Çuçi replikë Pëllumbit: Nuk qava në zyrë, tërhiqe Ditarin për PS

Jun 22, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ish-anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste në vitin 1995, Leontiev Çuçi, i përgjigjet ditarit të profesor Servet Pëllumbit në lidhje me përplasjet në PS në atë periudhë, pas një letre që ai i kishte shkruar kryetarit Nano, i cili ishte në burgun e Bënçës.

cuci

Çuçi sqaron se letrën me informacion se çfarë ndodhte në PS ia kishte kërkuar vetë Nano, ndërsa e akuzon profesorin se në ditar ka manipuluar të vërtetën. Ai tregon se i ka dalë kundër profesor Pëllumbit, në atë zëvendëskryetar i PS, pasi kishte përfshirë, sipas tij, ideologjinë marksiste në programin e PS-së, gjë që kishte krijuar një reaksion të madh brenda dhe jashtë vendit.

LEONTIEV ÇUÇI

Nuk e dija që përveç të tjerave qenke edhe gënjeshtar dhe manipulator. Shumë shokë e miq të tutë dhe të mitë të kanë vënë mjaft epitete negative ndaj të cilave kam qenë indiferent, sepse asnjëherë nuk të kam vlerësuar.

E vetmja gjë që kujtoj me humor, dhe ua tregoj të tjerëve kur bie fjala për ty, është batuta që u përdor ndaj teje kur doli libri i të ndjerit dhe të nderuarit At Zef Pllumit me titull “Rrno për me Tregue”. Atëherë, ish-sponsori yt politik (ti e di se kush), tha se për Servetin kjo do të thotë “Rrno për me fitue”.

Me ditarin tënd mësova se kërkon të fitosh edhe duke gënjyer, edhe duke manipuluar. Ku po gënjen? E para, sepse nuk thua një të vërtetë që letra ishte konfidenciale dhe kishte në fund një PS (post skriptum) ku unë i kërkoja Fatos Nanos që letra të mbetej konfidenciale, se ato mendime që po i parashtroja atij ishin rezultat i këmbënguljes së tij për të ditur se çfarë po ndodhte në parti me ideologjinë marksiste që ti kishe futur kontrabandë në programin e partisë.

E dyta, pse tregohesh kaq i pacipë në gënjeshtrën tënde kur thua: “…se qava në zyrën tënde…” kur më tregove letrën që i kisha shkruar Fatosit. E vërteta është se u shokova që atë letër Fatosi ta dërgoi ty dhe kërkoi që të diskutohej në forumet e partisë. Nuk është faji im për “shokun” e momentit, pasi nuk e prisja që “Udhëheqësi ynë i Madh” të shpërdoronte aq pabesisht, apo edhe tradhtisht, konfidencialitetin tim që po ma kërkonte me këmbëngulje prej gati një viti.

Ty, shoku Servet, ndofta nuk të kujtohet tani (dhe me të drejtë se të ka lënë memoria) që ke qenë edhe ti që më ke kërkuar e nxitur të komunikoj me Fatosin, pasi “Ai kishte nevojë edhe për mendimet e mira të një shoku si Ty”. Pra, nuk ishte “letër urgjente për të ndryshuar gjendjen”, siç gënjen ti. Po të kujtoj edhe një gjë tjetër, e cila ose nuk do të të kujtohet, ose nuk do të të interesonte ta kujtosh kur më ke thënë, më vonë, se “…bëmë gabim ndaj teje se nuk e kuptuam thelbin e letrës dhe qëllimin e mirë të saj”.

E treta, letrën që i shkruajta Fatosit nuk ta mohova kur më thirre në zyrë. Por kujtohu, po pate edhe një fije sinqeritet, se të kam thënë tekstualisht: “…kjo është letër konfidenciale që ka të bëjë me mua dhe Fatosin.

Ju bëni si ta mendoni, por unë nuk kam punë me ju, kam punë me atë që ma kërkoi dhe ia dërgova atë letër.” Ku po manipulon? E para, se “grupi armiqësor dhe antiparti i Çuçit me të moderuarit” po bënin të njëjtin diversion që po bënte përditë Berisha ndaj PS-së. Çuçi në atë kohë u ngrit kundër teje, se Ti fute ilegalisht ideologjinë marksiste në programin e PS-së. Dhe mos harro, se shkove në Bruksel me bekimin e Nanos për tjetër punë dhe erdhe prej andej me damkën e “marksistit”.

Mos harro, o Servet, se sa shumë na ke dëmtuar në atë periudhë kur ne po luftonim për të hyrë në Internacionalen Socialiste, ndërsa shtypi belg të nxirrte Ty nëpër gazeta me librin e Marksit. Edhe sot më ka mbetur merak, apo peng, se nuk e mësova dot dhe nuk e di akoma manipulimin që bëre për të futur marksizmin në programin e PS-së së asaj kohe. Nuk e di se kush të mbështeti apo të urdhëroi dhe pse të tjerët në Kryesinë e Partisë heshtën apo të përkrahën (të kujtoj se unë nuk kam qenë në atë kohë në Kryesinë e Partisë).

Bëhu të paktën një herë burrë dhe tregoje këtë të vërtetë pavarësisht se këtë radhë mund të “mos fitosh”. Çuçi nuk donte që Ti të dëmtoje PSnë me tabelën që ngrite për ta goditur atë, për ditë, Berisha me të vetët. Faji nuk duhej gjendur te Çuçi, as te Berisha që ti i dhe armë sulmi dhe lufte kundër nesh.

Faji ishte te Ty. Ky është manipulimi yt, manipulim që nuk e di se në interes të kujt e bëre pasi jam i bindur se me të nuk fitove gjë, por vetëm humbe. E dyta, ajo gjendje dhe situatë nuk ishte “luftë për pushtet brenda PS-së”, por nevojë e mbijetesës së saj në kushtet e reformimit, të cilën Ti vetëm ia ke vështirësuar. Unë nuk isha kundërshtari yt se doja karrigen tënde, por shikoja te Serveti konservatorin marksist që nuk më bindte për të ardhmen politike të strukturës ku unë aderoja.

Nuk mund ta ngrija këtë problem në Parti, në atë kohë, se e dija që do ta dëmtoja. Se sa kisha të drejtë unë për qëndrimet e mia, këtë e vërtetoi koha, kur pas pak muajsh, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së dhe numri dy i kësaj Partie u zgjodh Prof. Rexhep Mejdani.

Shoku Servet! Ashtu si shumë të tjerë, po të jap dhe unë të njëjtat këshilla: Jeto i qetë pleqërinë tënde. Hiq dorë nga intrigat sipas modeleve të KGB-së. Po të ka mbetur një fije dinjiteti e mençurie, tërhiqe atë Ditar nga qarkullimi, se ka për të mbetur si kujtimi më i zi i karrierës tënde.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura