CV dhe besnikëria e gjeneralit ministër

Nov 8, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKOnako

Emërimi i një gjenerali të Ushtrisë në krye të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë nuk duket si një rrufe e rënë në qiell të pastër. Ai pason dhe plotëson militarizimin e qeverisjes vendore tashmë të filluar kohë më parë nëpërmjet të emërimit në krye të 12 prefekturave të 12 kolonelëve të Ushtrisë. Një gjeneral në krye të Ministrisë dhe 12 kolonelët në krye të prefekturave nuk bën gjë tjetër veçse kompletimin me ushtarakë të institucioneve të ngarkuara me ligj për çështjet e sigurisë publike në Shqipëri.

Pas serisë së dështimeve spektakolare të drejtuesve politikë të Ministrisë së Brendshme, lidershipi aktual qeverisës duket se po kërkon që nëpërmjet imazhit folklorik të ushtarakëve që emëron, të krijojë perceptimin publik të pavarësisë së institucionit. Të paanshmërisë së tij. Të përkushtimit ndaj atdheut. Por sidomos të forcës.

Megjithatë, emërime të tilla nuk bazohen mbi themele solide ligjore, të cilat vetë politika aktuale e të gjithë krahëve në vend pretendon se i po ndërton. Nëse institucionet e sigurisë publike, pa përjashtim, do të funksiononin mbi doktrina ligjore të bazuara në ndarjen e pushtetit civil nga ai ushtarak, apo në kontrollin civil mbi përdorimin e forcës, këto emërime nuk do të kryheshin. Në thelb, ushtaraku është mësuar të ketë për detyrë të parë asgjësimin e kundërshtarit. Për të kundërshtari është armik. Kurse në fushën e sigurisë publike, kundërshtari nuk është armik. Ai nuk asgjësohet. Përkundrazi, i mbrohet edhe jeta, edhe dinjiteti. E njëjta gjë për pronën. Drejtimi i institucioneve nga njerëz me reflekse asgjësuese mund të shfaqen të rrezikshme për ta orientuar Policinë për ta pasur “këmbëzën e armës të lehtë”.

Aktualisht, Ushtria shqiptare është pjesë e NATO-s. Autoriteti i organizatës është një cilësi e vyer për t’u shfrytëzuar si sfond për përdorimin e ushtarakëve në çështje të natyrës së politikave civile të lidhura me sigurinë publike të vendit. Jo më kot lëvdohet shkalla e lartë e certifikatës së sigurisë së gjeneralit në NATO. Aq shumë i mëshohet këtij fakti, saqë të krijohet përshtypja se opozita aktuale, e cila mundësoi hyrjen e vendit në NATO, është kundër saj.

Ndërkohë, nëse do t’i referoheshim disa studimeve ushtarake perëndimore lidhur me profilin sociologjik të ushtrive të vendeve arabe pas “Pranverës Arabe”, aty citohet se ushtria tuniziane, ndryshe nga të tjerat, u shkri së bashku me rënien e regjimit. Sepse kjo ushtri i ngjasonte modelit të Ushtrisë shqiptare dhe koreano-veriore, thonë autorët. Pra, të lidhura fort me regjimin. Hyrja e Ushtrisë shqiptare në NATO pasuroi shumë ushtarakë me njohuri, certifikata sigurie, diploma, doktrina ushtarake të kohës. Kjo dihet. Por si në gjithë shtresat e tjera sociale të vendit tonë, reflekset e trashëgimisë së saj së dikurshme nuk i kanë shpëtuar tundimit të fortë të ndonjë drejtuesi të saj për të qenë palë me pushtetin. Jo si juntë për ta vënë në rrezik, por si shërbëtore e bindur. Gjenerali duket personifikimi tipik i këtij shtrati, mbi të cilin notojnë jo pak ushtarakët shqiptarë.

Gjenerali u vendos në krye të Ministrisë së Brendshme. Pa marrë dekretimin e Presidentit. Opozita e anatemoi. Si zakonisht, në të tilla raste plas debati publik. Dhe ky i fundit iu nënshtrua një zjarri të kryqëzuar me armë të të gjitha kalibrave. Te denja për emërimin e një gjenerali. Me argumente, shpesh edhe të çuditshme. Spekulative. Më kryesori ndër ta e mbështet emërimin e gjeneralit si ministër i Brendshëm bazuar në CVnë e tij shumë të pasur profesionale. Bindja në heshtje, përgjithësisht nuk shkruhet në CV.

Për gjeneralin thuhet se ka specializime të shumta në Gjermani. Ai ka formim solid gjermanik, thotë dikush tjetër. Madje, arrijnë të thonë se pas propozimit të tij është dora e gjermanëve. Citohet edhe një specializim në SHBA. Nuk ka arsye për të vënë në dyshim nivelin shumë të lartë të formimit të gjeneralit. Por duket se problemi nuk qëndron në CV-në e tij mëse të pasur. Nëse do të ishte vetëm ajo, nuk do të kishte pasur asnjë arsye që qeveria e dikurshme ta shkarkonte nga detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Të paktën në parim. Edhe Presidenti nuk do të kishte motiv për të mos e dekretuar.

As Presidenti e as qeveria e dikurshme nuk duket se janë kundër CV-ve si ajo e gjeneralit. Sepse edhe ata nuk janë as kundër NATO-s e as kundër “dorës së gjermanëve”. Madje, nuk është aspak e tepruar të thuhet se edhe vetë kryeqeveritari nuk e emëroi gjeneralin, thjesht nisur nga CV-ja e tij.

Ai gëzon besimin e plotë të Kryeministrit, siç deklaroi vetë. Si këshilltar i tij, mesa duket, gjenerali ka ndikuar edhe në militarizimin e 12 prefekturave të vendit. Tipari kryesor i militarëve është bindja.

Por, ajo që vlen të theksohet është fakti se këtë besim gjenerali e gëzoi sapo u shkarkua nga forca politike kundërshtare. Nuk është mëkat. Por në këtë kontekst, çështja e tij nuk mund të mbetet më në kufijtë e një CV-je të pasur me kurse profesionale. Këshilltar për sigurinë kombëtare në një kohë të majisur nga problemet kriminale, në një kohë kur dy ministra të Brendshëm përfunduan ashtu si përfunduan, tregon se gjenerali, minimalisht, është pjesë e gjithë atyre që kanë ndodhur. Pavarësisht se janë të tjerë ata që paguan përgjegjësitë. Tani është radha e tij.

Por edhe si ministër do ta ketë të vështirë të bëjë më shumë nga paraardhësit. Shembullin e ka të kristaltë nga kolonelët prefektë. Çfarë ndryshuan ata me emërimin e tyre në krye të prefekturave? Çfarë bënë më shumë se paraardhësit? Sepse funksionimi i institucionit të prefektit varet nga ligji që u njeh detyrat dhe detyrimet. E vetmja gjë që kanë bërë ndryshe prefektët, është vendosja e ish-oficerëve të Ushtrisë në mbajtjen e qetësisë gjatë provimeve të Maturës në shkollat e mesme të vendit.

Në këtë kontekst, konkluzioni nxirret lehtësisht kur mendon se në emërime të tilla nuk luan rol CV-ja. Ajo më tepër përdoret për të impresionuar publikun. Funksionimi i mirë i shtetit nuk varet nga profili ushtarak apo civil i drejtuesit. Profili ushtarak garanton vetëm bindje absolute. Kjo e fundit në politikën e civilëve quhet transformim në kukull.

Sepse si puna e gjeneralit, ka edhe të tjerë me formim solid gjermanik. Madje, të specializuar në fushën e sigurisë publike. Gjermania ka harxhuar paratë e taksapaguesve të saj për ta, njëlloj si për gjeneralin. Sigurisht jo të gjithë do të kenë fatin të bëhen këshilltarë të Kryeministrit. Aq më pak të emërohen prej tij në detyra kaq të larta. Askush nuk mund ta pretendojë.

Por, persona të tillë, megjithëse kanë mbaruar të plotë ciklin bazë të formimit policor në Gjermani e më pas edhe ciklin e plotë të formimit të lartë në Akademinë Federale të Mynsterit, po në Gjermani, sot nuk janë më as në radhët e Policisë. Militojnë në institucione që nuk lidhen me formimin policor. Besoj se nuk ka CV më gjermanike se kjo. Dhe në fushën ku gjenerali do të jetë drejtues i lartë politik. Si ta, edhe të tjerë me formime të ngjashme, në vende të tjera perëndimore dhe që u është shkurtuar vendi i punës në Polici.

Gjenerali mund të ketë shumë motive për t’u emëruar ministër i Brendshëm. Cilatdo qofshin ato, pak rëndësi kanë. Emërimi i tij nuk lidhet me CV-në e fituar për të kryer një detyrë të ndryshme nga ajo që po i ngarkohet. As me certifikatën e nivelit të lartë të sigurisë në NATO. Heshtja, vazhdimësia, bindja pa kushte në shërbim të pushtetit janë CVja e vërtetë. Certifikata e duhur e sigurisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura