Daja i sinqertë: Alvesh s’ishte i ekipit sot, ja ku çalon ende Flamurtari. Do festoj më shpesh ditëlindjen sepse…

Oct 22, 2018 | 20:19
SHPËRNDAJE

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, në intervistën për Supersport pas ndeshjes, deklaroi:

daja

Pa shkëlqim, por fitore me vlera. Jeni i kënaqur me rezultatin, më shumë se sa me lojën?

E vërtetë, e kishim shprehur që do ishte e luftuar në mesin e fushës, dhe ndonjë episod do e vendoste. Bëmë mirë në mbrojtje, por jo aq shumë, pasi edhe Tirana ka lojtarë të mirë në ekip. Përveç lojtarëve, edhe Mema na vuri në vështirësi. Duruam, kishim nerva të forta, dhe nuk kaluam në aventurë, dhe ky tre pikësh na jep një qetësi. Në fazën e dytë, kemi më shumë ndeshje në shtëpi, duke rritur nivelin e lojës, duke afruar edhe tifozët vlonjatë, do i bëjmë gjërat më mirë.

Ndeshje e veçantë, pasi kishit ish-ndihëmsin Mema. Ju e njihnit më mirë se ai juve…

Njohja është reciproke, e njohim mirë njëri-tjetrin. Ai kishte plus, se kur ndërrohet trajneri, të gjithë tregojnë çfarë mund të japi. Secili trajner do kohën e tij të implementojë idetë e tij. Sot pamë një Tiranë ndryshe, vetëm se mungoi goli.

Taktika ndeshjen e sotme…

Problemet na vinin nga qendra, në krahun tonë të djathtë. Prandaj bëmë edhe ndërrimin e vendeve të Hysenit me Torasën. U munduam të rregullojmë në pjesën e parë, faktin që Greca na depërtonte shumë. Problem është se ende nuk po konsolidojmë manovrën sulmuese. Duhet të punojmë akoma më shumë, por nuk heq dorë, se unë nuk heq dorë. Do e provojmë idenë time deri në fund.

Strategji për të mos mbajtur topin shumë sot? E ekzagjëroj kur them se golin e shënoi lojtari më i dobët i Flamurtarit sot në fushë, Alvesh?

Ishte edhe presioni që na bëri Tirana, por edhe një filozofi e jona, të mbanim topin deri sa të gjenim zonat. Nuk funksionoi siç duhet, edhe për mesfushorët qëndrorë, edhe prej anësorëve. Alvesh ishte i shkëputur dhe nuk ishte pjesë në lojën tonë sot, jam dakord. Por, me disa zgjidhje individuale na bëri që ta mbajmë akoma më shumë në lojë sot. Alvesh ka ardhur në fund fare, bashkë me Ribajn, dhe këto të dy e kanë më të vështirë të konsolidohen.

Sa herë keni ditëlindjën, fitoni ndeshjen. Edhe te Tirana, edhe te Skënderbeu, edhe këtu. Para 2 ditësh festuat 52-vjetorin.

Do ta festoj më shpesh, do e bëj njëherë në 3 muaj ditëlindjen, që të marrim fitore kur të na duhen.(qesh)

PANORAMA SPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura