Dante Alighieri në 750-vjetor, shqip dhe për të verbrit

Oct 14, 2015 | 11:10
SHPËRNDAJE

“A s’asht nji andërr e bukur të japësh përkthye bukur në gjuhën tonë Dante Alighierin?

Unë kam besim se do t’ia dal. S’mërzitem fort për ç‘thonë bota për aftësitë e mia letrare sepse vetë Dante thonte: ‘Segui il tuo corso e lascia dir le genti’ që shqip tingllon: ‘Vazhdo rrugën tande e le të thonë bota!’”. Kështu i shkruante së shoqes prej internimit në Zvërnec përkthyes Mark Ndoja, në vitin 1965. Në ferrin ku e kishin detyruar të jetonte, ai gjeti ngushëllim në një tjetër ferr, në atë të Dantes.

dante-800x424

Plot 50 vjet më pas, shqiptarët ia dinë për nder Mark Ndojës, dhe të gjithë atyre që guxuan që në kushtet e mungesës së lirisë të gjenin lirinë në “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, që siç thotë Kadare, ishte i pashmangshëm edhe në komunizëm.

E sot kanë mundë- si ta falënderojnë edhe të gjithë ata që nuk kanë mundur ta shijojnë atë për shkak të kufizimit në shqisën e të parit.

Tashmë Dante flet shqip edhe përmes alfabetit brajl, falë financimit prej 4 mijë eurosh të Institutit Italian të Kulturës dhe me ndihmën e familjarëve të përkthyesit Ndoja. Në kuadër të kremtimeve botërore të 750- vjetori të lindjes së Dante Alighieri-t, Biblioteka Kombëtare, Instituti Italian i Kulturës, Shoqata “Dante Alighieri” dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë organizuan dje në BK aktivitetin promovues, kulturor e shkencor, kushtuar marrëdhënies së veprës danteske me kulturën shqiptare, nën titullin: Dante i shqiptarëve.

Një ekspozitë me të gjitha sprovat në shqip të “Komedisë Hyjnore”, nxjerrë nga arkivi i Bibliotekës Kombëtare, kuruar nga Lidandri Kola, një ligjërate prej dantologut italian, prof. Rino Caputo, por mbi të gjitha prezantimi i botimit të parë në brajl në shqip të “Komedisë Hyjnore”.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ambasadori italian në ikje Massimo Gaiani, zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri dhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj. “Kemi 50 vjet që e kemi mësuar alfabetit brajl, por asnjëherë nuk jemi ngopur duke lexuar letërsi. Është bërë shumë në drejtim të teksteve shkollore, ndërsa në letërsi, ende shumë pak”, tha Tafaj. Për ministren Kumbaro, në Shqipëri ka një problem, ai i ndarjes së njerëzve në kategori, ata që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë etj.

“Jo, ne jemi të gjithë bashkë dhe të gjithë jemi të ndryshëm”, tha ajo, duke premtuar se kjo nismë është vetëm një hap drejt krijimit të mundësive për të shkuar te libri të të gjithëve. Si përkthyese, ajo tha se të përkthesh Danten kërkon një guxim të madh.

“Ose duhet t’ia dalësh me sukses, ose duhet të heshtësh përgjithmonë”, tha Kumbaro, duke numëruar të gjithë ata që guxuan e ia dolën, si Pashko Gjeçi, Mark Ndoja e së fundmi i është futur kësaj aventure të heshtur përkthyesi Meritan Spahija.

PERKTHIMET

Për drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, lidhja e shqiptarëve me Danten dhe veprën e tij është shumë e veçantë dhe e privilegjuar. Sipas saj, që nga sprova e parë e përkthimit prej Luigji Lorekios në arbërisht, kanë kaluar vetëm 120 vjet, por tashmë “Komedia Hyjnore” njeh disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premton ende, si në rastin e sfidës së Meritan Spahisë.

“Guxim e joshje marramendëse, identifikim konceptual e rikrijim estetik, sprovat dhe orvatjet e pandërprera për ta përkthyer atë, për ta rrokur me gjuhë, me mend e me shpirt, përbëjnë një nga rrugëtimet më të plota në historinë tonë kulturore. Prandaj nuk habisin emrat e poetëve tanë që lidhën përvojën e penës së tyre me të, që nga De Rada e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi e Martin Camaj, Ernest Koliqi e Arshi Pipa, deri te Kadare e At Zef Pllumi, për të shkëlqyer Dante, i papërsëritshëm në përkthimet e Pashk Gjeçit, në elegancën postume të Mark Ndojës, në fragmentet erudite të Nikollë Dakës. Janë përkthyes-poetë, të cilët Ferrin simbolik të Dantes jo vetëm e përjetësuan në gjuhën shqipe, por edhe e jetuan çnjerëzisht burgjeve dhe kampeve të internimit komunist”, thotë Asllani.

NGA ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura