De Biazi: Xhaka një ”xhol”, bashkë me Gashin të denjë për Fiorentinën

Jun 18, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi është gjithmonë i gatshëm të sponsorizojë futbollistët shqiptarë në klubet italiane. Gjatë një interviste për “Firenzeviola.it” ai është pyetur për dyshen e Bazelit, Xhaka-Gashi të cilët kanë tërhequr vëmendjen e Fiorentinës ku trajner sezonin e ardhshëm do të jetë Paulo Soza.

De Biazi ka lavdëruar në maksimum dy futbollitët duke deklaruar që ata mund të jenë goditje të mëdha të “vjollcëve” në këtë merkato vere.

“Për Xhakën mund të them se ai është një “xhol” që luan në mbrojtje dhe mesfushë, pra mund të mbulojë pa problem disa role. Atë mund ta përdorësh në të djathtë dhe në të majtë të mbrojtës po ashtu edhe në qendër.

Ai është si një motor që nuk pushon kurrë së punuari. Xhaka është një pikë e fortë, si në Kombëtare ashtu edhe te Bazeli. Ai është plotësisht gati që të luajë në Serie A, pasi që loja dhe fiziku i tij mund të bëhen shumë të rëndësishme për Fiorentinën apo për ndonjë skuadër tjetër italiane”, deklaroi De Biazi.

Xhani De Biazi komentoi edhe bomberin Shkëlzen Gashi duke theksuar se edhe ky futbollist është absolutisht i denjë për të veshur fanelën e Fiorentinës. “Gashi vitin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i Superligës së Zvicrës  me fanelën e Grasshopers, duke shënuar 19 gola.

Këtë vit Soza e ka përshtatur në krahune  majtë dhe gjithashtu ka rezultuar fantastik pasi ka shënuar shumë gola. Golin e ka në gjak. Edhe ai mund të jetë një blerje e goditur e Fiorentinës”, shtoi De Biazi. Prej disa ditësh, Fiorentina është vënë në gjurmët e dy futbollistëve shqiptarë pasi trajneri i ri Soza i ka kërkuar drejtuesve që t’i marrë me vete në ekip. /Burimi: Panorama Sport/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura