Daja: Kemi presion pas fitores së Kukësit, Teuta di të marrë atë që do nga një ndeshje

Oct 23, 2017 | 9:50
SHPËRNDAJE

Skënderbeu tashmë është gati për të luajtur ndeshjen e javës së shtatë të Superligës, ku do të gjejë si kundërshtar Teutën. Në transfertën delikate të Durrësit, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, kërkon nga ekipi i tij tri pikët për të mbajtur vendin e parë në renditje pas presionit të bërë nga Kukësi dy ditë më parë. Gjithsesi, Daja beson te garda e vjetër që do të dijë të menaxhojë si duhet presionin për të dalë sërish në krye të renditjes pas këtij takimi.

daja

Daja, Skënderbeu do të luajë në transfertë ndaj Teutës, çfarë përballje prisni?

Bëhet fjalë për një tjetër takim të vështirë, pasi siç po zhvillohen ndeshjet e këtij kampionati, duket që nuk ka më ekipe të thjeshta për t’u kaluar. E tillë është edhe Teuta, që ka treguar se di të zhvillojë ndeshje të mira dhe di të marrë atë që duhet të marrë nga një takim.

Si ta kuptojmë këtë?

Kur e them këtë, kam parasysh ndeshjen e luajtur ndaj Partizanit. Pavarësisht se humbën, kanë zhvilluar në përqindje të madhe një takim mjaft të mirë, duke rrezikuar që të mbyllnin ndeshjen që në pjesën e parë.

Si shkon Skënderbeu në këtë takim?

Mund të them se jemi mirë psikologjikisht, pavarësisht se kemi disa probleme nga mungesat. Duke filluar nga Radas e deri te Nespor, në majë të sulmit do të jenë pesë lojtarë, që nuk janë të gatshëm për këtë takim. Por, e rëndësishme është që pjesa tjetër e ekipit është në formë të mirë dhe gati për këtë takim.

Nga sa e keni studiuar Teutën, cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit?

Natyrisht që sikundër veprojmë me çdo ekip tjetër, kemi bërë edhe me Teutën, të cilën kemi ditë që po e studiojmë. Koha ka qenë e shkurtër, por gjithsesi kemi mundur të marrim informacionin e duhur dhe të bëjmë përgatitjet e duhura. Ekipi i Teutës ka shumë lojtarë me eksperiencë, që mund të bëjnë diferencën në çdo moment në një takim siç ka edhe anët e dobëta që preferoj t’i mbaj për vete para ndeshjes.

Në ndeshjet e fundit ju është dashur të bëni shpesh rrotacion. Është ky një problem?

Nuk do ta quaja një problem përderisa boshti i ekipit është mirë dhe gëzon një formë të kënaqshme. Do të ishte i tillë nëse do të fillonin mungesat nga boshti kryesor i ekipit. Madje, për momentin, duke u nisur edhe nga lojtarët që kemi të dubluar nëpër reparte unë nuk preferoj që ta quaj më rotacion, por është kualiteti që të detyron të bësh të tilla ndryshime.

Teuta ka qenë e vështirë për Skënderbeun, ndërsa ju keni dalë mirë. Çfarë prisni tani?

Pres një ndeshje të luftuar, ku ne do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët, si i vetmi objektiv që kemi në këtë takim. Një ndeshje i ka të tria rezultatet, por ne do të kërkojmë që të kemi vetëm fitoren si rezultat përfundimtar nga kjo ndeshje.

Kukësi fitoi, a do të thotë kjo se presioni është mbi ju?

Të them të drejtën, në momentin kur kundërshtari më i afërt fiton, atëherë rritet edhe presioni mbi ekipin tjetër. Ka një farë presioni për fitoren, por unë do të thosha se kam lojtarë me aq shumë eksperiencë, sa do të dinë të përballojnë mirë këtë presion të krijuar dhe ta kthejnë në forcë për fitore.

Soue sërish në lojë. Po sakrifikon lojtari?

Në këtë moment ndoshta mund t’i bënte mirë një pushim në një ndeshje të caktuar, por për vetë faktin se Nespor nuk është gati dhe kemi disa mungesa në lojtarët e tjerë sulmues, që janë po edhe ata të dëmtuar, atëherë është i detyruar të luajë. Megjithëse edhe vetë Soue më ka thënë se ndihet mirë dhe mund të përballojë edhe këto javë të ngjeshura.

Fakti që ka shënuar dy gola, e pengon?

Mua jo, por edhe lojtarin jo. Ai ndihet i lumtur në ekip dhe e shoh të karikuar. Për vetë faktin se ka qenë pjesë e lojës sonë sulmuese edhe kur ai nuk ka shënuar është i qetë dhe jemi të kënaqur me atë që po bën.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura