Dalin përgjimet, si i falsifikoi “Del Pjero” 2 pasaporta për në Poloni

Aug 4, 2015 | 20:43
SHPËRNDAJE

Zbardhen kodet që përdorte grupi i falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit që u arrestua pak ditë më parë në Tiranë.

Personazhi kryesor i këtij grupi mësohet se ka qenë shtetasi Pjerin Brahimaj, i njohur edhe me emrin “Del Pjero”, siç e thërrisnin bashkëpunëtorët e tij në kryerjen e falsifikimeve të dokumenteve. Më datë 31 korrik 2015, policia zbatoi urdhrat e Prokurorisë për arrestimin e shtetasve Keldi Beshi, 45 vjeç, i dënuar më parë, Pjerin Brahimaj 25 vjeç dhe Jupiter Brahimaj 55 vjeç.

Te arrestuarit e operacionit 'Diva'
Te arrestuarit e operacionit ‘Diva’
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj tyre masën “arrest me burg” për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” në bashkëpunim, “falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave” në bashkëpunim dhe “falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” në bashkëpunim.

Mësohet se në momentin e arrestimit, shtetasi Pjerin Brahimaj është kapur në flagrancë teksa po prodhonte dy pasaporta të falsifikuara të porositura nga “klientë” të tij. Të arrestuarit mendohet se kryenin aktivitetin e falsifikimit të dokumenteve prej një viti.

Sipas përgjimeve të kryera gjatë hetimeve paraprake, rezulton se personat e tjerë të arrestuar krijonin kontaktet me shtetasit e interesuar për pasaporta të huaja. Më pas, porosia i dërgohej shtetasit Pjerin Brahimaj, i njohur edhe si “Del Pjero”. Atij i jepeshin fotot dhe të dhënat e personit që do ta përdorte pasaportën false.

PËRGJIMET
Në një rast, një nga të arrestuarit telefonon “Del Pjeron” dhe i thotë: “Më duhen dy bileta për Poloni, më prit dy bileta për Poloni e më thuaj sa bëjnë”. Sipas hetimit të Prokurorisë me metoda speciale, fjala ka qenë për pasaporta polake të cilat janë prodhuar nga Pjerin Brahimaj dhe janë shitur për 400 euro copa. Më pas, në vazhdim të aktivitetit kriminal të dokumentuar nga hetimi, i akuzuari ka marrë porosi për falsifikimin e dy pasaportave bullgare për të cilat ka thënë se çmimi është 600 euro për copë.

Prokuroria e Tiranës, e cila ka më se nëntë muaj që ka nisur hetimet, ka arritur të dokumentojë raste kur të arrestuarit kanë marrë porosi për pasaporta të Republikës së Kosovës. Në këtë rast, çmimi që kërkohej ishte dukshëm më i ulët, ndërsa falsifikimi realizohej edhe brenda ditës. Teksa kryente falsifikimet e pasaportave, njëri nga anëtarët e grupit kriminal është regjistruar të pyeste porositësin e dokumentit se “sa gjigant” ishte për t’i marrë të dhënat e gjatësisë.

Të arrestuarit akuzohen se kanë falsifikuar edhe “garanci” apo “ftesa” që presupozohej se lëshoheshin nga shtetas me qëndrim në Itali për qytetarë nga Shqipëria që do të udhëtonin në këtë vend. Këto prova të Prokurorisë së Tiranës janë vlerësuar nga gjykata, e cila ka konfirmuar të dielën masat e sigurisë të vendosura ndaj të arrestuarve për falsifikim dokumentesh. Pjesë e grupit kanë qenë edhe Franc Borova, 63 vjeç, i arrestuar më 29.04.2015 dhe Haki Tarja, 47 vjeç, arrestuar me datën 26.05.2015.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura