De Biazi flet pas fitores me Francën: E merituam, ishin të gjithë të shkëlqyer. Euforia është armiku ynë

Jun 14, 2015 | 17:13
SHPËRNDAJE

Elozhe për të gjithë. Xhani De Biazi ësh të krenar për të besuarit e tij, por trajneri i Kombëtares mundohet ta shikojë me një sy tjetër këtë moment të shkëlqyer që po kalon skuadra. Italiani në deklaratën pas ndeshjes foli edhe për të ardhmen, duke dhënë sinjale të qarta se është i gatshëm të rinovojë kontratën.

Giani de Biazi

Fitore historike, e prisnit?
Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe mendoj se e merituam. Të gjithë lojtarët kanë bërë paraqitje mbresëlënëse, jam shumë i kënaqur. Para ndeshjes u kritikuat pse zgjodhët të luanit me rezerva në një miqësore luksi… Përgjigjen e dhanë lojtarët në fushë. Disa e kishin për herë të parë dhe treguan se janë garanci për ne. Jam i kënaqur nga të gjithë, edhe ata që kanë luajtur më pak me Kombëtaren. Ajeti, Aliji, Basha, Kaçe dhe Memushaj ishin të shkëlqyer. Kemi rikthyer Bashën, i cili vinte pas dëmtimit dhe një sezoni me vështirësi.  Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne.
Tashmë kualifikimi duket si detyrim apo jo?
Nuk mendoj se kemi detyrim të shkojmë në “Euro 2016”. Ne duhet t’i marrim gjërat me radhë dhe të rritemi. Euforia është armiku ynë më i madh dhe duhet shumë kujdes për vazhdimësinë.
A ka një sekret për këtë ecuri super?
Asgjë e veçantë, thjesht organizim dhe shfrytëzim maksimal i cilësive që kemi. Kam një grup të shkëlqyer lojtarësh, që po rriten në aspektin personal edhe me Kombëtaren.
Basha dhe Kaçe luajtën këtë herë titullarë, tashmë një hall më vete për ju për të zgjedhur formacionin ideal në shtator…
Formacioni? Mbase u vështirëson punën gazetarëve, por mua jo. Rëndësi ka që kam shumë alternativa, sepse gjithnjë ekziston rreziku i dëmtimeve apo mungesave.
Ju pamë të tërhiqni Cikalleshin në mesfushë për të markuar Pogbanë, pse bëtë këtë lëvizje?
Janë disa momente loje që lojtarë të veçantë mund t’i shfrytëzojmë në pozicione të tjera. Cikalleshi vrapoi shumë, por bëri një punë të madhe ndaj rivalëve mjaft cilësorë. Ai bëri një ndeshje të shkëlqyer, shpenzoi pa masë dhe arriti të fitonte duelet me një mbrojtës si Sakho. I kërkova një sforcim më shumë në fund që të luante si mesfushor, por më pas e ndërrova.
Si ju duk goli i Kaçes?
Gol fantastik, i mrekullueshëm, me forcë dhe saktësi, i provuar edhe gjatë javës në stërvitje. Ergysi ka cilësi dhe duhet të bindet që e ardhmja është në dorën e tij dhe do të bëhet shumë i rëndësishëm për ne, nëse e administron si duhet vetveten dhe jep maksimumin.
Duka ka thënë se i pëlqen ideja e rinovimit, por për këtë duhet të flisni pas shtatorit…
Nëse nuk firmos tani, Shqipëria mund të humbasë momentin. Ndeshjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme, pasi mund të hedhin në erë punën që kemi bërë deri më tani.
Meqë jeni shtetas shqiptar, do të votoni në zgjedhjet e 21 qershorit?
Pasaportën e kam me datëlindje gabim, kështu që nuk e di nëse do të më lënë të votoj (qesh).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura