Dalin emrat/ Rrëfimi për vrasjen makabre brenda institucionit më të lartë të sigurisë,

Sep 4, 2018 | 13:36
SHPËRNDAJE

Ndonëse është institucioni më i lartë i sigurisë në vend, brenda objektit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës sot ndodhi një vrasje. Pjesëtari i sigurimit në AKI-i, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit në bufenë e AKI-së, Isa Sejdiut duke e lënë pa shenja jete këtë të fundit. Viktima ndërroi jetë në QKUK pasi nuk arriti t’u rezistojë plagëve të marra. Ndërkohë që në AKI, kanë deklaruar se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e saj, shkruan Gazeta Express.

1

Isa Sejdiu nisi punën sikurse çdo ditë tjetër në bufenë e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës. Por, sot ai nuk arriti që ta përfundonte orarin e punës.

37 vjeçari nga Vushtrria mbeti pa shenja jete mëngjesin e së martës, ngase punëtori i sigurimit të brendshëm në AKI, gjuajti me armë drej tij.

E gjithë ngjarja ndodhi brenda objektit të AKI-së, institucioni ky me sigurinë më të lartë në vend, e që është përgjegjëse edhe për sigurinë nëpër institucionet e tjera, shkruan Express.

Në këtë institucion mohojnë që rasti të ketë pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Por, e konfirmojnë se mbi viktimën shtiu një zyrtar i sigurimit të brendshëm.

Gjersa, thonë se me hetimin e këtij rasti po merret prokurori kompetent.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave nga AKI.

Për vrasjen që ka ndodhur sot brenda ndërtesës së Agjencisë së Inteligjencës Kosovare, motivet e të cilës ende nuk dihen, kanë folur edhe nga Qendra Klinike Universitare.

“Po përkundër përpjekjeve të mjekëve të shërbimit emergjent nga plagët e rënda që ka pasur nuk ka arritur të mbijetoj dhe ka vdekur. Personi i vdekur është i moshës mesatare”, ka thënë Shpend Fazliu për Gazetën Express.

E ndërkohë nga Prokuroria e Shtetit zyrtarisht deklarojnë se vrasja ka ndodhur në bufenë e AKI-së, si institucioni më i lartë i sigurisë në vend.

Si rrjedhojë e kësaj nga prokuroria thonë se po e kanë të vështirë edhe ti çasen hetimeve brenda këtij institucioni.

“Ky rast ka ndodhur në AKI. Është vrarë një person. Jemi duke hetuar rastin, por meqë është në AKI, situate është më e vështirë për t’u çasur”, ka thënë Ibrahim Berisha zv.kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për Gazetën Express.

Ndërsa,detaje të tjera rreth këtij rasti ka dhënë edhe Prokuroria e rastit. Ndërkohë që këta të fundit ende nuk po i dijnë motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Jemi ende në fazën preliminare të hetimeve. Ende nuk mund të japim detaje. Ne kemi qenë në vendin e ngjarjes. Viktima është i gjinisë mashkullorë. Ai është Isa Sejdiu i lindur në vitin 1978”, ka thënë ajo për Express.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke trajtuar rastin e trupit të pajetë i cili i vra mëngjesin e kësaj të marte në ndërtesën e AKI-së.

Ndërkohë përpos hetuesve të cilët kanë arritur në QKUK, aty po qëndrojnë edhe familjarë të shumtë, të cilët janë parë të shokuar.

Express do të ju mbajë të informuar rreth këtij rasti gjatë tërë ditës./Gazeta Express

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura