“Crédit Agricole” largohet nga Shqipëria. Banka më e madhe franceze ia shet filialin “Tranzit” sh.p.k

May 14, 2015 | 16:11
SHPËRNDAJE

“Crédit Agricole” ka vendosur të shesë filialin e saj në Shqipëri. Aksionet do t’i kalojnë “Tranzit” sh.p.k, që është degë e grupit “NHC Capital”. Vendimi i bankës franceze për të lënë tregun shqiptar duket se lidhet me politikat dhe strategjinë qendrore të grupit për të ulur ekspozimin në Europën Qendrore dhe Juglindore. 

SHITJA

Detajet mbi kalimin e aksioneve të “Crédit Agricole” Shqipëri te “Tranzit” sh.p.k, i bëri të ditura vetë zyra qendrore e grupit francez në Paris, përmes një deklarate të shkurtër. “’Crédit Agricole SA’ njoftoi sot nënshkrimin e një kontrate transferimi të ‘Crédit Agricole’ Shqipëri te kompania ‘Tranzit’ sh.p.k, filiali shqiptar i ‘NHC Capital Inc’. Mbyllja e këtij transaksioni është i bazuar në miratimin rregullator të autoriteteve rregullatore dhe në zbatim të procedurave respektive sociale.

Kjo shitje nuk do të ketë impakt në raportet e likuiditetit dhe aftësisë paguese të ‘Crédit Agricole S.A’”, thuhet në deklaratën e grupit francez. Ky i fundit bleu bankën “Emporiki” në Shqipëri, më 14 qershor 2012. Me përfundimin e transaksionit në atë kohë “Emporiki” adoptoi emrin “Crédit Agricole”, markën dhe logon e kësaj kompanie. Në fakt edhe pse transaksioni u finalizua në vitin 2012, negociatat për këtë filluan që në vitin 2009, kur “Emporiki” filloi të adoptonte gradualisht politikat e grupit për të finalizuar më pas transaksionin.

BLERËSIT

Blerësi i filialit shqiptar të “Crédit Agricole”, sikurse bëhet me dije dhe në deklaratën e grupit francez, është “Tranzit” sh.p.k. Kjo kompani është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitetin si institucion financiar jo banke në vitin 2010. “’Tranzit’ është shoqëri e fondeve investuese të administruara nga ‘NCH Capital’. Nga viti 1993, NCH është një prej investitorëve më të mëdhenj në Europën Lindore dhe Rusi, me një portofol investimesh mbi 3 miliardë dollarë. Shoqëritë e administruara nga NCH operojnë në Shqipëri që prej vitit 2007″, thuhet në profilin e kompanisë në faqen e internetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura