Daja pa “dorashka”: UEFA na goditi, rivalët s’na trembin

Apr 9, 2018 | 9:30
SHPËRNDAJE

Skënderbeu kërkon ringritjen në Vlorë për të lënë pas ato dy rezultate jo pozitive në dy sfidat e fundit. Në intervistën e dhënë para takimit me Flamurtarin në transfertë, trajneri Ilir Daja e sheh problemin te dënimi i UEFA-s, që i ka goditur psikologjikisht futbollistët dhe ambientin bardhekuq, por që sipas tij situata ka ardhur duke u përmirësuar.

Daja

Daja gjithashtu ka komentuar edhe ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit, duke komentuar se objektivi i vetëm i ekipit të tij është fitorja.

Profesor, keni pësuar dy humbje në dy takime si asnjëherë më parë. Si e keni parë situatën në javën që lamë pas?

Janë dy humbje radhazi, aq sa kishim bërë gjatë gjithë kampionatit. Dy humbje në kompeticione të ndryshme dhe kjo është disi më e lehtë. Por, janë dy humbje që kanë ardhur menjëherë pas vendimit të UEFA-s, që shkaktoi jo pak probleme te të gjithë ne, duke mos na lënë të ishim më të qetë si në fillim.

Pra, mendoni se këto rezultate kanë ardhur si pasojë e gjendjes psikologjike të lojtarëve dhe jo neglizhimit të kundërshtarit?

Jo, sigurisht që jo. Nuk ka arsye neglizhimi në këtë mes. Ne kemi qenë në të tilla kushte edhe më parë, kur diferenca ishte 15 pikë para se të dilte vendimi dhe të gjithë ju e dini se çfarë kemi bërë në fushë. Por, tani gjendja psikologjike e të gjithëve nuk na le të shprehemi si duhet dhe si duam. Kjo është e gjitha.

Keni kaluar edhe një javë mbledhjesh në klub…

Të them të drejtën, nuk ka pasur ndonjë gjë krejt të veçantë, pasi kanë qenë më shumë takime pune se sa mbledhje apo diçka e tillë. Mund të them se jemi munduar të qetësojmë disi lojtarët në aspektin psikologjik, duke u dhënë atyre garanci për të tashmen dhe të ardhmen. Megjithatë, gjatë këtyre seancave që kemi zhvilluar në “Tropikal”, ekipi ka qenë i përqendruar më shumë dhe është dukur më i lirshëm. Por të shohim se si kjo qetësi psikologjike do të transmetohet edhe në fushën e lojës.

Të flasim pak për takimin e radhës. Sa e vështirë do të jetë sfida ndaj Flamurtarit?

Është ndeshja e parë e fazës së katërt të kampionatit dhe duhet të themi se kërkojmë që ta nisim mirë këtë fazë. Do të jetë një ndeshje delikate, pasi Flamurtari vjen nga një ecuri jo fort e mirë në ndeshjet e fundit dhe do të kërkojë që të bëjë maksimumin në shtëpinë e vet për ta marrë rezultat. Më shumë se sa kjo, mund të them se dy humbjet e para që vijnë si rezultat i ngarkesës psikologjike dhe kjo do të jetë një tjetër problem në këtë ndeshje që do të duhet ta kalojmë.

Ju nevojitet vetëm fitorja apo jo?

Normalisht, të thuash që një ekip si Skënderbeu kërkon rezultat tjetër, është një diçka që nuk shkon. Unë e them me bindje se Skënderbeu shkon kudo dhe kërkon të marrë maksimumin, qoftë kjo një ndeshje në shtëpi apo në transfertë. Duhet të rikthehemi te fitorja dhe do të mundohemi ta bëjmë nga kjo ndeshje.

Keni frikë se mund të rihapet kampionati, pasi fitorja e Kukësit e çoi diferencën me ekipin tuaj në 9 pikë?

Le të flasim pa dorashka. Jemi në vendin e parë dhe kemi një diferencë të mirë me ndjekësit. Në tri faza jemi përballur me secilin prej tyre nga tri herë dhe kemi dominuar duke marrë 2 fitore e 1 barazim me cilindo nga ndjekësit. Të thuash që kampionati u rihap, nuk besoj se është gjetja e duhur. Vetëm Skënderbeu s’mund ta humbasë këtë kampionat, pasi gjithçka e ka në dorën e vet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura