Dash Shehi në Kuvend: Të rriten pagat masivisht deri në 25-30%! Qyteti po dhunohet me gradaçelat e pasanikëve, nuk jemi Firenze apo Venezia…

Oct 6, 2022 | 13:07
SHPËRNDAJE

Deputeti Dashamir Shehi ka propozuar në Kuvend rritje masive të pagave deri në 30% duke hequr dorë nga shpenzimet e tjera të panevojshme në kohë krize.


Ai deklaroi se kjo është një politikë e guximshme që do i jepte të rinjve stimul që të mos largohen jashtë vendit në mënyrë masive.

“Nuk është nevoja të gjobisim mësuesin apo nëpunësin. Të çlirohemi nga tensioni që kanë familjet në këtë fushë. E shikoj që thotë do rriten këto rrogat dhe ato rrogat. Pastaj shkon te teatri i operas. Kjo është një politikë amateriale. Ky vend ka nevojë të ngrihen pagat në mënyrë masive deri në 25-30%. Rritja reale vetëm 10-15% do jetë sepse ndikon inflacioni. Kanë një logjikë pagat si qëndrojnë në raport me njëra tjetrën. Pagat të shkojnë të paktën minimalisht.

Pagat duhen ngritur në bllok. T’i japim stimul rinisë që të mos marrë rrugët. Ky është sinjali më i afërt. Pjesa tjetër do vite dhe dekada. Kjo mund të bëhet nëse heqim dorë nga disa shpenzime të tjera. Duke rritur rrogat kemi hapësirë për të rritur edhe pensionet. Kjo është politikë e guximshme nëse duan të bëjnë diçka. Unë nuk kam as zgjedhje të mrekullueshme por këto dy tre propozime duhen marrë në konsideratë”, u shpreh ai.

Ai u ndal te ndërtimet e godinave të larta në Tiranë duke deklaruar se kryeqyteti i Shqipërisë po dhunohet me gradaçelat e pasanikëve.

“Kemi parë që kohët e fundit historia po nëpërkëmbet në funksion të biznesit. Nuk mund të dhunohet kryeqyteti i Shqipërisë kështu me gradaçelat e disa pasanikëve. Si mund të ndërtohet godina të tilla. Zhduken teatrin, sahatin.

Kaq ka Shqipëria jonë. Nuk jemi Firenze, nuk jemi Venezia. Ne me një pakujdesi të madhe sikur do të ndërtojë vetëm ky brez. Është kontribut i një njeri që po shkon të glorifikojë veten me beton. Njerëzit që do të vijnë do të kujtohen për marrinë e Ramës si shkatërrohet qyteti për interesat private. Jo se na kanë ndonjë faj japonezët por unë gjykoj që çdo letër këtu duhet të jetë një lloj sebepi për të diskutuar rreth kësaj teme”, tha Shehi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura