Daniele de Rosi i thotë “po” Mançester Sitit

Aug 20, 2012 | 14:36
SHPËRNDAJE

Daniele de Rosi pritet të jetë blerja e bujshme e Mançester Sitit. Sipas mediave angleze dhe italiane, mesfushori i Romës dhe i Kombëtares së Italisë i është premtuar trajnerit Roberto Mançini, i cili me anë të një telefonate personale ka mundur të bindë 29-vjeçarin, duke përdorur edhe fjalë disi të ashpra: “Je një kampion i madh, por kam frikë se në Romë do të kesh fatin e Totit, nuk do të fitosh asgjë në karrierë”. Këto fjalë kanë bindur totalisht De Rosin, i cili është bindur gjithashtu edhe nga 9 milionë eurot neto që pritet të fitojë për 4 vitet e ardhshme në Mançester, kundrejt 4.8 milionëve që fiton aktualisht në Romë. Tani i takon Romës që të nisë tratativën me Sitin dhe të pranojë ofertën e anglezëve 35 milionë euro dhe jo shifrën e çmendur prej 55 milionë eurosh që të shtunën kishte bërë të ditur media italiane. Me pak fjalë, jo vetëm Roma pritet të humbë mbase kampionin e saj më të madh, por edhe Seria A pritet të humbë një tjetër yll, duke u varfëruar edhe më shumë. Për momentin kjo është vetëm një prapaskenë merkatoje, e cila kërkon konfirmim në ditët e ardhshme. Mançester Siti nuk ka ndër mend të ndalet me blerjen e De Rosit. Rivalët e Junajtid kërkojnë me ngulm edhe sulmuesin Jovetiç të Fiorentinës, duke ofruar 30 milionë euro për malazezin, një shifër kjo e parezistueshme për buxhetin e toskanëve. Sigurisht që kjo lëvizje lidhet me nxjerrjen në shitje të Edin Xhekos, që ka kaluar në zgjedhje të dytë për Mançinin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura