Dajë e nip të zhdukur prej 7 ditësh, Saimira tregon bisedën e fundit: Im shoq doli të takonte një shok, pastaj…

SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj, dajë dhe nip, prej datës 23 gusht janë denoncuar nga familjarët si të zhdukur. 56-vjeçari Hysaj, banues në Postribë, dhe 47-vjeçari Mollaj, banues në Dobraç, janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

gezim hysaj panorama

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes së kaluar, tregojnë familjarët. Ata kanë dalë nga banesat e tyre, për të takuar secili nga një person të paidentifikuar për familjarët dhe nuk janë kthyer më. Të dyja familjet kanë bërë denoncim në Polici që atë natë, ndërsa ende nuk kanë asnjë informacion se çfarë mund të ketë ndodhur me dy kryefamiljarët.

Policia është vënë në kërkim, por deri tani nuk kanë rënë në gjurmët e dy shtetasve dajë dhe nip. Bashkëshortja e Gëzim Hysaj, Saimira Hysaj, dhe bashkëshortja e Agron Mollaj, Merita Mollaj, kanë rrëfyer sesi janë larguar këta dy persona nga banesat me 23 gusht dhe sesi pas një ore telefoni i Gëzimit ka dalë i fikur, ndërsa Agron Mollaj nuk e kishte fare telefonin me vete dhe që atëherë nuk ka asnjë ide se ku ndodhen këta dy shtetas.

Saimira dhe Merita kanë një apel për të gjithë dhe kërkojnë që Policia të gjejë bashkëshortët ose të gjithë ata që kanë informacione t’i ndihmojnë. Gëzim Hysaj është baba i katër fëmijëve, ndërsa është një punëtor i thjeshtë në bujqësi dhe në një punishte ari dhe sermi në Shkodër.

Nipi i tij, Agron Mollaj, është baba i tre fëmijëve, ndërsa punonte me një servis motorësh te shtëpia e tij. Kjo ngjarje, për mënyrën sesi ka ndodhur, ngjan si kriminale edhe pse dy familjet dhe Policia deri më tani nuk kanë asnjë një pistë hetimi dhe gjithçka është mister.

Bashkëshortja e Gëzim Hysajt, Saimira, tregon se, 56- vjeçari i kishte thënë se do të takonte një shok për kafe, ndërsa kur e ka telefonuar nuk i është përgjigjur dhe më pas numri ka dalë i fikur.

Çfarë ka ndodhur me bashkëshortin tuaj?

Me datë 23, burri im ka dalë nga shtëpia për të takuar një shok. Që atëherë nuk kam asnjë të dhënë për të. I kërkojmë shtetit, Policisë, mediave dhe të gjithë njerëzve që nëse dinë diçka për vendndodhjen e tij, të na tregojnë. Prej 6 ditësh nuk dimë asgjë për të. Kemi shkuar në Polici na kanë thënë që jemi në kërkim e sipër dhe na kanë mbajtur me shpresa deri tani. 6 ditë për ne si familje janë shumë, përderisa ai nuk ka bërë as ndonjë krim, asnjë ngatërresë apo asgjë të keqe, ndaj ne duam që të gjendet.

Keni një ide se çfarë mund të ketë ndodhur, kush e ka marrë apo ku ka shkuar?

Nuk di asgjë. Vetëm di që ka dalë nga shtëpia atë natë në orën 20:20 të darkës dhe deri në orën 21:20 e ka pasur telefonin e ndezur. Më pas, që nga ajo orë, telefoni ka dalë i fikur dhe nuk kemi pasur asnjë komunikim me të dhe nuk dimë asgjë. I kam bërë një herë zile, por nuk e ka hapur telefonin. E kam marrë pas 5 minutash, por telefoni ka dalë i fikur dhe që aty nuk kemi asnjë ide dhe s’kemi asnjë kontakt. Kudo që të jetë, ne duam që ai të gjendet, kjo është e vetmja gjë që kërkojmë.

Kë shkoi për të takuar?

Më ka thënë se do të takonte një shok të tijin në Shkodër, sepse i kishte kërkuar të pinte kafe. Vetëm kaq di.

Burri juaj ka humbur bashkë me nipin e tij apo jo?

Nipi i tij ka dalë nga banesa, sipas familjarëve të tij, rreth 21:30, pra, pas një ore dhe nuk dimë gjë as për burrin dhe as për nipin. As ai nuk ka lënë një adresë të saktë, por vetëm dinë se e ka thirrur dikush për ta takuar dhe asgjë më tepër. Nuk janë në dijeni as ata dhe as ne se çfarë ka ndodhur. Kushdo që ta njohë burrin tim, i lutem që të na tregojnë se ku ndodhen.

Ka pasur ndonjë problem burri juaj, keni ndonjë dyshim pse ka ndodhur?

Nuk ka pasur asnjë problem. Unë si bashkëshorte dhe fëmijët e mi nuk jemi në dijeni të ndonjë problemi të bashkëshortit. Ka shkuar në Shkodër për të punuar si çdo familjar, për të fituar bukën e gojës dhe si gjithë njerëzit e rregullt. Nuk ka pasur asnjë konflikt me kënd apo asgjë të tillë që ne mund të mendojmë apo dyshojmë.

Çfarë punon burri juaj?

Ai ka punuar edhe këtu te shtëpia me bujqësi, por ka punuar edhe në Shkodër me një argjendar sa për të fituar bukën e gojës, në një dyqan të vogël.

Çfarë jetese keni në familjen tuaj?

As mirë, as keq, kemi një jetesë mesatare.

Sa fëmijë keni ju?

Unë kam tri vajza dhe një djalë.

Keni bërë tentativa me familjarë, të njohur apo shokë për ta gjetur?

Jo, nuk e di askush se ku ndodhet, as familjarët, as të njohurit dhe as shokët.

Ka shfaqur ndonjë shqetësim kohët e fundit, mund të jetë shfaqur i shqetësuar?

Jo, jo. Asnjëherë. Ka qenë shumë i qetë. Unë si bashkëshorte nuk e kam parë të shqetësuar. Nuk ka arsye përse ka ndodhur, por vetëm dimë që ka dalë nga shtëpia në orën 20:20 më 23 gusht dhe që atëherë nuk e dimë se ku ndodhet.

Cili është mesazhi juaj pas gjithë kësaj që ka ndodhur?

Ne i kërkojmë shtetit që të gjendet burri im sepse derisa ta gjejnë, ne nuk jemi të qetë. Sido që të jetë puna dhe çfarë do që të ketë ndodhur, ne duam që ta gjejnë.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakS*ks në det? Ja disa gjëra që duhet t’i keni parasysh
Artikulli tjetër“Krimi tregoi se godet aty ku dhemb më shumë”/ Besnik Mustafaj mesazh Ramës pas sulmit me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares

S'KA KOMENTE

Comments are closed.