Dashuria e çmendur e Kamija Klodelit për Rodenin: Vdekja në vetmi e artistes që e harruan të gjithë

Aug 24, 2017 | 10:12
SHPËRNDAJE

Shumë vjet më parë kisha ndjekur filmin e regjisorit francez Bruno Nuytten me aktoren Isabelle Adjani në rolin e skulptores Kamij Klodel dhe Gerard Deardieu në rolin e Rodenit. Një film që ishte nderuar me pesë çmime “Çesar”.

Hapja e kësaj ekspozite më riktheu jo vetëm skena tronditëse të atij filmi, ku dy fytyrat e këtyre personazheve ishin aq shumë të ngjashme, (ashtu si dhe dy botët e tyre), por më grishi gjithashtu të shkoj në ishullin Saint-Louis të Senës, ku sapo kapërcen katedralen “Notre-Dame” në Paris, në 19, Quai Bourbon, në të njëjtin rresht shtëpish ku dikur ka jetuar Charles Baudelaire.

Kamija Klodeli, në moshë të re
Kamija Klodeli, në moshë të re

Atje është ende dhe porta e shtëpisë së dikurshme të Kamij Klodel. Pikërisht aty, Isabelle Adjani kishte interpretuar atë rol tragjik, tek ajo portë e madhe dhe e drunjtë, tek ai kalldrëm që të çon në një oborr të madh, ku në krah të majtë ishte atelieri dhe dhoma ku jetonte dikur Kamij Klodel.

ISABEL-KAMIJ, FATI I DHIMBSHËM I NJË ARTISTEJE TË MADHE.

Isabel-Kamij duke thyer statujat me duart e saj në kulmin e dëshpërimit Isabel-Kamij, e çmendur, me rroba të grisura dhe e pangrënë me ditë të tëra që jetonte e harruar në errësirën e një atelieri të mbyllur, jashtë arsyes dhe botës që e rrethonte dhe ku kishte tashmë veç një kolltuk, një krevat hekuri dhe statuja të papërfunduara. Isabel-Kamij që mbyllte me dërrasa dritaren dhe portën e shtëpisë, për t’u mbrojtur nga njerëzit e persekutorit të saj se mos e dhunonin, përdhunonin, poshtëronin dhe i merrnin krijimet e saj.

Ky persekutor i madh, në mendjen e saj nuk ishte tjetër veçse i dashuri i dikurshëm, i cili meqë e braktisi dhe e zhgënjeu, meqë kishte shkelur fjalën e dhënë se do të martoheshin dhe ishte larguar përsëri me gruan e tij, (në fakt ai nuk ishte martuar zyrtarisht), tashmë ishte kthyer në njeriun që ishte thelbi i dramës së saj. Ishte Rodeni i famshëm, skulptori gjenial, mjeshtri i saj, me të cilin ajo kishte mbetur shtatzënë disa herë dhe kishte dështuar; ishte Rodeni që kishte dashuruar marrëzisht dhe e kishte ndjerë më shumë se çdo mashkull tjetër; ishte artisti i salloneve të mëdha që kishte poshtëruar kështu ish-nxënësen e tij por që tashmë ishte po aq e talentuar sa ai.

Ç’ndodhi në Quai Bourbon më 10 mars të vitit 1913, kur babai i saj Louis-Prosper sapo kishte vdekur pak ditë më parë dhe askush nuk mund ta ndihmonte më. Pikërisht i ati kishte refuzuar që ta mbyllnin të bijën në çmendinë. Por, menjëherë pas vdekjes së tij, me kërkesën e nënës dhe vëllait të saj, dy infermierë të çmendinës do ta merrnin me forcë dhe do ta mbyllnin përgjithmonë në çmendinë.

Në ditarin e saj, më pas, Kamij do të shkruante: “Dy njerëz hynë me forcë në shtëpinë time dhe më tërhoqën nga krahët, duke më nxjerrë jashtë nga dritarja. Më futën në një makinë, e cila më çoi në çmendinë. Kjo është vepër e Rodenit, i cili do të hakmerret dhe do të shtjerë në dorë atelierin tim”…

PIGMALIONI DHE GALATÉ

Historia e lidhjes së Kamijës me Rodenin mishërohet mjaft mirë në mitin antik të Pigmalionit dhe Galatesë, në atë të skulptorit që bije në dashuri me modelin, e cila jo pak është huazuar nga poetë, dramaturgë, kineastë, e artistë të tjerë. Kur hyri në atelierin e Rodenit, Kamija 19-vjeçare kishte bërë një kurs skulpture, pra një shkollë arti siç quheshin atë kohë.

Emri i Rodenit sapo ishte ngjitur në zenitin e tij dhe ishte bërë i njohur në botën e artit. Madje ai tashmë ishte vendosur në Rue de l’Université, në qendër të Parisit, buzë Senës, në “Depon e mermerëve për Veprat e Artit” dhe në dispozicion kishte një atelier me hapësira të mëdha. Atje ai do të punonte në komandot e mëdha të bëra nga shteti francez apo personalitetet e mëdha të kohës. Atje dhe Kamija do të shkonte të punonte pranë mjeshtrit të madh, ku kishte dhe asistentë e nxënëse të tjera.

Kamij Klodel duke punuar
Kamij
Klodel
duke
punuar

Që në fillim, Rodeni e spikati talentin e veçantë të saj dhe siç do ta pyesnin më vonë kritikët e artit për rolin e tij ndaj Kamijës si skulptore, ai do të përgjigjej: “Unë i tregova asaj se ku gjendej ari, por ari i gjetur është i saj”. Sigurisht, në veprat e para të saj ndihet qartë influenca e Rodenit. Shumë herë ajo ishte dhe modelja e tij dhe duke punuar bashkë atij i lindi një dashuri e madhe për këtë vajzë mjaft të kultivuar, inteligjente, të bukur dhe me një botë mjaft tërheqëse. Më vonë, ai deklaroi se “do të mbante në atelierin e tij vetëm Kamijën dhe asnjë nxënës tjetër”. Ishte pranvera e dashurisë së tyre, edhe pse ai ishte 24 vjet më i madh se ajo. Kamija sapo ishte shkëputur nga aventura e saj dashurore me muzikantin e ri Claude Debussy dhe kur e la atë, për t’u hedhur përfundimisht në krahët e Rodenit, nga tronditja e madhe, Debussy krijoi kryeveprën e tij muzikore “Pelléas dhe Melisande”.

Ajo u lidh aq shumë me Rodenin, saqë tashmë Rodeni çdo vendim që merrte lidhur me krijimet e tij, merrte dhe mendimin e Kamijës. Ai i njeh asaj vlerat e një artisteje të madhe, në një kohë kur femrat në art nuk shiheshin njëlloj si meshkujt. Ajo e frymë- zonte tmerrësisht, si në një nga kryeveprat e tij, “Idhulli i përjetshëm”, ku ata janë të dy lakuriq, ai në gjunjë, duke i puthur barkun. Po kështu, edhe në veprat e tjera si “Puthja apo Pranvera e përjetshme”… Në vitin 1886 në një letër që Rodeni i dërgonte Kamijës, ai i shkruante: “Mikja ime e egër. Koka ime e mjerë është e sëmurë. Nuk mund të kaloj asnjë ditë pa të parë. Ndryshe do të ishte një çmenduri e tmerrshme.

Një nga skulpturat e famshme të Kamij Klodel, “Braktisja”, bërë pas ndarjes me Roden
Një nga skulpturat e famshme të
Kamij Klodel, “Braktisja”,
bërë pas ndarjes me Roden

Tani nuk punoj më, o engjëll linçonjës, e megjithatë unë të dua me furinë e zemrës. Kamija ime. Ji e sigurt se s’dua asnjë grua tjetër dhe se shpirti im të përket i gjithi. Të puth duart mikja ime, ti më jep gëzimet më të zjarrta. E mrekullueshmja ime, përkulur në dy gjunjë ku unë shtrëngoj trupin tënd”. Rodeni ishte aq shumë i dashuruar pas saj saqë ai vendosi të mos jepte më mësime pikture dhe se do t’i kushtohej vetëm asaj. Ai e deklaroi hapur se “Këtej e tutje nxënësja ime do të jetë vetëm zonjusha Klodel. Pas ekspozitës së Majit, ne do të shkojmë të kalojmë në Itali, shprehje e një lidhjeje të pazgjidhshme, pas së cilës zonjusha Klodel do të bëhet gruaja ime”.

Gjatë viteve 1887-1888, ata largoheshin fshehurazi nga gruaja e tij diku afër Touraine, në kështjellën Chateaux d’Islette. Një herë Kamij kishte shkuar atje më parë, duke pritur ardhjen e Rodenit, duke i shkruar letra të zjarrta dashurie. Në letrën e vetme që ka mbetur, ajo i shkruante: “Natën fle e zhveshur, krejt lakuriq, që të kujtoj se jam me ty, por kur zgjohem, realiteti është krejt ndryshe… Mos më tradhto!”. Vitet kalonin, shpresat e saj zbeheshin. Vallë do të jetonte më ë fundi me të dashurin e saj Roden?… Më së fundi ajo vendosi të shkëputej nga atelieri i Rodenit. Zënkat e herëpashershme me të po e lodhnin, edhe pse ai gjithnjë i premtonte se një ditë do të mund të jetonin bashkë, por ai nuk kishte atë forcë për ta jetuar një jetë të tillë. Jo, nuk mund ta

pranonte statusin e dashnores, favorites, dhe më së fundi u largua në një atelier tjetër, në fillim në ’39, “Boulevard d’Italie” dhe më pas, pak metra më tutje, në numrin 113 të po atij bulevardi. Por kohë më pas, në atë jetë të shqetë- suar me takime të herë pas hershme me të dashurin e saj dhe zënkat gjithnjë e më të forta, ajo zgjodhi të vendosej në ishullin apo ujdhesën “Ile Saint-Louis”, atje ku dy degët e Senës ndahen për t’u bashkuar pak më tutje, dhe ku ishulli ishte në një qetësi të plotë. Quai Bourbon i dukej i paqtë. Në vitin 1893, ajo i ndaloi Rodenit përfundimisht që t’i shkonte në atelier apo të kishte ndonjë kontakt me të. Rodeni e kuptoi gjendjen e mjeruar të saj, megjithatë, me influencën që kishte, ai përpiqej t’i gjente treg që statujat e Kamijës të shiteshin. Tashmë, në shpirtin e Kamijës, dashuria dikur e stuhishme ishte kthyer së fundmi në një krater të shuar, të ftohtë, që kishte nxirë me hirin e tij gjithçka përreth.

TË ÇMENDESH NGA DASHURIA

E fyer thellë në shpirtin e saj, Kamij Klodel filloi të mbyllej gjithnjë e më shumë në atelierin e saj. Asgjë nuk i interesonte. Askush nuk trokiste në portën e saj. Ajo tani punonte vetëm, në një vetmi të plotë. Punonte një tjetër skulpturë, në një tjetër stil. Në vitin 1905 hapi një ekspozitë në një galeri të Parisit me 13 skulptura dhe kritika e priti me plot entuziazëm. Veprat e saj ishin origjinale dhe në një shkëputje të dukshme nga veprat e ishmjeshtrit të saj Roden. Madje një lloj konkurrence ishte vendosur midis tyre. Por Kamij ndërkohë po kalonte një periudhë të keqe ekonomike.

Huadhënësit e ndiqnin ngado. I ati i saj përpiqej ta ndihmonte, duke paguar qiranë e shtëpisë e duke u munduar ta paqtonte shpirtin e vrarë të vajzës së tij, por pikërisht në këtë periudhë filloi një depresion i rëndë i saj dhe një mani persekucioni, e lidhur gjithnjë me Rodenin… Tashmë nuk kujdesej më për veten e saj. Vishej keq, dehej nëpër rrugë, bënte skandale, duke klithur dëshpërimin e saj dhe duke akuzuar gjithnjë Rodenin.

Madje njëherë ajo e akuzoi atë se dy modele të tij e kishin ndjekur gjer në atelier për t’i marrë krijimet e fundit. “Kamija çmendet në Paris”, shkruante në ditarin e tij i vëllai i saj, Paul Claudel, poet, dramaturg dhe diplomat, i cili pak vite më pas do të bëhej ambasador i Francës. “Letrat e mureve janë grisur ngado. Një pisllëk i jashtëzakonshëm. Edhe kolltuku i vetëm është grisur e thyer”. Ndërsa po në atë kohë, Kamij ka shkruar në shënimet e saj: “I mora të gjitha bocetet e mia prej druri dhe i hodha në zjarr…

Kur më ndodh ndonjë gjë e pakëndshme, rrëmbej çekiçin e madh dhe thyej ndonjë statujë”. Kamija e sëmurë, Kamija e braktisur që shkatërronte veprat e saj, ato pjella që i kishte krijuar me mish dhe ëndrra. Statuja Persée et Gorgone, e lartë 2m46 cm, dergjej në tokë e thyer copë-copë…

Pikërisht në muajt e para kur ishte në çmendinë, miqtë e saj organizuan një ekspozitë për skulpturën e saj. Të gjithë në atë ekspozitë pyesnin: “Ku është Kamija? – Në çmendinë!”- përgjigjeshin të tjerë. Shumë njerëz u dëshmojnë gazetarëve për kërkesën e vazhdueshme të saj për të dalë nga çmendina, për ta nxjerrë nga ai burg të çmendurish. Kritikët dhe gazetarët shkruajnë ngado për skandalin e madh dhe brutalitetin e paparë të familjes dhe të institucionit ndaj një artisteje si ajo.

Akuzohej nëna e saj, i vëllai, mjekët. U botuan shkrimet dhe letrat e saj dërguar miqve, ku ajo përshkruante padrejtësinë e madhe ndaj saj. Atëherë nëna e saj e kuptoi se duhej t’i ndalonte asaj çdo kontakt me botën e jashtme që të mund të shuhej ky skandal. Korrespondenca tashmë do të survejohej dhe asnjë njeri jashtë familjes nuk do të kishte të drejtë ta takonte atë. Nata e pafund do të binte tashmë mbi të.

Në korrik të vitit 1914, një nga kujdestaret e saj ka shkruar: “Ajo qëndron veçmas nga të tjerët. Nuk bën asnjë lloj pune dhe pyet gjithnjë se përse e kanë mbyllur këtu. Që të vuajë? Përsërit gjithnjë se është një vajzë e mjerë që e kanë grabitur dhe është pa familje”. Në fillim ajo ishte internuar në Ville-Evrard, por dy muaj më vonë, kur u afruan trupat gjermane, atë e nisën në spitalin psikiatrik të Montdevergues, në Vaucluse, jo larg qytetit të Avignon-it. Ajo tashmë kishte matrikullin 2307. Ishte kthyer në një numur. Artisti i madh – një numur absurd në mëshirën e fatit mizor. Disa dimra do të kalojnë në çmendinën e largët. Mjekët në fillim flisnin për një paranojë persekucioni. Në shënimet e saj Kamija shkruante: “Kam ftohtë gjer në kockë dhe jam e thyer më dysh nga kallkani. Një vajzë që kishte ardhur të dergjej këtu kishte vdekur nga të ftohtit në shtratin e saj”.

Në një tjetër shënim, ajo ka shtuar: “Më vjen keq të vazhdoj të jetoj këtu sepse nuk jam më një krijesë njerëzore. Nuk mund t’i duroj britmat e këtyre krijesave që më rrethojnë, pasi kjo gjë ma trondit zemrën”. Kohë më kohë të sëmurë të ndryshëm dilnin nga spitali për të jetuar pranë familjeve të tyre, por ajo jo. Kur Lufta e Parë Botërore bënte kërdinë, në janarin e vitit 1917, më së fundi Rodeni u martua zyrtarisht me Rose Beuret.

Por dy muaj më vonë, Rose do të vdiste papritur. Pak muaj më vonë do të vdiste edhe vetë Rodeni. Një vit i tmerrshëm për të madhin Roden, i cili e vuante gjithnjë fatin tragjik të Kamijës. Ku ishte ajo?… Pas vdekjes së Rodenit, në vitin 1917, gjendja e saj ishte përmirësuar dhe mjeku i çmendinës i shkruante familjes së saj që të vinin ta merrnin në gjirin e tyre dhe se kjo do të ishte një terapi akoma më e mirë për të.

Por nëna e saj kishte frikë se Kamija mund të sëmurej sërish. Ajo sikur e ka braktisur atë. Madje, gjithnjë kishte qenë e ftohtë ndaj saj. Dhe kjo sepse para lindjes së Kamijës, një djalë, fëmija i parë, Charles, kishte vdekur pas lindjes. Asaj i dukej sikur Kamija kishte zënë vendin e tij. Përgjigjja e së ëmës ndaj mjekëve ishte negative.

“Është e pabesueshme, i shkruante mjekut e ëma e saj, – që ajo të ketë një shpirt të pastër dhe se mund të sillet në një mënyrë të arsyeshme. Pra nuk pranoj që të dalë nga spitali”. Ishte vendimi i tmerrshëm i një nëne për pjellën e saj. Për më tepër një artiste e madhe. Atëherë, në këtë heshtje të plotë ajo iu lut të vëllait të saj, katër vjet më të vogël në moshë sesa ajo. “I dashur Paul! Motra jote është në burg. Në një burg me të çmendurit”.

Por dhe Pauli mbajti të njëjtin qëndrim si dhe nëna e tij. Për më tepër ai ishte jashtë Francës, në shërbimin diplomatik. Sigurisht, dhe ai e vuante fatin tragjik të saj, por ishte i pafuqishëm. Mjerisht ishte i dobët. Diçka e pafalshme, pasi gjatë tridhjetë vjetëve të saj në çmendinë ai i shkoi asaj vetëm 13 herë ndërsa e ëma asnjëherë. Gjenia ishte e destinuar të vuante. Madje ajo shkruante gjithnjë për tmerrin e atyre krijesave që e rrethonin, “të tmerrshme, violente, që lëshojnë britma dhe që më kërcënojnë”. “Ti më the se Zoti i mishëron ata që vuajnë, se Zoti është i mirë, – i shkruante ajo përsëri Paulit,- por Zoti yt e lë të digjet një krijesë e pafajshme në humnerën e një çmendine”. Veshur me lecka, ajo tashmë ishte e transformuar tërësisht.

Askush nuk mund ta njihte se ajo ishte Kamijë Klodel, madje as miqtë e dikurshëm të saj, nëse do të vinin ta shikonin. “Sa herë që i shkruaj nënës që të më marrë në shtëpi, – shkruante Kamijë në shënimet e saj, – ajo më përgjigjet se shtëpia e saj po rrënohet”. Kamija vuante gjithnjë e më shumë. Tashmë jetonte në një botë tjetër gjersa dhe dhembja, më së fundi u shua. Por përsëri ajo do t’i shkruante të vëllait që “të shkonte ta shohë dhe një herë të fundit”. “Kërkoj lirinë time me britma të mëdha”, shënonte ajo në letrat e saj. Në shtator të vitit 1942, atëherë kur Paul Claudel ishte ndër emrat më në zë si poet, dramaturg dhe ambasador, ai do t’i shkonte të motrës për herë të fundit. Ishte e trembëdhjeta herë. Po, e fundit. Pothuajse tridhjetë vjet kishin kaluar nga ndarja e tyre. “E pashë Kamijën në shtrat, – do të shkruante ai rreth këtij takimi.

-Ishte një grua tetëdhjetëvjeçare, por që dukej akoma më e plakur. Ç’kontrast i tmerrshëm për mua që e kam njohur vajzë dhe në kohën e gjenisë së saj. Ajo më njohu dhe më tha: “Paul, Paul-i im i vogël! …Çfarë emocioni! Ne u përqafuam për herë të fundit. Shikoja atë figurë të shkatërruar, ku mosha dhe sëmundja nuk e kishin shuar dot shenjën e gjenisë”. Kamijë Klodel do të vdiste një vit më vonë, më 19 tetor të vitit 1943 në vetmi të plotë dhe e harruar nga të gjithë.

Ajo u varros në kuadratin numër 10 të varrezave të përbashkëta të çmendinës në Montfavet, në një gropë të madhe ku hidheshin gjithë të braktisurit, nr.392. Historia e saj ra në heshtje të plotë dhe do të mbetej e tillë nëse njërës prej mbesave të saj nuk do t’i binin në duar letrat që ajo i kishte dërguar të vëllait nga çmendina. E tronditur nga ky fat, ajo iu vu kërkimit të veprave të shpërndara të saj, në Francë dhe Angli, ku ajo kishte ekspozuar. Dalëngadalë, Kamija, së bashku me historinë dhe gjeninë e saj, po zgjohej, përtej varrit real. Poli do të shkruante një dramë me titullin “Një grua”, Camille Claudel.

Pastaj, duke treguar skulpturën e saj, ajo që lutet, një nga punët e fundit të saj, poeti-vëlla do të shkruante: “Kjo vajzë e zhveshur është motra ime! Duke u lutur, e poshtëruar, në gjunjë dhe lakuriq! Gjithçka ka mbaruar! Kështu, me këtë imazh, ajo na la që ta vështrojmë përgjithnjë!…” Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1953, kur eshtrat e Kamijës nuk gjendeshin më, Paul Claudel do të shënonte në ditarin e tij: “Kamijë ka vdekur që prej dhjetë vjetësh dhe kur mendoj për të kam një shije hiri në gojë!” Në Quais Bourbon, ajo portë me numrin 19 është e heshtur. Rrallë herë del ndonjë banor.

Dy hapa dhe nga bordura përballë saj shikon rrjedhjen e Senës, shikon rrjedhjen e saj, kohën që shket dhe jetët njerë- zore që kanë shkuar për t’u derdhur larg, në brigjet e një bote pa jetë… Dhe unë qëndroj këto çaste dhe risjell në mendje imazhet e atij filmi.

Dhe jo vetëm ato, por dhe skulpturat që kam parë në muzeun Rodin, atje ku jo rrallë ata takoheshin për t’u ndarë në mbrëmje, mes përqafimesh, puthjesh e premtimesh, ai për të shkuar te gruaja e tij në Medon, dhe ajo për t’u kthyer pranë prindërve të saj… Duke parë atë portë, është e pamundur të mos meditosh për fatet e shumë artistëve që krijimi i tyre ka qenë një vuajtje e gjatë, një dhimbje e madhe e madje një dëlir trallisës.

Përgatiti: Luan Rama /Panorama/ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura