De Biazi: Xhaka është Gatuzo shqiptar, Fiorentinës i këshilloj edhe Hysajn

Jul 1, 2015 | 14:39
SHPËRNDAJE

Puna e De Biazit nuk fillon dhe mbaron vetëm me përgatitjen e skuadrës për ndeshjen e radhës. As me gjetjen e lojtarëve dhe me formimin e kontingjentit që do të jetë në grumbullimin e radhës të kuqezinjve.

Trajneri (tashmë shqiptar) i Kombëtares është i pareshtur me komentet e tij në mediat italiane, kur bëhet fjalë për emra të ndryshëm të Kombëtares.

Taulant Xhaka

I intervistuar nga “Radioblu”, Xhani De Biazi ka treguar cilësitë dhe aftësitë e mesfushorit të Bazelit. “Taulant Xhaka ka qenë një surprizë e madhe për mua në Kombëtaren shqiptare. 

Është një futbollist me shumë fizik dhe si një Gatuzo shqiptar me më shumë kualitet. Mund të luajë në qendër të mesfushës në të tre rolet e një formacioni me tre lojtarë në këtë pozicion, si në krahë, si mesfushor me tipare mbrojtëse apo edhe si fantazist.

 Këtë gjë e ka bërë te Bazeli gjatë këtyre dy viteve nën drejtimin e Souzës. Nuk dorëzohet asnjëherë dhe ka shumë cilësi. Vrapon shumë, lufton shumë në fushën e lojës, si dhe godet mjaft mirë nga jashtë zonës.

Është i ri në moshë, por ka shumë eksperiencë mbi shpatulla”, ka qenë komenti i De Biazit për mesfushorin e Bazelit dhe Kombëtares, Taulant Xhaka.

 Elseid Hysaj

Nuk ka munguar edhe një herë tjetër fjala dhe këshillimi i trajnerit për Hysajn. “Fiorentina mund të marrë Hysajn. Është një mbrojtës që luan një- soj në të dy krahët.

Di të mbrojë, por kur duhet shtyn mjaft mirë përpara. Në ndeshjen e fundit ndaj Francës, ai arriti të bllokonte një lojtar si Ntep, një ndër më të shpejtët aktualisht. Ia këshilloj Fiorentinës”, ka përfunduar De Biazi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura