“Nuk ka asnjë plan të fshehtë”/ DASH reagon zyrtarisht mbi idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Çfarë thotë deklarata

Mar 26, 2020 | 22:26
SHPËRNDAJE

Departamenti amerikan i Shtetit sqaron se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, duke i konsideruar spekulime.

DASH

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë”, thuhet në deklaratën e DASH, lëshuar ditën e sotme (26 mars).

Deklarata thekson më tej se qeveria amerikane është e përqëndruar në marrëveshjet e fundit për të rivenduar lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë që synojnë të përmirësojnë ekonominë.

Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet më tej.

Më tej, deklarata thekson se nxisin liderët e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat.

“Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim liderët e Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike”.

Deklarata thotë se qeveria amerikane është e përkushtuar të bashkëpunojë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”, thuhet më tej.

Deklarata u bë nga ambasadori Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, e publikuar nga DASH.

/S.Ll/Panorama/

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura