Dalin rezultatet e testit, 12% e mësuesve të paaftë

Mar 19, 2016 | 10:03
SHPËRNDAJE

Dy muaj pas testimit, Ministria e Arsimit ka publikuar rezultatet për 17 mijë e 613 mësues e drejtues shkollash në rrethe. Pjesa dërrmuese kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme, ndërsa vetëm çereku i mësuesve mund të thuhet se janë të plotësuar. Ndërsa 12% e totalit kanë nevoja të domosdoshme për përmirësim.

Provimi i mësuesisë, dhjetor 2014
Provimi i mësuesisë, dhjetor 2014

Të dhënat u prezantuan dje nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, ku e pranishme ishte edhe ministrja, e cila foli për risi që do të prekin drejtuesit e shkollave. Duke iu referuar projektit që ende nuk është konkretizuar, ajo foli për rëndësinë e krijimit të shkollës së drejtorëve, duke vënë në dukje se do të ketë një diplomë për të gjithë drejtuesit që duan të kenë këtë post në shkolla, përfshirë dhe ata që aktualisht janë në sistem.

Sipas raportit me rezultatet e mësuesve, zhvillimi profesional e planifikimi i një ore mësimi janë fushat ku më- suesit shfaqin mangësi të theksuara. Etika e komunikimi është fusha ku ata paraqiten më mirë, ndonëse rezultatet janë ende larg pikëve maksimale e vlerave që duhet të demonstrojë mësuesi në shkollë në marrëdhënie me nxënës, prindër e kolegë. Analiza e të dhënave ka përmbysur idenë se shkollat e fshatrave janë më të prapambetura.

Përkundrazi, mësuesit e shkollave të fshatit kanë marrë më shumë pikë në test se ato në qytet. Drejtoritë arsimore me rezultate më të larta janë Berati e Shkodra, ndërsa të fundit në listë qëndrojnë Dibra e Vlora. Bazuar në profilin e lëndës, mësuesit e gjuhës së huaj, gjuhës shqipe, matematikës e biokimisë kanë marrë rezultate të larta.

Më të dobëtit janë profilet lëndore të shkollave social-kulturore, pasuar nga arsimi profesional dhe ai parashkollor. Vjetërsia në punë dhe kualifikimi duket se nuk ndikojnë në dijet e më- suesve. Në testimin e ministrisë rezultuan më mirë mësuesit me përvojë pune 5-20 vite. Po ashtu, rezultatet treguan se nuk ka lidhje mes kategorisë së kualifikimit dhe vlerësimit të mësuesve.

Të gjitha të dhënat e përpunuara për secilën shkollë do të shërbejnë për vijimin e trajnimeve të dedikuara për çdo mësues, në fushat ku ai rezulton të ketë mangësi. Debati shkencor për skemën e re të zhvillimit profesional të mësuesve do të vijojë javën që vjen, në konferencën e parë ndërkombëtare mbi zhvillimin profesional.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura