerikët myslimanë: Atletët të vishen sipas Sheriatit, të mbulojnë pjesët intime. Përgjigjet ministri i Rinisë dhe Sporteve të Malajzisë: Lërini rehat atletët tanë, i gjykon vetëm Zoti!

Farah Ann Abdul Hadi, gjimnastja malajziane 21-vjeçare, që u dallua në edicionin e 28-të të Lojërave të Azisë së Jugut, është bërë objekt kritikash për shkak të veshjes së saj gjatë aktivitetit. Kjo ngjarje multisportive e organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik u zhvillua në Singapor në datat 5-15 korrik. Në këtë edicion, atletja, e cila në vitet 2010 dhe 2013 ka qenë e dëmtuar, ka rrëmbyer 6 medalje, 2 prej të cilave të arta. Nëse performanca e saj nuk është vënë aspak në pikëpyetje, veshja e saj ka shkaktuar polemika në vendin e saj me shumicë myslimane. Polemikat shpërthyen pas aktivitetit ndërkombëtar.  

Gjatë Lojërave të Azisë së Jugut, Farah Ann Abdul Hadi mbante një veshje gjimnasteje që u konsiderua e papërshtatshme nga një pjesë e komunitetit mysliman. Nëpër rrjetet sociale dhe gazeta ajo është kritikuar se nuk ka mbuluar sa duhet pjesët intime apo se e ka ekspozuar shumë trupin. Sipas “Le Figaro”, Roszida Kamaruddin, në krye të Shoqatës Kombëtare të Rinisë Myslimane ka shpjeguar se “gratë nuk duhet të pengohen të praktikojnë një sport, por ato duhet të ndjekin kodin e islamit për veshjet…”.

Gazeta “Telegraph” raporton prononcimin e një kleriku, Harussani Zakaria, sipas të cilit “gjimnastika nuk bën për gratë myslimane. Është e qartë që të ekspozosh organet gjenitale dhe format trupore është e ndaluar nga feja. Nëse një grua do të marrë pjesë, ajo duhet të mbulojë pjesët intime”. Sipas tij, edhe burrat i mbulojnë gjunjët gjatë futbollit dhe gratë duhet të veprojnë po kështu në raste të ngjashme. Pas kësaj kanë qenë të shumtë ata që kanë kërkuar që të merren vendime mbi veshjen, në mënyrë që edhe ato të atleteve myslimane t’u përgjigjen rregullave të Sheriatit.

Nga ana tjetër, një komitet mbështetës është formuar në rrjetet sociale. Në Twitter, ministri i Rinisë dhe Sporteve të Malajzisë ka shprehur mbështetjen ndaj vajzës. “Në gjimnastikë, Farah ka joshur jurinë dhe ka rrëmbyer medaljet e arta. Vetëm i Plotfuqishmi mund ta gjykojë për veprimet e saj. Jo ju. Lërini të qetë atletët tanë”.

Gjithashtu një grup në Facebook, i krijuar nga një admirues i gjimnastes, ka njohur një sukses të paparë. Në vetëm pak ditë, rreth 20 mijë persona i janë bashkuar dhe kanë mbështetur atleten, e cila më në fund është shprehur në faqen e saj. “Do të doja të shprehja mirënjohjen time më të sinqertë, të gjithë atyre që më kanë dhënë mbështetjen e tyre”, ka shkruar ajo. Duke iu përgjigjur të gjithë zhurmuesve mbi veshjen e saj, gjimnastja është shprehur: “I pavlefshmi mund të bëjë më shumë zhurmë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura