Darka e ligjit të gabuar

Aug 2, 2015 | 14:47
SHPËRNDAJE

bociLUÇIANO BOÇI

E lexova jo pa habi ftesën dërguar në adresën personale e-mail, për të qenë i pranishëm në një darkë festive, të shtruar nga Ministria, me rastin e kalimit në Parlament të ligjit të shumëdebatuar për arsimin e lartë. Megjithëse lajmin paraprak për një festim të tij e kisha marrë falë rrjeteve sociale, kjo nuk e uli aspak frekuencën e çudisë që prodhoi ftesa.

E vlerësoj dhe e respektoj protokollin zyrtar, megjithëse te një event i tillë nuk gjeja asnjë gjurmë zyrtarizmi që impononte prani qoftë dhe formale. Nuk jam aspak kundër shprehjes së lumturisë sociale e as asaj partiake. As nuk dua të bëhem pre e meskinitetit që mund të prodhojnë rastet e “zgjatjes së dorës”, pavarësisht shkallës së sinqeritetit.

Dhe nuk dua të mohoj e të diskutoj atë tisin e hollë të respektit që mezi dukej aty, apo më keq “të përsëndys” ceremonialin që të ofrojnë ftesat. Por dhe ironisë që prodhonte kjo ngasje, e tipit “unë të ftoj, sepse e di që nuk vjen”, nuk mund t’i shmangesha dot. Një darkë e tillë për një ligj të tillë, dashje pa dashje, dukej si gjetje shumë e mirë për një film të verdhë, brenda të cilit pyetjet jo vetëm nuk marrin përgjigje, por shumëfishohen dhe me mbarimin e filmit.

FESTIVITETI I NJË LIGJI
Në një përcaktim gjeneralist, ligjet janë norma rregullatore, që vendosin të drejta dhe kufizime në emër të lirisë dhe zhvillimit të shoqërisë. Ato janë mishërim i sovranitetit të popullit të ushtruar nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur. Si të tilla, shumë prej tyre janë në ndryshim të vazhdueshëm, varësisht stadeve të evolucioneve nëpërmjet të cilave kalon shoqëria, ekonomia, politika e një vendi. Ndryshueshmëria e tyre konsiston në përmirësimin e pasojës që sjellin dhe në përshtatjen me kërkesat e parashtruara në fusha të caktuara, si arsimi, kultura, rendi etj. Përmirësimi i tyre është detyrë e çdo politike dhe deklamim i vullneteve reformiste.

Në këtë kontekst, miratimi i ligjit për arsimin e lartë është një procedim juridik i rendit të së zakonshmes dhe standardes së sjelljes politike, sikurse shumë sivëllezër e simotra të tij, ndër shumë vite parlamentarizëm. Miratimi i tij apo i të tjerëve si ai, nuk mund të konsiderohet si kulmi i një fitoreje politike dhe të meritojë shampanjën. Madje, sfida politike nis pikërisht fill pas miratimit dhe vënies së tij në veprim. Në këtë aspekt, darka festive nuk duket në vendin e duhur. As e arsyeshme dhe as korrekte, si gërshetim i histerisë politike me naivitetin e konfirmimit të interesave të ngushta.

Në historinë e miratimeve të ligjeve edhe më me shumë domethënie e shkallë pranimi më të gjerë, nuk kam hasur një rast festimi dhe çlirimi emocional, të ngjashëm. Tek e fundit, Qeveria e Parlamenti thjesht kanë bërë punën për të cilën votohen e paguhen. Aq më tepër ky ligj ka brenda tij një histori jo shumë të gëzuar, që është në zhvillim e sipër. Mundësia e kthimit të tij nga ana e Presidentit, është e madhe. Vetë Forumi për Liri Akademike dhe grupimet studentore, sikurse PD-ja, kanë paralajmëruar ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, gjë që vë në diskutim legjitimitetin e tij.

Ndërsa probabiliteti i vazhdimit të protestave të studentëve kundër tij në tetor është rritur ndjeshëm. Si e tillë, darka mbart gabimin me vete. Ndërkohë ai shënohet si një ndër ligjet më të kundërshtuar dhe më të anatemuar. Bota akademike në shumicë e ka kontestuar dhe kritikuar thelbësisht. Studentët kërkojnë rrëzimin e tij. Opozita e refuzoi votimin e tij. Opinioni në tërësi e vë në dyshim. Në këtë atmosferë aspak të denjë për festim, ai duket që konsiderohet si ligj i gabuar. Darka e tij i nxiti dhe i shtoi më shumë pikëpyetjet që solli vetë ligji, si dhe rruga e ndjekur për kalimin e tij në Parlament.

Sot, askush nga përkrahësit e tij nuk mund të përgjigjet pse duhesh të festohej në këtë formë kalimi i tij në Parlament. Pse ende pa hyrë në fuqi? Pse pa kaluar të gjitha stadet institucionale?!! Cilët u gëzuan më shumë: Studentët, të cilëve iu rriten tarifat?!!!! Pedagogët që humbën sigurinë e pagës dhe karrierës?!!!! Senatorët tashmë pa fuqi, apo rektorët honorifikë?!!! Dikush tjetër?! Ata që drejtojnë bordet e agjencitë? Ndoshta universitetet publike që shuhen dhe deformohen në publikë të pavarur, apo ato që bëhen kolegje?!

KONSENSUS VS KARSHILLËK
Sigurisht, ndonjë mirëdashës i qeverisë mund ta konsiderojë ftesën për dark- ën “e madhe” si një përpjekje të fundit për konsensus. Kjo është e drejta e gjithsecilit. Por a kishte konsensus ky ligj dhe a u kërkua një gjë e tillë nga aktorët e ligjit? Bëhet fjalë jo thjesht për konsensus politik, por shumë më të gjerë. Fakti i të parashtruarit të një debati ligjor për një të mirë publike dhe qëllim publik, siç është arsimi i lartë, domosdoshmërisht kërkon një mirëpranim politik tërësor dhe një konsultim domethënës me grupet e interesit.

Shembullin për këtë ia plasi në tavolinë Ministrisë sonë homologu kosovar, pak muaj para ardhjes së ligjit në Parlament. Ai, në takimin me Komisionin për Edukimin, konfirmoi që trupa e ngritur atje, për hartimin e këtij ligji, përbëhej nga ekspertë, rektorë, dy përfaqë- sues të opozitës dhe dy të pozitës. Te ne, jo vetëm u shmang tërësisht opozita, por dhe faktorët universitarë, të cilët u paragjykuan më së shumti si “armiq” dhe “objekt goditjeje”. Fjala e Kryeministrit në Parlament e dëshmoi një gjë të tillë. Përgjatë diskutimeve e kam dëgjuar shpesh shprehjen e përfaqësuesve të qeverisë që ky ligj, si përkthim juridik i reformës së arsimit të lartë, nuk kishte se si të kalonte me konsensus. Synimi tij na paska qenë përmbysja, dhe jo evolucioni.

Notat e arrogancës u rritën në debatin nen për nen në komision, ku kërkohej aspak ligjërisht, një kalim formal me megalomaninë e forcës së kartonit. Insistimi dhe këmbëngulja jonë, për të reflektuar të gjitha vërejtjet e universiteteve dhe grupeve të interesit, sikurse dhe amendimet tona, nuk e lëkundën aspak maxhorancën, për të sjellë në Parlament variantin e vet “të pacenuar”. Domethënë, variantin që nuk reflektonte asnjë lloj konsensusi, pavarësisht se dikushi u mundua në seancë të justifikohej që hartuesit kishin “përtypur” mijëra faqe, vërejtje të ardhura nga universitetet.

Aspak e vërtetë kjo, pasi përfaqësuesit e grupeve të interesit denoncuan të gjitha kërkesat e tyre të pamarra në konsideratë, në seancat dëgjimore. Karshillëku dhe mospërfillja ndaj tyre, ndaj pedagogëve e studentëve, ishte e plotë dhe mbeti e tillë deri në fund. Sidomos ndaj atyre që e kundërshtuan më fort. Darka i vuri në fund vulën këtij karshillëku “ashiqare” dhe, prandaj, më shumë ajo e gjen shpjegimin e organizimit të saj te pjesa e parë e shprehjes popullore “për inat të sime vjehrre”!!!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura