Dashnorja e Anton Çehovit, dashuria jashtëmartesore që qe e lumtur dhe fatkeqe

Jan 21, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Në një mënyrë, Lidia Avillova e kishte dashur Anton Çehovin, vetëm duke e përfytyruar. Në rrethana, për të, të papërshtatshme, e deshi, përnjëmend, më vonë. Që nga takimi i parë, te trazirat e mëpastajme e deri në vdekjen e shkrimtarit të madh rus, dashnorja e tij, Lidia Avillova, i ka shkruar në kujtimet që janë botuar për herë të parë në gjuhën shqipe nga shkrimtari e përkthyesi Nasho Jorgaqi, qysh në vitin 1980.

 

Anton Çehov
Anton Çehov

“Kur i përktheva dhe botova këto kujtime në ato vite, me një tirazh 10.000 kopje, suksesi i tyre te lexuesit qe i jashtëzakonshëm. Ato u përpinë dhe patën një jehonë të madhe në publikun e etur për mendimin e lirë. Ishte kjo një dashuri e madhe jashtëmartesore që, në atmosferën e rënduar me paragjykime dhe moralizime të thata, tingëllonte gati si herezi. Ndaj dhe menjëherë pas viteve ’90, ajo njohu dhe një botim tjetër”, shkruan Jorgaqi.

Ndërsa edhe botimi i dytë u “zhduk” thuajse me të njëjtin ritëm si ai i pari, erdhi koha që “Dashuria ime”, kujtimet e shkruara nga Lidia Avillova për Çehovin, të gjenden sërish në treg. Prej këtyre kujtimeve po shkëpusim disa nga letrat e shkrimtarit dërguar të dashurës së tij.

Më 29 mars mora këtë letër nga Anton Pavloviçi:

Lulet tuaja nuk janë vyshkur, po bëhen gjithnjë e më të bukura. Kolegët më lejuan t’i mbaj në tavolinë. Ju jeni bujare, shumë bujare, dhe unë nuk di si t’ju falënderoj. Prej këndej nuk do të dal para Pashkëve, domethënë në Petërburg nuk do të vij shpejt. Ndihem më mirë, gjaku më është pakësuar, gjithnjë qëndroj shtrirë, bile dhe letrën shtrirë po ta shkruaj. Qofsh shëndoshë! Të shtrëngoj dorën fort.

Juaji, A. Çehov, 28 mars

 

Cehov dhe Lidia Avillova
Cehov dhe Lidia Avillova

***

Po shkoj në Krime, pastaj në Kaukaz, dhe si të ftohet koha atje, ka të ngjarë të shkoj gjëkundi jashtë. Domethënë, në Petërburg nuk do të dukem. Largimi më tmerron. Nga mendimi se do të largohem, më janë prerë duart dhe s’më bëhet të punoj. Më duket se në rast se këtë dimër do ta kaloja në Moskë ose në Petërburg dhe të jetoja në një apartament të mirë, të ngrohtë, atëherë do të shërohesha krejt, por kryesorja do të punoja (domethënë do të shkruaja) aq shumë, sa, më falni për shprehjen, edhe dreqit do t’i vinte krupë.

Kjo jetë endacake dhe kjo kohë e dimrit jashtë shtetit janë të padurueshme, ma kanë prishur fare ekuilibrin. Ju gjykoni në mënyrë të padrejtë për bletën. Ajo në fillim i sheh lulet e bukura dhe pastaj mbledh mjaltë. Për sa u përket të tjerave: indiferencës, mërzitjes, asaj që njerëzit e talentuar jetojnë e dashurojnë vetëm në botë figurative e të fantazisë, mund të them: shpirti i huaj është errësirë! Koha është e keqe.

Ftohtë. Lagështirë. Ju shtrëngoj dorën fort. Qofshi shëndoshë dhe e lumtur!

Juaji, Çehov

***

Shumë e dashur Lidia Aleksejevna, kam një lutje të rëndësishme, po jashtëzakonisht të mërzitshme. Mos u zemëroni, ju lutem. Bëhuni bujare, gjeni ndonjë njeri ose ndonjë vajzë të edukuar dhe i jepni të rishkruajë tregimet e mia të botuara dikur në gazetën e Petërburgut.

Gjithashtu, ju lutem, kërkoni që ata të redaksisë të gjejnë tregimet e mia dhe t’i rishkruajnë, sepse gjetja dhe botimi i tyre nga biblioteka publike nuk janë të volitshme. Në qoftë se, për çdo arsye, lutjen time nuk mund ta kryeni, atëherë lëreni, unë nuk fyhem. Në qoftë se keni kopjet, atëherë më shkruani që t’ju dërgoj listën e tregimeve që nuk duhen kopjuar. Datat e sakta nuk i kam, kam harruar se në cilin vit janë botuar në gazetën e Petërburgut…

Më falni, ju lutem, që po ju shqetësoj, që ju mërzis me lutje; më vjen shumë zor, por pas mendimesh të gjata, u binda se këtë lutje nuk kisha kujt t’ia drejtoja veç jush; tregimet më duhen sepse do t’ia dërgoj Marksit, në bazë të kontratës, dhe më e keqja e të gjithave është se duhet që tregimet t’i lexoj prapë, t’i redaktoj dhe, siç thotë Pushkini, “të lexoj me neveri jetën time”. Ju si shkoni? Ç’të reja keni?

Shëndeti im, me sa duket, është në rregull, nga mesi i dimrit më vajti prapë gjak, po tani s’kam gjë, jam fare mirë. Të paktën më shkruani se nuk jeni zemëruar, në qoftë se nuk doni të më shkruani në përgjithësi.

Në Jaltë koha është e mrekullueshme, po është mërzi. Jam si një oficer që e kanë degdisur në një vrimë të humbur. Nejse, qofsh mirë me shëndet, qofsh e lumtur, suksese në gjithë punët tuaja! Kujtomëni më shpesh në lutjet tuaja të shenjta, mua mëkatarin e madh.

Juaji, A. Çehov

***

Lidia zemërake, kam shumë nevojë të shihem me ju, shumë, megjithëse ju jeni zemëruar dhe më uroni të gjitha të mirat “për çdo rast”.

Do të vij në Moskë para 26 marsit. Ka shumë mundësi që ditën e hënë, në ora 11 të mëngjesit, të vendosem në B., në hotel “Moska”, karshi Iverskut. Mund të vij dhe më parë, në qoftë se do të më lejojnë punët, të cilat, eh, po më mbysin. Në Moskë do të qëndroj deri në 28 mars e pastaj, miun ta marrësh me mend, do të shkoj në Petërburg.

Pra, mirupafshim. Ktheje zemërimin në mëshirë dhe më jep fjalën se do të hamë darkë ose drekë bashkë. Me të vërtetë, kjo do të jetë një gjë e mirë. Nuk ju gënjej në qoftë se ju them se për asnjë arsye, vetëm një sëmundje mund të më mbajë në shtëpi. Ju shtrëngoj dorën dhe, të fala.

Juaji, Çehov

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura