Dashuria për heronjtë, ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj socrealizmit

Apr 27, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Të gjithë janë të dashuruar pas heronjve. Rrallë e tek mund të pëlqehet ndonjë personazh “negativ”.

Sistemi komunist ishte shumë i vëmendshëm që të ndodhte pikërisht kështu. Nga një ekspozitë e para pak ditëve në Galerinë Kombëtare të Arteve me afishe të filmave shqiptarë, në qendër të tyre ishte gjithnjë “heroi”. Shtatlartë, syshqiponjë… dhe diku në ndonjë kënd, në hije qëndroi ai, “negativi”.

“Ushtarët e revolucionit”, pikturë nga Pandi Mele
“Ushtarët e revolucionit”, pikturë nga Pandi Mele

Ndërrimi i sistemeve politike, pa dyshim që do të ndryshonte edhe konceptin mbi artin, njohja do të sillte ndërrimin e shijeve, por ca “dashuri” duket sikur nuk harrohen. Krijimtaria artistike e përfshirë nën “ombrellën” e artit të realizimit socialist, edhe pse kanë kaluar 25 vjet, ende vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje.

Nuk është çështja vetëm te dogma, por edhe te qëndrimi që duhet mbajtur ndaj saj. Qëndrimet kanë qenë nga më të ndryshmet, që nga refuzimi ekstrem, te nostalgjia. Ky fenomen nuk është hasur vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet ish-komuniste.

Për të diskutuar rreth këtyre çështjeve, por edhe fenomeneve të reja të tranzicionit, Tirana Art Lab organizon një konferencë dyditore dedikuar artit të periudhës socialiste në ish- Bllokun e Lindjes, si pjesë e projektit “Heroes We Love”.

Studiues e kritikë nga Europa Qendrore, Lindore dhe Jugore do të ndajnë eksperienca dhe do të heqin paralele mes fenomenesh të ngjashme, në datat 29 dhe 30 prill, në Muzeun Historik Kombëtar.

ÇËSHTJET

Kuratorë e studiues si Marta Jecu, Jose Manuel Gomes Pinto, Vladan Jeremiæ, Róna Kopeczky, Sezgin Boynik do të sjellin një varg kumtesash interesante, që lidhen me ndërhyrje në hapësira publike, në Berlin apo vende të tjera ishkomuniste, për raportin mes nacionalizmit dhe artit bashkëkohor etj.

ushtari“Ndërhyrjet e folësve në konferencë do të evidentojnë dhe ilustrojnë kompleksitetin e konteksteve të ‘ish-Bllokut’, pas rënies së Murit të Berlinit, dhe perceptimet mbizotëruese në këto kontekste përkarshi artit të së shkuarës socialiste dhe shumëllojshmërisë së tij gjuhësore”, shpjegojnë organizatorët. Mbi realitetin shqiptar do të referojnë Gëzim Qendro, Romeo Kodra e Pirro Vaso. Këta të fundit do të sjellin si një shembull domethënës ndërtesën e ish- Muzeut të diktatorit Enver Hoxha, apo Piramidës, duke u përpjekur të zbërthejnë gjithë kontradiktat që ngërthen kjo ndërtesë.

Ndërsa studiuesi Gëzim Qendro do të marrë shkas nga një pikturë. Nga tabloja “Dollia e parë për Partinë” e piktorit shqiptar Dhimitraq Trebicka. Ai analizon çdo element të tablosë, ku paraqitet një dasmë në ndonjë kënd të Shqipërisë, e ku dollia e parë, një gotë me verë, e cila i ngjan më shumë “Gralit të shenjtë”, kthehet me fund për “shëndetin” e Partisë.

Përballë tablosë së Trebickës ai vendos një tjetër tablo, të viteve pas rënies së diktaturës, “Mbrëmje” nga Agron Bregu. Në këtë të dytën nuk ka më një parti, rreth së cilës mblidhen të gjithë, madje edhe familja, që konsiderohej si “bërthamë” e shoqërisë, ka filluar të shpërbëhet.

PYETJET

Sipas organizatorëve, pjesëmarrësit në konferencë, përmes kumtesave të tyre, do të ngrenë pyetje dhe eksplorojnë përgjigje, pa pretenduar ezaurimin e këtyre të fundit. Do të ngrihen pyetje mbi subjektivizimin e artistëve shqiptarë në një perspektivë artistike dhe politike dhe produktet e tyre në hapësirën publike dhe jo vetëm, duke hequr disa paralelizma me vendet e tjera të “ish-Bllokut”.

Së dyti, do të hetohen dukuri të gjuhës pamore ku evidentohen ideologjia, propaganda, “fryma” e injektuar dhe e materializuar në veprat e artit të periudhës socialiste, si dhe analogjitë e trashëguara në epokën bashkëkohore.

Përmes pyetjeve që do të ngrihen gjatë konferencës, organizatorët synojnë t’u japin deri diku përgjigje çështjeve që lidhen me “formulën erotike të ‘figurës së heroit’ me të cilin biem vazhdimisht në ‘dashuri’, duke ripërsëritur qarkun heroik dhe sakral të sakrificës të së përditshmes për hir të së ardhmes”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura