Dajallarët e kombit

Dec 7, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Sigurisht që, me të lexuar titullin e kësaj rubrike, lexuesit e saj të rregullt, por edhe të çrregulltit, do të mendojnë: “Ne dimë që kombi ka baballarë, d.m.th. ata që e përfaqësojnë popullin e tij kryesisht në Kuvend, por s’kemi dëgjuar që ai të ketë edhe dajallarë, pse jo, edhe xhaxhallarë e më tej, sidomos tani që në Kuvend ka edhe zonja e zonjusha, pse jo, pra, edhe teze e halla!”

Natyrisht, u jap të drejtë, por, tani për tani, le të mbetemi pikërisht te dajallarët e kombit, sepse kam dëshirë t’u shpjegoj lexuesve në fjalë një gjë themelore, sipas mendjes sime. Një gjë që lidhet me dajallarët duke u nisur nga shprehja popullore “qofte ke daja”, ende mjaft e përdorur veçanërisht në Shqipërinë e Mesme. Fjalori i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), te fjala “dajë” e anashkalon krejtësisht shprehjen e sapopërmendur (nga frika, me shumë gjasë, se mos zemërohen gjithë dajallarët shqiptarë, të sotëm e të ardhshëm), por e ndreq këtë anashkalim te fjala “qofte” duke shpjeguar se “s’ka më qofte ke daja” do të thotë “s’mund ta gjesh më çdo gjë gati”, dhe këtë e bën pasi ka shpjeguar shprehjen “e do qofte” me fjalinë “e do gati diçka pa u lodhur vetë”.

Sot, në kontekstin socialekonomik të Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike, kur korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm pavarësisht përpjekjeve demagogjike e, njëkohësisht, qesharake të binomit Rama-Meta për ta luftuar atë, fjala “qofte”, më thoshte para ca ditës miku dhe kolegu im Françek Armadhi, po merr kuptimin e fitimit që sjell pikërisht korrupsioni. Mirëpo, gjithmonë sipas atij, ky mutacion semantik nuk bie erë të mirë sepse dëshmon që dajallarët e sotëm të kombit tonë duan t’i ndajnë vetëm midis tyre qoftet e korrupsionit, duke mos lënë asnjë thërrime për të korruptuarit tanë të vegjël që, në një mënyrë apo në një tjetër, ua kanë ndier lezetin, të paktën një herë, qofteve në fjalë.

Ndoshta këtu është rasti të hedhim sadopak dritë mbi binomin korruptues-i korruptuar dhe mbi dialektikën e tij, duke iu rikthyer dukurisë së neveritshme të shitblerjes së votave gjatë zgjedhjeve të fundit edhe parlamentare, edhe vendore në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike. Shitësit e votave kanë marrë si qokë një qofte, vlera monetare e së cilës shkonte, sipas zonave zgjedhore, le të themi mesatarisht nga 40 (në mos më pak) deri në 100 euro (në mos më shumë), kurse blerësit e tyre, d.m.th. dajallarët, erdhën në pushtet. Mirëpo, po t’i përmbahemi mençurisë dhe përvojës së popullit tonë që, prej shekujsh, s’resht së thëni se “Politika është kurvë”, i bie që blerësit e votave, pra dajallarët, të jenë kodoshët ose, me një fjalë më bashkëkohore, tutorët, të cilët shfrytëzojnë mjerimin shpirtëror të shitësve të votave, shitës që nuk meritojnë as emrin e prostitutave, shumica dërrmuese e të cilave shesin trupin nga halli, por jo shpirtin. Sidoqoftë, meqenëse sipas proverbit shqiptar “çdo e keqe s’vjen për të keqe”, Françesk Armadhi më solli lajmin e mirë se, kohët e fundit, leksiku i gjuhës sonë qenka pasuruar me një proverb lakonik, por domethënës: “Dajallarët, ustallarët”.

Së fundi, meqë dajallarët qoftet e tyre i ruajnë vetëm për vete dhe meqë qoftet më të mira bëhen me mish viçi, fjala “qofte”, dashur pa dashur, më sjell ndër mend shprehjen e lashtë popullore “s’ka më bythë viçi”, dikur mjaft e përdorur veçanërisht në Shqipërinë e Mesme, që ka të njëjtin kuptim si shprehja “s’ka më qofte ke daja”, por që, mjerisht, nuk figuron në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006);  rrjedhimisht, u propozoj autorëve të tij të nderuar ta përfshijnë sa më shpejt në veprën e tyre madhore shprehjen “s’ka më bythë viçi”, aq më tepër që numri i viçave, sidomos i viçave të palëpirë, viktima të dajallarëve, ustallarëve e kasapllarëve, sa vjen e po rritet në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura