Dalin ‘notat’/ Si e kaloi vetingun Arta Marku, kryeprokurorja mori… ‘pranueshëm’

Aug 18, 2018 | 16:53
SHPËRNDAJE

BIRN/ Kontrolli i pasurisë është një ndër tri kriteret kyçe të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë. Megjithatë, ky kriter është testuar si më efikasi në praktikën e deritanishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke rrëzuar shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga sistemi.

Arta-Marku1-583x400

Një analizë e vendimeve të arsyetuara të KPKsë tregon megjithatë se vendimet e shkarkimit përmbajnë shkelje në të paktën dy prej pikave të nenit 61 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar…”. “Deklarimi i pamjaftueshëm” ka penalizuar të tetë gjyqtarët dhe prokurorët, për të cilët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar vendimet e arsyetuara në faqen e vet zyrtare.

Në shumicë, subjektet e vetingut janë ndëshkuar edhe për “cenim të besimit të publikut te drejtësia”, ndërsa një numër më i vogël kanë rezultuar me pasuri sa dyfishi i asaj që mund të argumentonin ligjërisht. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vlerësime edhe për zyrtarët që i mbijetuan procesit. Për 3 nga 12 gjykatësit e prokurorët e konfirmuar, KPK-ja ka dhënë vlerësim minimal të aftësive profesionale, në katër raste vlerësimi ka qenë maksimal, ndërsa në rastet e tjera subjekti është cilësuar “i pranueshëm” apo “i mjaftueshëm”.

Procesi i vetingut apo i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve në vend filloi në muajin mars të këtij viti me seancat dëgjimore për 57 subjektet e listës prioritare, përfshi kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë dhe anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas 48 seancash dëgjimore, deri në fillim të gushtit janë shkarkuar 27 gjyqtarë dhe prokurorë dhe janë rikonfirmuar në detyrë 21 subjekte.

Megjithatë, një pjesë e mirë e vendimeve të shkarkimit janë apeluar nga gjykatësit dhe prokurorët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Po ashtu, edhe disa prej konfirmimeve nga KPK-ja janë apeluar nga Komisioneri Publik edhe me këmbënguljen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përfshi këtu edhe konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Deri tani, KPA-ja ka marrë dy vendime në dhomë këshillimi pa i dërguar çështjet në seancë gjyqësore, duke i dhënë formë të prerë shkarkimit të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, dhe ish-anëtarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva.

ARSYET PAS SHKARKIMEVE

Procesi mbështetet në ndryshimet kushtetuese të verës së vitit 2016 dhe ligjit nr. 84/2016 për “Rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”, i cili parashikon në nenin 61 se shkarkimi vendoset për pesë arsye që përfshijnë: deklarimin e më shumë se dyfishin e pasurisë që mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, kontaktet me krimin e organizuar apo kontaktet e papërshtatshme, deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, paaftësinë dhe në pikën e pestë “cenimin e besimit të publikut te drejtësia”.

BIRN gjeti pas një analize të vendimeve të zbardhura, se në të gjitha rastet kur është aplikuar shkarkimi, gjykatësit dhe prokurorët e shkarkuar kishin bërë të paktën deklarim të pamjaftueshëm “për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë”, sipas pikës 3 të nenit 61, të ligjit 84 për “Rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”. Ndërkohë, në tri raste në vendimet e zbardhura, KPK-ja thotë se veç shkeljes së pikës tre, është provuar se ishte “cenuar besimi i publikut te drejtësia”.

Këtu përfshiheshin anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, gjykatësi Besim Trezhnjeva dhe prokurori Gentian Trenova. Në 2 raste, përfshi ishanëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe prokuroren Besa Nikëhasani, shkarkimi është dhënë për mospërmbushje të pikës 3 dhe po ashtu pikës një të ligjit, ndërsa KPK-ja ka arsyetuar se pasuria e deklaruar prej tyre ishte më shumë se dyfishi i pasurisë që mund të justifikohej nga të ardhurat e ligjshme. Në dy nga 7 shkarkimet, subjektet janë konsideruar shkelës të vetëm njërës prej 5 pikave. Sipas vendimeve të zbardhura, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, dhe prokurori i Apelit, Luan Kaloçi, nuk kishin bërë “deklarim të mjaftueshëm” për kriterin e pasurisë. Ndërkohë, në rastin e prokurorit Gentian Trenova, KPK-ja thotë se shkarkimi është bërë bazuar në tri pika të ligjit për rivlerësimin. Trenova, sipas treshes së KPK-së që shqyrtoi çështjen e tij, kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm, ka cenuar besimin e publikut te drejtësia dhe është cilësuar i paaftë profesionalisht.

VLERËSIMI I PROFESIONALIZMIT

Profesionalizmi sidoqoftë është shqyrtuar gjerësisht në rastet kur gjykatësit dhe prokurorët kanë marrë konfirmimin, ku shumica e “kaluesve” janë vlerësuar nga KPK-ja me cilësimet “aftësi minimale, aftësi të mjaftueshme dhe aftësi të pranueshme”. Ndërkohë në një rast, relatori i cili bën edhe vlerësimin profesional, është shprehur se “Nuk kishte dyshim për aftësitë”. Ligji për rivlerësimin ka parashikuar në fakt tri shkallë për kriterin e aftësisë profesionale: “I aftë, me mangësi dhe i papërshtatshëm”.

Nga vendimet e zbardhura deri tani, BIRN-i gjeti se në të gjitha rastet e konfirmimit në detyrë KPK-ja i ka cilësuar gjykatësit apo prokurorët të aftë, duke aplikuar vetë pikën e parë të nenit 44, të ligjit për rivlerësimin dhe megjithëse ka shprehur rezerva në disa raste, duke i cilësuar aftësitë minimale, nuk ka aplikuar deri tani të drejtën për të rekomanduar program trajnimi pranë Shkollës së Magjistraturës. Në një nga këto raste, KPK-ja gjeti siç thuhet në vendimin e zbardhur për gjyqtaren Alma Brati, vendime të cilave u mungonte qartësia apo ishin shkruar me gabime drejtshkrimore.

Me vlerësim minimal kaloi procesin edhe gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj, por në këtë rast KPK-ja gjeti si problem vonesat në zbardhjen e vendimeve. Ndërkohë, me notën “pranueshëm” në aftësitë profesionale u vlerësua Kryeprokurorja Arta Marku dhe prokurorja Anila Leka. Në vlerësimin profesional të Markut, KPK-ja tha se gjeti “mangësi formale”, por nuk i cilësoi këto si “shkarkuese”.

Në disa raste të tjera, përfshi atë të Gjykatëses Kushtetuese, Vitore Tushe, KPK-ja nuk ka bërë cilësim të veçantë të aftësive, por ka theksuar se subjekti arrinte “nivel të besueshëm”. Më mirë në vlerësimin profesional kanë rezultuar kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, dhe gjyqtarja Marçela Shehu.

Të katërt, sipas KPKsë, kanë treguar profesionalizëm të lartë. Megjithatë, Dedja dhe Islamaj nuk e kanë mbyllur procesin, pasi vendimet për konfirmimin e tyre janë ankimuar tashmë nga Komisioneri Publik dhe pritet të shqyrtohen edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura