De Biazi fton Endri Çekiçin për Francën

May 26, 2015 | 15:25
SHPËRNDAJE

Endri Çekiçi është surpriza e Xhani De Biazit për miqësoren e 13 qershorit kundër Francës. Mesfushori pogradecar, vetëm 18 vjeç, do të grumbullohet për herë të parë me kuqezinjtë, në një kohë që deri më tani ka provuar fanellat e Kombëtares U-17 dhe U-19 të Shqipërisë. Talenti shqiptar debutoi këtë sezon te Dinamo e Zagrebit dhe duket se thirrja nga De Biazi ishte e pashmangshme.

Dje mediat kroate pranë klubit të Dinamos raportuan se trajneri kuqezi telefonoi Çekiçin, duke zyrtarizuar ftesën për miqësoren e luksit ndaj Francës, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Sipas portalit “hrsport.net”, Çekiçi shihet si një nga talentet premtues të Dinamos së Zagrebit, që në të ardhmen mund të shitet në një klub të madh. Mesfushori me tipare sulmuese, që më së shumti luan nga krahët, luajti ndeshjen e tij të parë në kampionatin kroat më 7 shkurt të këtij viti.

Për fat të keq, ai u dëmtua rëndë që në debutimin e tij me klubin gjigant kroat, teksa qëndroi për 3 muaj jashtë fushe. Për herë të fundit mesfushori ka luajtur me kampionët e Dinamos në ndeshjen derbi me NK Zagrebin, më 9 maj. Transferimi në Kroaci i 18-vjeçarit u krye në verën e vitit 2013, kur luante për Teutën në Ligën e Europës.

Tashmë Çekiçit mund t’i jepet shansi të debutojë me Kombëtaren shqiptare në një ndeshje për vitrinë siç është ajo kundër Francës. Kujtojmë që Endri është djali i ish-futbollistit të njohur dhe ish-trajnerit të Pogradecit, Ylli Çekiçi. Ndërkaq, sa i përket miqësores me “gjelat”, trajneri De Biazi pritet të publikojë listën zyrtare të futbollistëve gjatë javës së ardhshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura