Cristina Caboni, një bletërritëse në shtegun e letërsisë

Jun 10, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Shkrimtarja italiane Cristina Caboni
Shkrimtarja italiane prezanton në Tiranë romanin “Shtegu i parfumeve”, botimet “Dituria”. Një histori mes autobiografisë dhe fantazisë, mes aromash të luleve dhe parfumeve

Një vajzë e re përpiqet të gjejë shtegun e jetës së saj përmes parfumesh. Çdo njeri ka parfumin e vet, një aromë lëkure, por edhe një tjetër që i shkon, erë luleje, myshku, druri, deti… Dhe, nëse jeta dikur do ta gënjente, nuhatja e saj, jo. Parfumi nuk do ta gënjente kurrë. “Shtegu i parfumeve”, kështu titullohet romani i botuar nga shtëpia botuese “Dituria”, i promovuar vetëm pak ditë më parë në Tiranë, nga vetë autorja, shkrimtarja italiane Cristina Caboni. Një libër, që u bë i famshëm përpara se të botohej dhe i janë blerë të drejtat e autorit në 23 shtete. E rritur në një familje bletërritësish, një njohëse e sekreteve të bletëve e më së shumti të mbretëreshave, gjithë jeta e Cristina Caboni-t është e lidhur ngushtësisht me aromat e luleve. Dhe ishte pikërisht aty, mes këtij erëmimi që lindi edhe romani “Shtegu i parfumeve”. Edhe pse ajo nuk është Elena, heroina e romanit, në të ka shumë elemente autobiografike. Sipas studiueses Lili Sula, libri është pritur mjaft mirë nga lexuesi, çka do të thotë se ai e ka përmbushur fare mirë horizontin e pritjes. Një libër me një receptim masiv dhe ku e gjejnë veten të gjithë. Sipas Sulës, Caboni ka ditur të sjellë histori të së përditshmes, përzier me erëra parfumesh. Këtë e dëshmon edhe mënyra e ndërtimit të librit, i ndarë në 24 kapituj, ku secili mban një emër luleje, e cila ka një domethënie të vetën.

Gjatë promovimit të librit
Duke iu përgjigjur pyetjes së çfarë e ka bërë librin e saj të suksesshëm, Caboni thotë se me shumë gjasë duhet të jetë tema. Parfumet përbëjnë gjithnjë një temë të dashur për të gjithë. “Por janë edhe raportet personale, dashuria, mëmësia,
Kopertina e librit
përpjekja për të gjetur rrugën tënde”, thotë Caboni, teksa tregon se libri u prezantua me shumë zgjuarsi nga agjentja e saj letrare në Panairin e Frankfurtit dhe aty tërhoqi menjëherë vëmendjen e botuesve. “Është si një përrallë. Një nga ato historitë që nuk ndodhin shpesh në jetë”, tregon Caboni. Mes shtëpive botuese, që u vunë në garë për të blerë të drejtat e këtij libri, ishte edhe ajo shqiptare “Dituria”. Sipas botuesit Petrit Ymeri, ky bën pjesë në ato bashkëpunime të suksesshme, që është mirëpritur nga publiku.
E magjepsur nga aroma, por edhe nga gjuha e luleve, Cristina Caboni e gjeti veten të magjepsur edhe pas personazhit të librit të saj, Elenës, e cila zgjedh një mënyrë të veçantë për të komunikuar me njerëzit, e cila e ndihmon të gjejë shtegun e saj në jetë. Për shkrimtaren bletërritëse ose anasjelltas, “Shtegu i parfumeve” është një kthim në të shkuarën, por edhe një solidaritet mes grave, të cilat kur bëhen bashkë, mund t’ia dalin mbanë.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura