Dade kundër Majkos: U bë Kryeministër se u zbatua statuti

Feb 10, 2016 | 8:00
SHPËRNDAJE

Qëndrimi i mbajtur nga ish-kryeministri Pandeli Majko në lidhje me kërkesën e deputetit të PS-së, Ben Blushi, për mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e PSsë dhe respektimin e statutit në parti, ka sjellë reagimin e deputetes socialiste Arta Dade.

Komisioni i Jashtëm
Komisioni i Jashtëm

Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, Pandeli Majko i dha të drejtë kolegut të tij Ben Blushi për pretendimet në lidhje me shkeljet e statutit, por deklaroi se mbështetja e tij ishte për Kryeministrin Edi Rama.

Pikërisht kjo batutë ka ngjallur reagimin e koleges së tij socialiste, Arta Dade, e cila i kujtoi në distancë Pandeli Majkos se në vitin 1998 u zgjodh në postin e Kryeministrit vetëm për shkak se u respektua statuti i Partisë Socialiste.

“Pandi duhet të ishte prezent në debat, se në respektim të statutit është bërë Kryeministër. Pandi është bërë Kryeministër në ’98-n për shkak të zbatimit të statutit. Meqë kryetari i partisë dhe ish-kryeministri dha dorëheqjen, në bazë të statutit, i bie radha numrit dy të partisë të bëhet Kryeministër. Dhe kështu u bë Pandi, numri dy i partisë. Ai ishte sekretar i Përgjithshëm”, deklaroi Dade.

Kërkesën për të diskutuar zhvillimet e fundit në prag të punimeve të Kongresit të PS-së e shtroi në pushimin e mbledhjes së Komisionit ish-deputeti socialist, tashmë në opozitë, Kastriot Islami.

Pavarësisht se ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kërkoi të frenojë kolegët e saj demokratë për t’u bërë pjesë e debatit për respektimin e statutit të PS-së, deputeti demokrat

Eduard Selami kishte ngelur i paqartë nga qëndrimi i mbajtur nga Pandeli Majko. “Se unë kam edhe pak vështirësi me gjuhën. Më thanë se kishte thënë që Blushi ka të drejtë, por unë jam me Ramën? Më fal, por kur ky ka të drejtë, si mund të jetë me atë tjetrin?!”, deklaroi Selami.

BATUTAT

Pavarësisht se ka qenë prezent në të gjithë debatin e zhvilluar në prezencë edhe të përfaqësuesve të opozitës, deputeti Ben Blushi nuk ka preferuar të ndërhyjë në asnjë moment.

Qëndrimin e tij ironik, Blushi e shprehu që në fillim të mbledhjes kur i kërkoi ish-socialistit Kastriot Islami të rikthehet në parti se është larguar nga partia, pa iu përmbajtur përgjegjësive.

“Kaç ti i ke ikur përgjegjësisë. Unë them t’i kthehesh partisë, se ke ikur pa u ndëshkuar”, deklaroi Blushi. Për deputetin e opozitës Kastriot Islami, rikthimi i tij në PS nuk ka sens, nëse në atë parti nuk do të ishte sërish Ben Blushi. Ndërkohë sa i takon qëndrimit të mbajtur nga ish-kryeministri Pandeli Majko, deputeti demokrat nuk nguroi ta konsiderojë një njeri të papërgjegjshëm që s’mban përgjegjësi për gjërat që thotë. Garën për kreun e PSsë, Islami e krahasoi me personazhet e Miguel Servantesit në librin e tij, Don Kishoti dhe Sanço Panço.

Sipas Islamit, Blushi në garën për kreun e PS-së është në pozitat e Don Kishotit, ndërkohë që Eduardi është në pozitat qesharake të Sanço Panços. Debati për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e PS-së në Kongresin e 19 marsit, është bërë kryefjalë e debatit politik në vend prej disa javësh, që pas kërkesës së deputetit Ben Blushi për të garuar për postin e kryetarit.

Për disa nga eksponentët e lartë të PS-së, zhvillimi i zgjedhjeve për kryetar të partisë në një kohë që Kryeministri Rama ka fituar zgjedhjet është e panevojshme. Ndërkohë që deputetja socialiste, Mimoza Hafizi, ka dalë hapur në mbështetje të tezave të kolegut të saj, Ben Blushi.

DEBATI NË KOMISION

Katriot Islami: Ikni tani, se kemi një debat për statutin.

Arta Dade: Meqë e kemi nga ju propozimin, na thoni ju. Ne e respektojmë opozitën.

Jozefina Topalli: Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme.

Kastriot Islami: Mua më pëlqen shumë Don Kishoti me Sanço Pançon. Si ishte ajo e Pandit dje?

Arta Dade: Pandi duhet të ishte prezent në debat, se në respektim të statutit është bërë Kryeministër. Mediat mua më duan kur filloj flas për këto gjëra. Se mua si kryetare të komisionit nuk më nxjerrin asnjëherë. As kur hap mbledhjen dhe as ku flas. Tani këto që po them janë shumë interesante.

Eduard Selami: Kanë të drejtë.

Arta Dade: Jo, po ju them një të vërtetë, Pandi është bërë Kryeministër në 98-n për shkak të zbatimit të statutit. Meqë kryetari i partisë dhe ish-kryeministri dha dorëheqjen, në bazë të statutit i bie radha numrit dy të partisë të bëhet Kryeministër. Dhe kështu u bë Pandi, numri dy i partisë. Ai ishte sekretar i Përgjithshëm.

Kastriot Islami: Jo, jo nuk është kështu. Mos të bëjmë barsaleta tani.

Arta Dade: Po po, në zbatim të statutit. Pandi ishte sekretari i Përgjithshëm dhe u propozua, meqë kryetari na iku, të vihet numri dy. Numri dy u bë.

Kastriot Islami: Nuk është ashtu. Se edhe Pandi është njësoj si ky. Se edhe Pandi në fillim kërkoi t’i ndante, pastaj donte t’i bashkonte. Mban mend?

Eduard Selami: Se unë kam edhe pak vështirësi me gjuhën. Më thanë se kishte thënë që Blushi ka të drejtë, por unë jam me Ramën?

Arta Dade: Po, tha që Blushi ka të drejtë për shkeljet statutore, por unë jam me Ramën.

Eduard Selami: Më fal, por kur ky ka të drejtë, si mund të jetë me atë tjetrin?!

Arta Dade: Tani ne nuk jemi në një ndeshje futbolli këtu për t’u ndarë se me cilin je? Të gjithë duhet të jemi me statutin dhe me zbatimin e statutit dhe të ligjit.

Kastriot Islami: O Eduard, është vemje ai. Ai nuk mban përgjegjësi për ato që thotë.

Arta Dade: Kjo është jashtë mbledhjes dhe ne jemi në pushim.

Vangjel Dule: Ky do të jetë lajmi kryesor nesër.

Arta Dade: Ne s’jemi në mbledhje grupi. Jemi edhe me opozitën. Po flasim gjërat reale, ashtu siç kanë ndodhur.

Kastriot Islami: Edhe pimë dhe kafen, ndërkohë këta bëjmë dhe lajmin. Blushi është Don Kishoti, Eduardi është Sanço Panço.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura