Dalin rezultatet e provimit për shtesën në pagë, çfarë ndodh me mësuesit mbetës. Ritestim i detyruar në sezonin pasardhës e pezullim nga puna nëse…

Aug 10, 2020 | 14:56
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Çdo vit bëhet gjithnjë e më e vështirë të jesh mësues dhe të mbash vendin e punës, nëse e ke një të tillë. Pas filtrave të provimit për licencimin, “Mësues për Shqipërinë” që ndërmjetëson punësimin, mësuesit që kanë minimalisht pesë vite punë duhet t’i nënshtrohen provimit për kualifikim e shtesë në pagë.

testimi-mesues-548x365

Një udhëzim i beftë, i miratuar në heshtje sapo pandemia mbërtheu vendin, penalizon mësuesit që nuk marrin dot gjysmën e pikëve për t’u konsideruar kalues. Nga pafundësia e herëve për t’u futur në testim përgjatë viteve të kaluara, nga ky vit mësuesit mbetës kanë vetëm një shans për t’u ritestuar. Moskalimi me sukses iu kushton shumë: vendin e punës.

UDHËZIMI I RI

Të gjithë mësuesit që futen në provimin për shtesë në pagë, nga ky vit e tutje duhet të përgatiten mirë, pasi jo vetëm që nuk përfitojnë rritje rroge e as kualifikim, por rrezikojnë të humbasin edhe atë që kanë, punën. Në harkun kohor të shtatë viteve, që prej vitit 2014 kur u fut provimi për kualifikimin e mësuesve, është vënë dorë tri herë mbi udhëzimin.

Së fundmi, ekspertët e ministrisë kanë gjykuar që mësuesit ngelës në provim të mos e kalojnë një gjë të tillë pa penalitete.

Mësuesit që nuk morën pikët e duhura këtë herë, sipas udhëzimit, janë të detyruar të rifuten në sezonin pasardhës për t’u testuar dhe jo atëherë kur ata mund të ndihen gati për ta dhënë. E në rast se nuk e marrin edhe vitin që vjen,(ose dhe thjesht nuk paraqiten për çfarëdolloj arsyeje) automatikisht atyre iu ndërpriten marrëdhëniet financiare me shkollën dhe vendi i tyre shpallet i lirë. Udhëzimi nënvizon se një gjë e tillë ndodh përkohësisht, duke mos ia kufizuar mundësitë e ritestimit mësuesit deri në momentin që shpallet kalues, por nuk përcakton nëse ai mund të rikthehet në vendin që kishte pasi të marrë rezultat pozitiv. Një gjë e tillë ka shqetësuar së tepërmi arsimtarët dhe sindikatat, të cilat janë thirrur në tryeza diskutimi përpara se të firmosin udhëzimin, por mendimi i tyre rezulton të mos jetë marrë në konsideratë.

udhezimi

REZULTATET E PROVIMIT

Dy javë pas provimit, mësuesit janë njohur këto ditë nga Zyrat Vendore Arsimore me rezultatin. Ata dinë pikët që kanë, por jo nëse e kanë kaluar me sukses këtë filtër. Rregullorja kërkon 50 pikë për t’u quajtur kalues, nga 100 të mundshmet. Por, mësuesit duhet ta dinë që mund të vlerësohen me aq pikë e madje edhe më shumë dhe në fund të rezultojnë ngelës. Nga dy pjesë që përbëhet testi (përmbajtja shkencore e lëndës që jep mësuesi dhe fusha e dokumentacionit shkollor) nevojitet një numër i konsiderueshëm pikësh në të dyja, në mënyrë që provimi të quhet i kaluar me sukses. Thënë ndryshe, nuk mjafton të jesh një mësues i shkëlqyer në lëndën që zotëron dhe të mos dish aspektet teknike të mësuesisë, ku përfshihen dokumentet zyrtare dhe metodologjia e mësimdhënies. Nga eksperienca e viteve të kaluara, janë të shumtë mësuesit që çalojnë pikërisht në këtë pikë. Të mos harrojmë që një pjesë të konsiderueshme në vlerësimin final e kanë edhe pikët e dosjes.

SHTESA PËR KALUESIT

Ekspertët që kanë ndryshuar udhëzimin e provimit për kualifikim nuk kanë sjellë asgjë të re mbi efektet financiare për kaluesit. Shtesa është po ajo: 5, 10 dhe 20 për qind.

Edhe përllogaritja do të vijojë të bëhet mbi një udhëzim të vjetër, mbi pagën bazë që është 14 mijë, dhe jo atë neto të mësuesve. Rreth 25 vite më parë, me vendimin nr. 537 të datës 26.09.1994, përcaktohet edhe sot e kësaj dite rritja që përfitojnë mësuesit në rast se rezultojnë kalues në provimin e kualifikimit. Konkretisht, një “Mësues i kualifikuar” (kategoria e tretë) me minimalisht pesë vite përvojë përllogaritet të ketë në llogarinë e tij 700 lekë më shumë, një “Mësues specialist” (kategoria e dytë) me dhjetë vite punë, afro 1400 lekë, ndërsa “Mësuesi mjeshtër” (kategoria e parë) me mbi 20 vite përvojë në arsim përfiton 2800 lekë mbi pagën me të cilën trajtohet aktualisht.

Zakonisht, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare priten ankimet dhe bëhet shqyrtimi i tyre (procedura sipas udhëzimit pasqyruar në tabelën bashkëngjitur shkrimit). Vetëm pasi të kalojë kjo procedurë, të dhënat e mësuesve shkojnë në Ministrinë e Arsimit. Departamenti i Burimeve Njerëzore u dërgon shkresë Njësive të Vetëqeverisjes Vendore me rezultatet e kualifikimit të mësuesve dhe shtesën që përfiton secili prej tyre. Duke qenë se kjo procedurë kërkon së paku dy javë kohë, përllogaritet që efekti financiar për mësuesit të nisë në muajin shtator.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura