Dalin ‘Sekretet e Luftës’, Çurçill: Shqipëria të ketë një influencë të barabartë mes Perëndimit dhe Lindjes

Nov 10, 2017 | 10:27
SHPËRNDAJE

Në valën e debateve të shpeshta për Luftën Antifashiste, studiuesi Erald Kapri, ish-gazetar i “Panoramës”, ka botuar së fundi librin “Sekretet e luftës-Shqipëria tjetër në dokumentet britanike”, botim i Istitutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Në ceremoninë promovuese që u organizua mbrëmë në Tiranë, përveç studiuesve, historianëve, akademikëve e veteranëve të luftës, ishte i pranishëm ish-presidenti Bujar Nishani, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputetë e përfaqësues të partive politike etj. Për vlerat e librit foli profesor Uran Butka, profesor Romeo Gurakuqi, studiuesi Ardi Bido, deputeti Agron Shehaj, etj.

basha nishani kapri

Libri “Sekretet e luftës” është rezultat i një pune 4-vjeçare të studiuesit Erald Kapri nëpërmjet shqyrtimit dhe leximit të dokumentacionit voluminoz në Arkivin britanik, që u përket viteve 1943 dhe 1944, si dhe dokumente për fillimet e regjimit të Enver Hoxhës. Mbi 20 mijë faqe dokumente autentike janë lexuar dhe, mes tyre janë përzgjedhur dokumente që hedhin dritë për disa nga çështjet më të nxehta të luftës, që nga bashkëpunimi me forcat pushtuese të një pjese të elitës shqiptare, e deri te lufta civile.

Janë rreth 150 dokumente dhe raporte autentike të përkthyera të plota dhe të vendosura në kontekst, së bashku me fotografi të misionar- ëve ushtarakë britanikë të SOE. I mbështetur tërësisht në dokumente autentike britanike, autori i librit hedh sadopak dritë në shumë aspekte të panjohura të viteve të zhurmshme të luftës shqiptare dhe mes shqiptarësh. 

KONTRIBUTI I BRITANIKËVE

Për një periudhë prej 18 muajsh, nga Prilli i vitit 1943 e deri në çlirimin e plotë të vendit në fund të 1944-s, mbi 150 ushatarakë dhe oficerë britanikë erdhën me misione të posaçme në Shqipëri. Kontributi i tyre financiar dhe material është i pallogaritshëm. Mbi 120 mijë monedha ari u shpenzuan gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, e cila nëse konvertohet në kohën e sotme kap shifrën e mbi 30 milionë stërlinave. Ndihma në materiale ishte akoma më e madhe.

Nga ajri dhe deti erdhën 2334 tonë materiale, si armatime, ushqime, veshmbathje e logjistikë. Për t’u përmendur, britanikët sollën 7 mijë pushkë, 5 mijë automatikë, 25 mijë bomba, 240 mortaja, 57 mijë palë këpucë apo 14 mijë palë batanije etj, pa përfshirë këtu ndihmat humanitare. E gjithë kjo mbështetje e madhe ushtarake u dha pothuaj në mënyrë ekskluzive për lëvizjen komuniste në Shqipëri, e cila falë saj u organizua, u drejtua dhe u rrit në raport me forcat nacionaliste.

Pavarësisht këtij kontributi të jashtëzakonshëm, Britania e Madhe nuk arriti dot të përdorë influencën e saj për të shkëputur Shqipërinë nga blloku komunist i lindjes. Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri dhe nuk ia doli të përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk arriti të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i lindjes? Dokumentacioni britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike. Askush si britanikët nuk ka një dokumentacion voluminoz dhe thelbësor për luftën shqiptare.

libri i erald kaprit

DOSJA “ÇURÇILL” PËR SHQIPËRINË

Në “Sekretet e luftës” zbardhet për herë të parë e plotë dosja e kryeministrit britanik, Uinston Çurçill, dhe politika e qeverisë së tij për Shqipërinë. Takimi i famshën në Moskë me Stalinin në Tetor 1944 dhe arritja e Marrëveshjes së Përqindjes për të ndarë influencën në Ballkan, ndodhi me një të papritur të madhe për Shqipërinë. Në takimin më të rëndë- sishëm për Ballkanin në shekullin e kaluar, Shqipëria u harrua.

Çurçilli kërkoi më pas që Shqipëria të ketë një influencë të barabartë mes perëndimit dhe lindjes komuniste, siç u vendos për Jugosllavinë e Titos. Pjesë e botimit janë telegramet sekrete të Brigadierit Edmond Dejvis mbi bisedimet e tij me kreun e Ballit Kombëtar Mid’hat Frashrin dhe komunistin Enver Hoxha në Bizë të Tiranës, në Tetor dhe Nëntor 1943.

Po ashtu, shpjegimet e Enver Hoxhës për arsyet e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes që përshkallëzoi përballjen në një luftë të hapur civile. Raportet e shumta të oficerëve britanikë që raportojnë Luftën Civile në Shqipëri si dhe ndikimin e jugosllavëve në këtë konflikt mes shqiptarësh, apo qëndrimi i parë i Stalinit për Shqipërinë, gjenden në këtë botim.

Bisedimet misterioze të Enver Hoxhës me gjermanët, raportet e tij me Titon, profilet e krerëve të luftës, analiza ushtarake dhe politike për dështimin e nacionalistëve, hartat sekrete të kontrollit të territorit, intrigat dhe lufta për pushtet mes lëvizjes komuniste, terrori komunist në veri të vendit, betejat e rëndësishme etj, janë pjesë e dokumenteve në këtë botim të përkthyera plotësisht. Në të njëjtën kohë, nuk mungojnë rrëfime të rralla të personazheve kryesore.

Oficerët amerikanë që ndodheshin në Tiranë në darkën e Vitit të Ri, 1 janar 1945, organizuar nga britanikët në hotel “Dajti”
Oficerët amerikanë që ndodheshin në Tiranë në darkën e Vitit të Ri, 1 janar 1945, organizuar nga britanikët në hotel “Dajti”

Sakaq, autori sjell në këtë botim një mori dokumentesh mjaft interesante që zbardhin motivet e masakrës ndaj shqiptarëve të Çamërisë, dokumente mbi regjimin e ashpër komunist në vend të ditët e para si dhe raporte të shumta për operacionin “Valuable” të vitit 1949, që britanikët dhe amerikanët ndërmorën për të rrëzuar regjimin e Hoxhës.

MBËSHTETJA PËR ABAS KUPIN, GANI KYEZIUN DHE MYSLIM PEZËN

Me ardhjen në krye të vendit, Çurçill ngriti menjëherë në 1940 SOE-n ose (Special Operations Executive) si njësi speciale ushtarake dhe të inteligjencës, që të punonte në prapavijë të armikut. Në rastin shqiptar, puna nisi në mënyrë të shpejtë. Ish-oficerët e lartë, që kishin punuar në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog për krijimin e xhandarmërisë shqiptare, si Gjeneral Persi dhe Koloneli Oakley-Hill, morën përsipër të drejtojnë operacionet.

U përgatit një plan i madh ushtarak për të nisur një sulm në Shqipërinë e Veriut dhe në Greqinë e Jugut në pranverën e vitit 1941. Abaz Kupi dhe Gani Kryeziu u rekrutuan në Jugosllavi dhe të dy u pajisën me para dhe armë të mjaftueshme për mbështetësit e tyre në Shqipëri. S.O.E në jug të Tiranës gjeti një aleat tjetër, Myslym Peza. Britanikët vunë në dispozicion 500 paundë ar për të. Me këto para ai bleu nga ushtarët italianë armë, municione dhe ushqime për luftëtarët e tij.

Gani Kryeziu nisi sulmin në prill 1941 dhe mori Kukësin. Por ky sukses u ndëpre menjëherë, për shkak të nisjes së pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Po ashtu, Greqia ndaloi operacionin për krijimin e një ushtrie guerrile shqiptare me të krye Mbretin Zog, pasi grekët kishin nisur ofensivën e tyre të suksesshme kundër italianëve dhe nuk kërkonin një telash më shumë si Zogu.

Nisja e vrullshme dhe e sukseshme e operacionit shqiptar dështoi sapo nisi. Operacionin për Shqipërinë më pas e mori në dorë një grua, etnologia mjaft e njohur për shqiptarët, Margeret Hasluk. Ajo kishte jetuar për 20 vite në Shqipëri. Shtëpia e saj ekziston ende sot e rrënuar në Elbasan. U largua nga Shqipëria në vitin 1939 me pushtimin italian, duke lënë pas një thesar të vërtetë, mbi 2 mijë libra e studime mbi Shqipërinë, të cilat u zhdukën.

Oficerët britanikë në shtëpinë e misionit kur vendi sapo ishte çliruar. Oficerët Backrou, Still, Rogers, Nichols, Nuxtable, Neuell, Lyon, Oliver, Thornton dhe Andreu
Oficerët britanikë në shtëpinë e misionit kur vendi sapo ishte çliruar. Oficerët Backrou, Still, Rogers, Nichols, Nuxtable, Neuell, Lyon, Oliver, Thornton dhe Andreu

Ato ia kishte lënë në ngarkim dhe në ruajtje Lef Nosit, të cilit ia konfiskuan komunistët në fillimin e vitit 1945 dhe ende nuk ka një shpjegim zyrtar për humbjen e tyre. Në Prill 1943, tre oficerë britanikë të udhëhequr nga majori (më vonë kolonel-lejtnant) Meklein u desantuan në Greqinë e Veriut dhe hynë në territorin shqiptar. Në Shqipëri krijuan kontaktet me të dyja grupet, nacionaliste dhe ato të komunistëve. Me mbështetjen e tyre dhe me ardhjen e ndihmave britanike, u vesh dhe u armatos Brigada e Parë, ose formacionin me të mirë, me të cilin LNÇ krenohej. Ndihmuan në krijimin e një fronti të përbashkët dhe përshëndetën fort Marrëveshjen e Mukjes.

RAPORTET E DEJVISIT NGA SHQIPËRIA

Me ardhjen e trupave gjermane, rasti shqiptar, zgjoi vëmëndjen maksimale të Britanisë së Madhe. Në Tetor të vitit 1943 në Shqipëri zbarkoi ushtaraku më i lartë, Brigadieri Dejvis, i shoqëruar nga disa oficerë të tjerë si dhe të pajisur me vete me 15 mijë monedha ari. Në Bizë të Tiranës, Dejvis takoi Mid’hat Frashërin dhe Enver Hoxhën. Ai bindi Ballin Kombëtar për luftë kundër gjermanëve dhe mori një marrëveshje të shkruar nga Frashëri. Enver Hoxha nuk pranoi bashkëpunim në një front të përbashkët. Dejvis do të raportonte për Londrën detajet e rralla nga Shqipëria.

Ai do të parashikonte fitoren e LNÇ ndaj Ballit Kombëtar për arsyen se, sipas tij, ata kishin një ngjyrim terrorist si dhe pranoi dështimin në pajtimin e palëve. Dejvis njoftoi Londrën se Lufta Civile kishte nisur në Shqipëri. Historia e Dejvisit dhe ushtararakëve të tij në Shqipëri përbën një nga aventurat më interesante të luftës. Dejvis do të kalonte një dimër të ashpër në Shqipëri, dhe i braktisur nga Enver Hoxha në ditët e para të Janarit 1944, ai do të kapej me 4 prej ushtarakëve të tij në fshatin Kostenjë nga trupat e Aziz Biçakut, duke marrë edhe një plumb në stomak.

Duke pasur frikë për jetën, ai i kërkoi Biçakut ta dorëzonte tek gjermanët, të cilët e kuruan në spitalin ushtarak të Tiranës. Oficeri i lartë ushtarak kishte me vete 6 mijë monedha ari kur u kap, të cilat ia mori Aziz Biçaku. Dejvis i mbijetoi luftës si rob lufte duke shkruar edhe një libër interesant, “Aventura Ilirike”. Zëvëndësi i tij, koloneli Nikols, i shpëtoi kapjes, por vdiq një muaj më pas nga pasojat e të ftohtit. Historia e tij, e dokumentuar me një ditar sekret që u zbulua vonë, përbën një nga historitë më të rralla të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Ai u varros në Valias të Tiranës dhe është dekoruar me urdhrin më të lartë britanik për heroizëm. Po ashtu, në Shqipëri humbi jetën në mënyrë të mistershme edhe drejtuesi tjetër i misionit britanik, Filip Lik, në fundin e Majit 1944. Në Operacionin e Dimrit, lëvizja partizane pothuaj u shua, siç pranon edhe vetë Hoxha në letërkëmbimet e tij. Në pranverën e vitit 1944, lëvizja partizane filloi të gjallërohet sërish, falë ndihmave ushtarake të britanikëve. Tonelatat e armëve dhe ndihmave britanike rivitalizuan lëvizjen komuniste, e cila me mbijetesën pas operacionit të Qershorit 1944, nisi të hidhet të veri. Bashkë me tërheqjen e gjermanëve mori edhe kontrollin e vendit.

DEBATI BRITANIK PËR NDIHMË NDAJ KOMUNISTËVE

Në përfundim të luftës, në Tetor 1944, siç dokumentohet në këtë botim, ngjizet edhe politika britanike ndaj Shqipërisë. Vetë Çurçilli kundërshtoi njohjen e plotë të komunistëve dhe shpresoi se ata do të rrëzoheshin shpejt nga pushteti. Britanikët nuk e njohën kurrë qeverinë e Enver Hoxhës, por pas luftës, nisi një debat i fortë mes dhjetëra oficerëve që luftuan në Shqipëri, të cilët akuzonin njëritjetrin për ndihmën e pakursyer ndaj komunistëve, duke lënë në baltë nacionalistët.

Debatet se një pjesë e tyre, veçanërisht ata që ndodheshin prapa tavolinës së vendimarrjes së ndihmave në komandën aleate në Kajro apo në Bari, ishin vërtetë serioze dhe ngritën dyshimin se britanikët me bindje komuniste sabotuan nacionalistët. Gjithsesi, politika britanike gjatë luftës ishte e thjeshtë ndaj Shqipërisë; ndihma ushtarake kush luftonte kundër gjermanëve. Falë kësaj politike përfituan komunistët, të cilët me forcën ushtarake garantuan pushtetin.

Për britanikët, kjo politikë ishte afatshkurtër duke pretenduar se, pas lufte influenca e tyre nuk do cenohej, por nuk llogaritën Perden e Hekurt. Pas vetos mbi Greqinë dhe marrjes së garancisë për një Jugosllavi neutrale, britanikët nuk guxuan më shumë për Shqipërinë. Gjatë luftës, Çurçilli deklaroi në Parlamentin e Britanisë se do ketë një shtet shqiptar, por që çështja e kufijve do rishikohet në Konferencën e Paqes pas lufte.

Ky qëndrim i paqartë i britanikëve dhe mjaft dyshues ndaj synimeve të hapura të fqinjëve të Shqipërisë, ndikoi fort që shumë nacionalistë dhe themelues të shtetit shqiptar të binin në grackën gjermane. Nga ana tjetër, komunistët e zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie, kishin synim vetëm marrjen e pushtetit, dhe ia dolën. Shqipëria mbijetoi me kufijtë e 1939-s, falë rastësisë dhe ngjarjeve që morën rrjedhë me nisjen e Luftës së Ftohtë.

HISTORIA E MISIONARËVE BRITANIKË

Veprimtaria e oficerëve britanikë në Shqipëri gjatë luftës është një histori e rrallë. Në Shqipëri jetoi dhe punoi për një vit në Dukat të Vlorës Antoni Kuell. Pas luftës, ai do të kthehej në një nga aktorët më të njohur të Hollivudit dhe shqiptarët e njohin kryesisht për rolin e tij në filmin “Lorenci i Arabisë”. Kujtimet e tij mbi aventurën shqiptare janë ende të papërkthyera në shqip. Por, të botuara në vitin 1948, ku ai jepte edhe të dhëna dhe emra mbi aktivitetin në Dukat, u kthye në një persekutim të mjaft prej familjeve shqiptare që u përmendën në atë botim.

Alan Hare, ende pa mbushur 25 vjeç, luftoi dhe punoi 1 vit në Shqipëri, përkrah Brigadierit Dejvis. Në kushte të vështira, ai rrezikoi jetën disa herë dhe kujtonte që u detyrua të vriste mushkën për të ushqyer grupin e luftëtarëve gjatë dimrit të egër 1943-1944. Alan Hare do kthehej në një drejtuesit më të njohur të shërbimeve sekrete britanike MI6 pas lufte. Në vitet ’60, ai do shkëputej prej tyre, për të nisur një karrierë si një ndër manaxherët më të njohur në botë në fushën e medias.

Ai drejtoi për shumë vite gazetën “Financial Times”, “The Economist” dhe shtëpinë botuese nga më cilësore në botë, “Pearson Longman” Ltd. Bill Tillman, eksploratori më i madh i shekullit të kaluar punoi dhe jetoi një vit në malet e jugut të Shqipërisë, kryesisht në fshatin Sheper të Gjirokastrës. Sot shkolla e fshatit mban emrin e tij. Julian Amery qëndroi për disa muaj në shtabin e Abaz Kupit në vitin 1944.

Pas luftës do të zgjidhej shumë herë deputetët, u zgjodh ministër në kabinetet e konservatorëve, si dhe u martua me vajzën e kryeministrit britanik, Harold Makmilan. I suksesshëm në politikë ishte edhe Billi Meklein, i cili u zgjodh në Parlamentin e Britanisë disa herë. Alan Palmer do të ishte tepër i sukseshëm në biznes. Reginald Hibert do të ishte i suksshëm në politikë të jashtme, duke u emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Paris. Hibert ishte ndër të paktët që besonte se politika britanike ishte e drejtë gjatë luftës.

Disa prej tyre krijuan një lidhje të fortë me Shqipërinë, e në veçanti Dejvid Smajli. Ai, së bashku me Julian Amery apo Alan Hare ishin organizatorët e stërvitjes së shqiptarëve në Maltë që u parashutuan në Shqipëri pas vitit 1949 për të rrëzuar Hoxhën. Nuk ia dolën dot.

Gjithnjë, Shqipëria për ta ishte një peng i madh, që bashkë e cilësonin si “Tradhtia e Madhe”, kjo për shkak se pjesë e kësaj loje ishte edhe spiuni më i madh i shekullit, Kim Filbi, që i ra për pjesë edhe Shqipërisë. Smajli, Amery dhe Hare erdhën së bashku në vitin 1991 në Shqipëri, e më pas disa herë të tjera përgjatë viteve ’90.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura