Dade i kthehet specialistes së Gjiknurit: Pse vjen me vonesë? Dokle: Fajin e ka Felaj

Mar 25, 2015 | 23:17
SHPËRNDAJE

Mungesa e përfaqësuesve politikë në prezantimin e projektligjeve ka ngjallur replika të forta në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm.

Komisioni i Jashtem

Në mbledhjen e djeshme, specialistja e Ministrisë së Energjetikës ishte e ftuar në dy komisione njëkohësisht, por ardhja me vonesë në Komisionin e Jashtëm ka ngjallur replika të forta me kryetaren Arta Dade.

Sipas saj, keqkuptime të tilla po ndodhin shpesh me Komisionin e Jashtëm dhe se për këtë çështje do të ankohej te ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Gjatë debatit me specialisten, Namik Dokle ka theksuar se përgjegjës për koordinimin e ministrive ishte ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj.

KOMISIONI I JASHTËM
Arta Dade: Më falni, pse me kaq vonesë, apo s’e kishit parashikuar?
Etleva Kondi (drejtoreshë Min. e Energjetikës): Isha në Komisionin Ekonomisë…
Arta Dade: Çfarë justifikimi është ky, komisionet s’janë njësoj? Zonjë, të kishit njoftuar më përpara dhe ne i kishim thënë ministrit që sapo kam komunikuar, që të sillte specialistë të tjerë.
Namik Dokle: Nuk është faji i saj.
Arta Dade: A e kishit konfirmuar pjesëmarrjen këtu?!
Kastriot Islami: O Arta, pse i ke kaq inat gratë…?
Ben Blushi: Nuk është faji i saj, ajo nuk është politikëbërëse.
Namik Dokle: Nuk është faji i kësaj, ka një ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin që duhet të koordinojë këto gjëra. Dhe kur ka dy komisione që kanë të njëjtin projektligj, të vijnë dy specialistë.
Ben Blushi: Nuk e ka ditur fare, s’i ka thënë njeri të vijë këtu.
Arta Dade: Këto keqkuptimet po ndodhin shpesh me Komisionin e Punëve të Jashtme… Me ministrin jam marrë me mesazhe dhe do e takoj sot dhe do t’i them.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura