“Dalja nga tradicionalizmi i BE-së për negociatat me Shqipërinë”

Oct 18, 2019 | 12:29
SHPËRNDAJE

Arsejda-Gjyli-1-931x620

Arsejda Gjyli*/ Qëndrimi i BE-së për dhënien e një vendimi mbi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga tradicionalizmi i politikave të zgjerimit të BE-së, nuk përkon më vetëm me plotësimin e kushteve për anëtarësim, plotësimin e udhërrëfyesit të prioriteteve, apo me zbatimin e planeve kombëtare për integrimin europian, detyrime këto që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Tashmë BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, por më së shumti ato skeptike për zgjerimin e Bashkimit Europian, kryesisht në Ballkanin Perëndimor, po dalin nga kornizat tradicionaliste duke operuar me një metodikë të re.

Në pamundësi për një ndërhyrje direkte për zgjidhjen e krizës politike, çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi e po ashtu luftës ndaj kriminalitetit nëpërmjet ngritjes së institucioneve efektive të drejtësisë (duhet thënë se tashmë janë transferuar në plan të dytë prioritete të tilla si: reforma administrative apo të drejtat e njeriut, duke vendosur një ndarje të thellë hierarkike mes prioriteteve), BE-ja ka vendosur që të ndikojë indirekt përmes asaj, që ndryshe mund të përmblidhet në negociata me kushte.

Kjo lloj metodike, e shoqëruar me lobimin te vendet skeptike si Franca dhe Holanda për zgjerimin e Unionit me Ballkanin Perëndimor, është e vetmja mënyrë për të vendosur në linjë dy çështje:

  1. Krizën brenda qeveritare të vendit tonë, duke detyruar qeverinë të pranojë krizën, të “ideojë” atë dhe zgjidhjen që duhet dhënë. Kjo, përmes uljes në tavolinë të opozitës për një zgjidhje të mundshme pa kushte. Në rrethana të tjera, kriza politike dhe institucionale do të vijojë të konsiderohet një gjendje normale dhe e pranueshme.
  2. Së dyti, thekson rishtas rolin e BE-së në nivelin mbikombëtar, referuar së drejtës ndërkombëtare, ku më me rëndësi konsiderohet tashmë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe futja ne linjë e rrugës së vendit tonë drejt negociatave. Kësisoj, vendet skeptike përmes lobimit dhe një strategjie tejet jotradicionale pritet të vendosin për një “po” me kushte për vendin tonë.

Ky vendim ishte i pritshëm dhe metodologjia e përdorur priret të jetë e suksesshme nëse vendet skeptike vendosin për hapjen e dritës jeshile të zgjerimit, si edhe vullneti brendashtetëror i yni politik dhe institucinal na ofrohet si i tillë.

Që nga viti 2018, masat janë mëse të qarta, paçka se shumica e të cilave nuk ka arritur rezultate të prekshme në kuadër të parimeve të MSA-së. Përpos mangësive administrative për të çuar para Planin Kombëtar të Integrimit Europian, mungesa e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë derivojnë për te ngërçi politik dhe institucional.

Dy masat e sugjeruara nga Gjermania, aktualisht lidhen me gjykimin e shitblerjes së votës e po ashtu, shpalljen ose jo si legjitime të zgjedhjeve të 30 qershorit. Kjo tregon se vendet e konsoliduara dhe me demokraci funksionale nuk mund të anashkalojnë mosfunksionimin e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë e po ashtu, transparencën në zgjedhje.

Shpeshherë, Unioni i bashkuar ka sakrifikuar demokracinë e brendshme të shteteve në funksion të stabilitetit në Ballkan, por pa dyshim nuk mund të negociojë çështje që lidhen me vetë ekzistencën e tij. Ndaj, në këto rrethana është paraprirë një efekt domino, me vendimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave me kushte për vendin tonë, për vendet e tjera skeptike si Franca dhe Holanda.

A do të funksionojë kjo strategji e brendshme e Bashkimit Europian përkundrejt vendeve skeptike?

Përpos problematikave brendashtetërore të vendit tonë, të tilla si kriza e brendshme politike, institucionale dhe Reforma në Drejtësi, të cilat përbëjnë edhe shqetësimin kryesor të Holandës, duke iu referuar shembujve të mëparshëm të zgjerimit. Franca, nga ana tjetër, mbron një tezë të nivelit makro, e cila lidhet kryesisht me skepticizmin e saj për vijimin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin perëndimor.

Duket shumë e vështirë që profecia apo metodologjia e BE-së, përpos një vendimi pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mund të paraprijë edhe këto dy vende skeptike, të këmbëngulura në perspektivën e tyre.

Në një situatë e tillë, kushtet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut qartësisht marrin ndarje, ku vendet do të trajtohen si thelbësisht të ndara nga njëra-tjetra, kjo sepse edhe zhvillimi i secilës është i ndryshëm. Gjasat janë që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat pa kushte, ndërsa vendi ynë të mbetet mes një zvarritjeje për një moment të dytë, nëse edhe ecuria e zbatimit të kushteve do të jetë pozitive.

Çfarë masash duhet të marrim në vijim, me qëllim plotësimin e jo shtimin e kushteve për negocim?

Dalja nga formaliteti i qeverisë dhe opozitës mund të bëjnë të mundur plotësimin e prioriteteve të BE-së dhe kushteve që vendet anëtare vendosin për vendin tonë si masë shtrënguese. Situata brendashtetërore duhet marrë tejet seriozisht në uljen e bisedimeve, me qëllim zgjidhjen e krizës e krijimin e institucioneve të drejtësisë me në krye Gjykatën Kushtetuese.

Opozitës i takon të lobojë për gjykimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si legjitime ose jo, si dhe precedentëve të saj, kjo duke mos harruar misionin e saj të gati një viti, për të qenë forcë oponence e jo thjesht një derivat i qeverisë dhe ndërkombëtarëve.

E thënë ndryshe, jo vetëm dialogu që është hap teorik në vetvete, por mbi të gjitha arritja e një plani efektiv për daljen nga kjo krizë, me pika të qarta për pozicionin e gjithë forcave politike.

Së fundmi, e jo më pak e rëndësishme, rishtas dhënia e një zgjidhjeje efikase problematikave politike dhe institucionale/ligjore do hapte rrugën për rikthimin e fokusit në prioritetet po aq të rëndësishme, që duhen plotësuar në kuadër të angazhimeve të MSA-së. Rikthimi te Reforma Administrative, të drejtat e njeriut, edukimi dhe çështje të tjera po aq prioritare, do të përbënte edhe thelbin kryesor të zhvillimit jo vetëm politik, por edhe atë ekonomik, social dhe kulturor, me qëllim afrimin e nivelit politikëbërës dhe zbatues me direktivat e Bashkimit Europian dhe gatishmërinë për procesin intensiv të negociatave.

*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”. *Eksperte për çështjet e Integrimit Europian

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura