De Biazi: Me Italinë është derbi. Grupi më frymëzon

Jul 26, 2015 | 11:49
SHPËRNDAJE

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, do të ketë shansin që të drejtojë Kombëtaren shqiptare përballë Kombëtares së tij të vendlindjes, në rast se mes tij dhe FSHF-së do të rinovohet kontrata edhe për një edicion të tretë kualifikuesesh.

Xhani De Biazi
Xhani De Biazi

Në komentin e tij për gazetën “Panorama Sport”, De Biazi ka nënvizuar se Shqipëria flet gjithsesi si një trajner që do ta ketë të tijën Kombëtaren kuqezi edhe në këto kualifikuese.

“Është një short me dy skuadra të mëdha dhe me Izraelin dhe Maqedoninë që nuk është e lehtë. Madje as me Lihtenshteinin, jo! Duhet të luajmë pa frikë, pasi, në fund të fundit, nuk kemi asgjë për të humbur. Ndeshjet më të vështira janë ato, në të cilat ne japim gjithçka kemi nga zemra, krenaria dhe pasioni”, është shprehur fillimisht De Biazi në komentin për “Panorama Sport”.

Megjithatë, trajneri i Shqipërisë jo vetëm që flet gjatë gjithë kohës si trajner i kuqezinjve edhe për edicionin e radhës, duke dhënë sinjale të qarta që të paktën në mendjen e tij nuk ndryshon asgjë në vazhdimë-si, por ai edhe jep shpresë për një rritje të mëtejshme.

“Duhet edhe më shumë se një vit deri në kualifikueset e Botërorit dhe ne po përmirësohemi dhe po rritemi dita-ditës. Mbi të gjitha, në aspektin mental. Ne do të rritemi duke luajtur e kështu do të shohim në fund se kush do të arrijë të kualifikohet.

Nuk i nënvlerësoj aspak skuadrat kundërshtare, jo vetëm Spanjën dhe Italinë që janë ekipe mjaft të fuqishme, por as Maqedoninë dhe Izraelin. Le të themi që na ka rënë një short konkurrues dhe stimulues”, përfundon komentin e tij trajneri i Shqipërisë Xhani De Biazi.   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura