De Jong magjeps Barcelonën, me të argëtohet edhe Mesi. Katalanasit shkëlqejnë falë… Frenkit

Oct 21, 2019 | 17:00
SHPËRNDAJE

Nuk është aspak e zakonshme që të shohësh një lojtar të ri, i cili sapo ka zbarkuar në një shtet tjetër dhe në një kompeticion ndryshe të duartrokitet në ndeshjen e tij numër 11. Ipurua përshëndeti dhe duartrokiti me ovacion mesfushorin Frenki De Jong, holandezin 22-vjeçar.

de jong

“Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. I falënderoj të gjithë”, tha mesfushori. I fortë fizikisht, i përfshirë në idenë e lojës së Barcelonës. De Jong ishte një makth për Eibarin. Nga këmbët e tij kaluan thuajse të gjitha aksionet, u aktivizua në hapësira dhe një detaj tjetër interesant: bashkëpunoi disa herë me Leo Mesin. Nuk ka sinjal më të mirë sesa ky për të nisur përshtatjen e tij te Barcelona. Vetëm në dy muaj të këtij sezoni, De Jong është shndërruar në një lojtar të paprekshëm. Ai ka luajtur të gjitha ndeshjet zyrtare me Barcelonën dhe në 7 prej tyre ka qëndruar në fushë për 90 minuta. “Na jep shumë forcë dhe besim. Është ai që ndal aksionet e kundërshtarëve dhe nis ato tonat”, tha Valverde. Në sfidën kundër Eibarit, De Jong kreu 90% të pasimeve të sakta.

barcelona

Jo vetëm kaq, por në 45 pasimet e sakta që dha, 40% ishin vertikale. Mesfusha e Barcelonës kishte shumë nevojë për diçka të tillë. Më pak pasime horizontale dhe burokratike, më shumë ide dhe këmbë që kërkojnë sulmin. De Jong ka shkëlqyer gjatë këtyre ndeshjeve. Është surprizues fakti që në pak kohë ai ka arritur të ulë në stol një figurë shumë të rëndësishme në Barcelonë si Ivan Rakitiç. Është e vërtetë që Barcelonës i mungonte pak rini, pak freski në mesfushë dhe me De Jongun e gjeti. Ka ardhur në Barcelonë i uritur për të triumfuar dhe për t’u bërë një personazh i rëndësishëm për tifozët. Është i përpiktë me mediat dhe ka empati me tifozët. I vetmi problem është që nuk shënon shumë, por me kohën mund t’ia dalë.

barcelona

De Jong është lojtari tradicional i futbollit të Ajaksit, por tha se do ta kishte të vështirë të përshtatej me Barcelonën. Tek Ajaksi kishte shumë lirshmëri dhe Shëne e mbulonte në mesfushë. Te katalanasit duhet të bëjë më shumë kujdes për t’u marrë vesh mirë me Busketsin dhe Mesin. Por fillimi është i mirë dhe ai ka dhënë impaktin e tij në skuadrën katalanase. Fakti pse Barcelona është duke shkëlqyer gjatë kësaj kohe është edhe meritë e mesfushorit Frenki De Jong. “Magjistari” i mesfushës ka rikthyer forcat dhe besimin në kampin katalanas. Vështirësitë e fillimit të sezonit duken të kaluara.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura