“Crown Agents” kërcënon PD-në: Tërhiqini akuzat ose provojini, në të kundërt do të marrim masa

Jul 26, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

Pas Ambasades britanike, edhe kompania “Crown Agents” ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të bëra në media nga disa politikanë dhe analistë.  Në një deklaratë për shtyp, kompania sqaron se nuk do të përfshihet në debat politik mbi llojin e punës të realizuar në Shqipëri.

crown-agents

“Sigurisht që i mirëpresim këshillat dhe sugjerimet konstruktive mbi mënyrat se si puna jonë mund të përmirësohet dhe njëkohësisht mbetemi gjithnjë të hapur për t’i diskutuar këto çështje me këdo.
Sidoqoftë, ne i refuzojmë krejtësisht akuzat dhe hamendësimet shpifëse të bëra së fundmi nga disa politikanë dhe analistë, për sa i përket ekzistencës të qoftë edhe një elementi të vetëm korrupsioni në procesin e marrjes dhe zbatimit të kontratës tonë. Këta individë nuk kanë paraqitur asnjë provë të vetme në mbështetje të këtij pretendimi dhe as që do të kenë mundësinë ta bëjnë diçka të tillë sepse pretendimet e tyre janë plotësisht të pavërteta. Për këtë arsye u kërkojmë këtyre personave, me gjithë respektin, që t’i tërheqin akuzat e bëra.

Crown Agents punon mbi bazën e standardeve më të larta të ndershmërisë dhe integritetit dhe çdo akuzë për korrupsion merret shumë seriozisht nga ne. Njëkohësisht, ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme e të duhura për të mbrojtur dhe ruajtur reputacionin tonë ndërkohë që përballemi me akuza të pabaza”, thuhet në reagimin e kompanisë “Crown Agents”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura