Dalin emrat e ekipit të Veliajt, Mazniku, Paskali dhe Seferi i FRD-së nënkryetarë të Bashkisë

Jul 29, 2015 | 8:45
SHPËRNDAJE

Të enjten në orën 10:00 kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nis zyrtarisht detyrën e tij. Mbledhja e konstituimit të Këshillit Bashkiak do të konfirmojë Veliajn në krye të kësaj bashkie, përmes betimit e më pas do të vijohet me zgjedhjet e drejtuesve të Këshillit Bashkiak. Mësohet se Bashkia e Tiranës do të funksionojë me tre nënkryetarë, ku do të përfaqësohen tre nga partitë e koalicionit fitues në zgjedhjet e 21 qershorit.

VELIAJ2

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë publik dje emrin e Brunilda Paskalit si një nga nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës, aktualisht zv.ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Deri para pak ditësh përflitej se nga LSI nënkryetare e Bashkisë së Tiranës do të ishte ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, lëvizja e së cilës nga kjo ministri do të shoqërohej me një rikompozim të kabinetit qeveritar.

Duket se nuk do të kemi ndryshime të ministrave, ndërkohë që edhe Fryma e Re Demokratike, aleati më i ri i PS-së në këto zgjedhje do të ketë Andi Seferin në postin e nënkryetarit të Bashkisë.

Arbër Mazniku mbetet njeriu më potencial për të qenë në krah të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, si nënkryetar, ndërkohë që ai aktualisht vazhdon detyrën e zv.ministrit të Arsimit. Mësohet se ka qenë një këmbëngulje e Kryeministrit Rama që Mazniku të qëndrojë në Ministrinë e Arsimit, si personi që është marrë gjatë me reformën në arsimin e lartë, por duket se Kryeministri ka rënë dakord me propozimin e Veliajt që Mazniku të emërohet në Bashki.

Pritet që sot pasdite dilemat për emrat që do të marrin pozicione drejtuese të marrin fund, pasi Veliaj ka lajmëruar për një mbledhje të këshilltarëve socialistë në selinë e Partisë Socialiste.

Edhe për drejtimin e Këshillit Bashkiak, ende nuk ka një vendim. Aldrin Dalipi dhe Elisa Spiropali janë dy emrat kandidatë për të drejtuar këshillin tani që e majta ka shumicën. Dalipi drejtoi Këshillin Bashkiak dy vitet e fundit, pasi e majta erdhi në pushtet dhe shumica ndryshoi dhe në këtë këshill.

Por drejtimi i Dalipit në këto dy vite ka rezultuar dhe me vendime konsensuale. Mësohet se një post të nënkryetarit të Këshillit Bashkiak e ka marrë PDIU-ja, që do të përfaqësohet nga Vjollca Braho. Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të nisë të enjten në orën 10:00 me zgjedhjen e Komisionit të Mandateve, që do të hartojë një raport që më pas do të shqyrtohet për miratim nga këshilli. Pas kësaj do të vijohet me betimin e këshilltarëve të rinj, të cilët do të zgjedhin kreun e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetarin e këtij këshilli.

Menjëherë pas kësaj do të vijohet me shpalljen së vlefshmërisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, betimin e tij dhe në fund zgjedhja e anëtarëve që do të përfaqësojnë Këshillin Bashkiak në Këshillin e Qarkut të Tiranës.

NGA ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura