Dalja nudo e Olta Gixharit në skenë, ja e vërteta

Jul 8, 2015 | 22:27
SHPËRNDAJE

Pas një shkrimi të publikuar në gazetën “Panorama”, aktorja Olta Gixhari ka reaguar duke thënë se ndihet e lënduar për faktin se nuk ishte marrë mendimi i saj, lidhur me një atikull të botuar pak ditë më parë. Në një koment të publikuar në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, aktorja shprehet se ka qenë e gatshmë për të bashkëpunuar, ndërsa kritikon qëndrimet e koreografit Arjan Sukniqi. Në këtë shkrim “Panorama” boton reagimin e plotë të Olta Gixharit dhe shpjegon se aktorja ishte kontaktuar më parë nga gazetarët.

Olta Gixhari ne skene

Komenti i plotë i Olta Gixharit në “Facebook”:

Fjale Zemre

Gjatë karrierës time si aktore kam lexuar shumë për veten time. Kam lexuar kritika dhe vlerësime. Kam lexuar edhe thashetheme, herë të vërteta e herë gjysëm të vërteta. Asnjëherë nuk jam mërzitur apo lënduar. I kam marrë si pjesë e çmimit që paguan çdokush që është apo kërkon të jetë pjesë e mainstream-it shqiptar. Për këtë arsye kurrë nuk kam bërë rolin e kryeneçes apo inatçores me gazetarët, as kur kanë shkruar me lehtësi për jetën time private. Gjithnjë i kam mirëkuptuar ata në punën e tyre dhe pozicionin tim që shpesh më vendos nën fokusin e tyre. Kam folur sa herë që më janë drejtuar, u jam përgjigjur sa herë më kanë kërkuar, u kam thënë po sa herë më kanë ftuar.

Për herë të parë, rreth një javë më parë, provova zhgënjimin e parë. Krejt papritur. Papritur sepse bënte fjalë për një ngjarje krejt të shpikur, dhe jo ndonjë thasheshem rozë për të cilin edhe toleroj, por për diçka tepër serioze që ka të bëjë me profesionin tim. Papritur sepse lajmi ishte botuar në gazetën “Panorama”, me të cilën kam qenë gjithnjë e hapur të bashkëpunoj. Papritur sepse gazetarja Ani Jaupaj, as kishte marrë mundimin të më kontaktonte më parë. Bëhet fjalë për shfaqjen “Penetrimi i shpirtërave”, një performancë dance- teatër bazuar mbi një tekst të Rita Petros dhe që u vu në skenë nga koreografi A.S. që tentoi të bënte edhe regjisorin. Në atë pjesë, m’u kërkua nga A.S. të luaja edhe unë katër minuta, m’u lut që të isha pjesë e shfaqjes si një suport për jehonën mediatike për të cilën ai kishte nevojë. Pranova si profesioniste, pranova edhe si frymë solidariteti mes kolegësh. Por pikërisht jehona mediatike që ato katër minuta të lojës time i falën kësaj shfaqje, u kthyen papritur kundër meje.

Ndonëse në moshë madhore, koreografi A.S. nuk i bëri dot ballë avujve të kësaj jehone mediatike. Si një shenjtan budalla, ai e përdori emrin tim për të mbajtur gjallë dehjen nga deliri që i shkaktuan artikujt e shtypit dhe kronikat televizive. Dhe në këtë varësi të re, tentoi të shkonte më thellë duke prodhuar një lajm të rremë, një histori të sajuar. Për pak dozë publicitet, shiti në mënyrë të shpifur bashkëpunimin tim. Gazetarja A. Jaupaj botoi tek “Panorama” një shkrim ku citonte A.S., sipas të cilit Olta Gixhari paskësh dashur të zhvishej në një moment të interpretimit të saj, por ky nuk kishte pranuar sepse dëmtohej pjesa. Në fakt në katër minuta mund të bëhen shumë gjëra, mund të ndodhë që një burrë të humbasë edhe burrërinë, por zhveshja ime as në mendjen më të guximshme nuk mundet dot të përfytyrohet për katër minuta. Shkurt, ky A.S. ka stisur një fabul si një injeksion për të mbetur gjallë në tregun artistiko- mediatik. Mirëpo ky aq di dhe aq bën. Problemi mbetet tek ata me të cilët gjithnjë kam patur mirëkuptimin dhe tolerancën më të madhe, me gazetarët, me Ani Jaupajn, me “Panoramën”. Si munden ata t’i servirin si të vërteta deklaratat e një personazhi të tillë? Si mundet të mos më kontaktojnë më parë, por të më vënë përballë faktit të kryer, me një artikull ku me gërma të mëdha shkruhet një e pavërtetë? Si mund të ndihet njeriu pas kësaj?

Këtu nuk bëhet fjalë për lajme të llojit me kë është Olta në plazh, me kë po del, ka nxjerrë apo ka mbuluar të pasmet. Këtu bëhet fjalë për profesionin tim, atë për të cilin jetoj dhe nga i cili arrij të mbijetoj. Prandaj ndihem e lënduar, prandaj po i shkruaj këto radhë, prandaj për herë të parë vendosa të reagoj. Aktrimi është jeta ime dhe jo çdo i papërgjegjshëm mund të luajë me të. Përpara se të ulen për të mbushur rubrikën e radhës, gazetarët të paktën të mendojnë një minutë për pasojat që mund të shkaktojnë. Dhe mua ma kanë shkaktuar një të tillë, kanë bërë që disa, apo qoftë dhe një njeri i vetëm, të ngatërrojë thashethemet me punën time. Sigurisht e kanë bërë nga papërgjegjshmëria dhe jo nga dashakeqësia, por megjithatë tek unë kanë shënjuar një thyerje të madhe.

Në vend të përgënjeshtrimeve, gjykatave e demaskimeve, vendosa të shkruaj këto radhë. Në emër të së vërtetës dhe si shenjë të zhgënjimit tim, që ndoshta i bën edhe të tjerët të mendohen.

 

Reagimi i gazetës për Olta Gixharin

Aktorja Olta Gixhari akuzon për shpifje koreografin Arjan Sukniqi, në shfaqjen e të cilit performoi disa javë më parë. Pretendimi se ajo dëshironte të dilte nudo në skenë, por nuk u lejua nga koreografi, ajo e konsideron një “stisje”. Ndoshta shfaqja me koreografi të Arjan Sukniqit, “Penetrimi i shpirtrave”, frymëzuar nga poezitë erotike të Rita Petros, nuk do të kishte pasur atë jehonë, nëse aktorja Olta Gixhari nuk do të kishte kërcyer për 4 minuta në skenë. Një kërcim erotik, provokues… Për të mësuar më shumë për këtë performancë jo të zakontë, gazetarët e “Panoramës” kanë tentuar disa herë të kontaktojnë me Olta Gixharin, madje kanë tentuar ta marrin edhe një intervistë, duke i dërguar pyetjet, por aktorja nuk u tregua e gatshme. Performanca e Oltës nuk mbeti thjesht në skenë, ajo u shoqërua edhe nga zëra që vinin pas kuintave. Për të saktësuar çka thuhej, atëherë “Panorama” kontaktoi me koreografin e pjesës, Arjan Sukniqi, i cili edhe përpara shfaqjes kishte dhënë një intervistë të gjatë mbi konceptin e veprës. Mbi prononcimin e koreografit, fjalën e të cilit nuk kemi pse ta vëmë në dyshim, duke qenë se ai është një figurë e njohur publike, u ndërtua edhe shkrimi i botuar në gazetën “Panorama”, konkretisht në suplementin “Unë Gruaja”. Pasi kanë kaluar dy javë nga botimi i shkrimit, Gixhari reflekton dhe publikon një status të gjatë në “Facebook”, ku shprehet “zemërthyer” për gjitha sa ka ndodhur, se ajo nuk është pyetur e mbi të gjitha i kundërvihet koreografit Sukniqi, për të cilin thotë se “e ka përdorur” dhe ka “shitur” bashkëpunimin me të vetëm për pak publicitet. “A.S. ka stisur një fabul si një injeksion për të mbetur gjallë në tregun artistiko-mediatik. Mirëpo, ky aq di dhe aq bën”, shkruan Gixhari. Sa i takon marrëdhënies me gazetën dhe gazetarët e “Panoramës”, aktorja e di shumë mirë si qëndron e vërteta, sa i përket marrëdhënies me koreografin, këtë mbetet ta rregullojë vetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura