Dafina Zeqiri: Në klip kisha disa skena provokative që i hoqa, sepse paragjykohemi akoma

Mar 1, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE


Këngëtarja Dafina Zeqiri këtë vit e ka filluar me një projekt shumë të nxehtë. Edhe pse akoma është ftohtë, ajo vendosi që dimrin ta bëjë verë. Po çfarë do presim nga ajo kur temperaturat të shkojnë lart? A e ka marrë malli për intervista dhe sa kohë ka xhiruar klipin e ri, përgjigjet na i jep vetë ajo: ”Më ka marrë malli të jap intervista edhe s’e kam kuptuar që ka kaluar kaq kohë. Kam xhiruar klipin me një ekip shumë të fuqishëm për dy ditë edhe pse isha me grip. Kemi pasur edhe mjek në xhirime duke më dhënë serum. Kisha frikë se do vërehej lodhja në klip, por nuk ndodhi”, thekson Zeqiri. Para këtij projekti ajo ka pasur dy këngë me Gjikon për të cilat shprehet: ”Dy këngët e fundit në bashkëpunim me Gjikon janë bërë vetëm për qejf, nuk janë aspak komerciale. I kanë pëlqyer shumë gjithandej për shkak të zhanrit të muzikës, por e kam ditur se kënga e fundit është e përzier dhe do marrë më shumë pëlqime. E sa i përket klipit të ri që është quajtur shumë erotik, ajo thotë: ”Ka skena provokative, por jo diçka ndryshe nga ajo që keni parë, por ndoshta në pozita të tjera. Disa i kam hequr se nuk doja ta ekzagjeroja dhe, ndonëse nuk është mirë ta përmend, kur bie fjala për mentalitetin tonë paragjykohemi, ndërsa artistët e huaj nuk gjykohen as për klipet, as për asgjë. Gjithsesi, mendoj se tani e kemi thyer këtë tabu, ne jemi artistë dhe me zhanrin që bëj, përshtatet provokimi”, shton më tej Dafina, e cila e pranon se këngët e saj shumica janë personale për shkak se tekstet i shkruan vetë këngëtarja. ”Po, ka plot këngë që kam kompozuar vetë, një pjesë janë ngjarje të vërteta që kam përjetuar. Një nga të preferuarat është ‘Time out’, që e kam shumë për zemër, më pëlqen edhe mënyra si e kam kënduar. Faktikisht, dua të zbuloj një surprizë, për në verë kam një projekt që jam duke e punuar bashkë me të tjera, një nga ato është në bashkëpunim me Astrit Stafajn. Atë projekt do e bëj në gjuhën angleze dhe është një ngjarje e vërtetë. Kur i bëj tekstet vetë, shprehem për përjetimet e mia personale. Suksesi im më i madh ku unë mendoj se eca mirë në muzikë, është ‘Amazing girl’”, thotë ajo.

“Dikur i shkruaja letra dashurie komshiut”
E pyetur për anën e saj romantike dhe a ka shkruar ndonjëherë letra dashurie, ja si përgjigjet Dafina: ”Po, kam shkruar kur kam qenë 7-8 vjeç. Kur më ka pëlqyer ndonjë fqinj, i kam shkruar letër dhe ia kam çuar te dera. Ndërsa tani jo, nuk guxoj të shkruaj. Kam dashur të filloj të mbaj një ditar si një herë e një kohë se më ka marrë malli të shkruaj diçka në letër. Sot teknologjia është zhvilluar, e për të qenë diçka më e sinqertë dhe spontane, më duhet ta shkruaj. Prandaj jam në kërkim të një ditari të bukur, sepse edhe tekstet e këngëve i kam shkruar dikur në letër”. Dhe në fund prekim temën delikate të xhelozisë dhe inatit që kanë këngëtarët mes njëri-tjetrit. Si e përjeton Dafina këtë fakt: ”Po jua them shumë sinqerisht, ka shumë që ma kanë inatin, nuk e di pse. Secili veçohet në mënyrën e vet e ndoshta një zhanër duket i ngjashëm, por unë mendoj se si personazhe e karaktere jemi totalisht ndryshe, pra ka shumë xhelozi dhe është gjynah”, thekson në përfundim këngëtarja e njohur.   
[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura