Ç’po ndodh në Itali

Jun 18, 2018 | 16:15
SHPËRNDAJE

Lubonja okFATOS LUBONJA

Nobelisti Dario Fo, mbësh tetës aktiv i lëvizjes Cinque Stelle në Itali, nuk e pranonte konotacionin negativ që i vishet termit “populist”: si një lëvizje që synon të marrë votat e popullit duke e gënjyer atë me gjëra të parealizueshme. Sipas Fo-së, termi që duhet përdorur për këtë kategori është “demagog”, kurse me populist ai kuptonte një lëvizje apo parti që u përgjigjet nevojave apo ndjeshmërive të popullit.

Për të përkufizuar lëvizje si Cinque Stelle janë përdorur edhe epitete të tjera si “antisistem “, “antikastë” apo “antiestablishment”, por me fitoren e tyre në zgjedhje dhe pas kontratës për të bashkëqeverisur me një tjetër parti antisistem, Legën, sot po mbizotëron epiteti “populist” në sensin negativ. Kjo jo vetëm për shkak se kundërshtarët e tyre janë të shumtë në Itali, por edhe sepse kanë mbështetje të fuqishme nga të gjithë forcat politike tradicionale në Europë. Në diskursin e tyre, lëvizjet antisistem, kur nuk akuzohen për populizëm, si sinonim i demagogjisë, akuzohen për mungesë realizmi dhe paaftësi tekniko- administrative. Ndërkaq, ajo që mungon është një analizë e thellë vetëkritike se pse italianët votuan për Cinque Stelle dhe Legën dhe jo për partitë tradicionale. Nëse duam të kuptojmë se çfarë po ndodh në Itali dhe jo vetëm, duhet filluar që këtu.

PSE FITOI CINQUE STELLE DHE LEGA

Në thelbin e vet, rritja e partive të quajtura “populiste”, “antisistem” apo “demagogjike” buron nga kriza tashmë e qartë e sistemit kapitalist të këtyre dy dekadat e fundit si kombinim i neoliberizmit me globalizimin. Një pjesë e ka krahasuar këtë krizë me krizën e kapitalizmit, që solli fashizmin dhe komunizmin në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Pa dyshim që të dyja krizat kanë të përbashkëtat e veta, por kanë edhe dallimet e veta që lidhen me mësime të rëndësishme që ka nxjerrë bota perëndimore përsa i përket ruajtjes së vlerave të demokracisë dhe paqes, pas përvojave tragjike të fashizmit dhe komunizmit. Prandaj kriza duhet parë në kontekstin e zhvillimeve të pasluftës së Ftohtë.

Gjatë këtyre dy dekadave partitë e qendrave të majta dhe të djathta janë shkrirë thuajse me njëra-tjetrën përsa i përket një çështjeje themelore, që ka dalluar të majtën nga e djathta deri në mbarim të Luftës së Ftohtë. E kam fjalën për trashëgiminë marksiste, sipas së cilës historia ecën përpara nëpërmjet luftës midis të shtypurve dhe shtypësve. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, me fitoren e kapitalizmit u hodh ideja e mbarimit të historisë dhe të majtat që përfaqësonin interesat e të shtypurve u detyruan të hiqnin dorë nga socializmi dhe t’i nënshtroheshin ideologjisë triumfuese të liberizmit sipas formulës së famshme të Thatcherit “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. Kështu programi kryesor i së majtës u zhvendos nga lufta për rishpërndarje më të drejtë në emër të idealit të barazisë ekonomike në luftën për barazitë gjinore, racore, të drejtat e minoriteteve, të homoseksualëve etj.. Edhe partitë që quheshin të “djathta sociale”, që e vënë theksin te mbrojtja e vlerave të komunitetit (kombëtar, lokal apo fetar) mbetën në minoritete gati të pakonsiderueshme. Triumfoi kulti i individit që sheh vetëm interesin e tij në një botë të hapur, që vë lirinë personale përpara çdo projekti komunitar, që u nënshtrohet vetëm ligjeve dhe vlerave të tregut.

Mirëpo, ky triumf ka rezultuar në një rendje të shfrenuar pas pasurimit me pasoja varfërimin e shumicës dhe pasurimin e një pakice. Ka rezultuar gjithashtu në kthimin gjithnjë e më shumë të politikanëve nga shërbëtorë të publikes në menaxherë të interesave ekonomike të kësaj pakice e në krijimin e një “kaste” apo “establishmenti” të kënaqurish, që punojnë për statukuonë, ndërkohë që shumica ndihet gjithnjë e më e pakënaqur, më e pasigurt, më e pashpresë dhe prandaj kërkon ndryshim. Ajo që thuhej me ironi nga shumë kritikë të kapitalizmit triumfues se lufta midis shtypësve dhe të shtypurve mbaroi jo pse u zhdukën klasat, por pasi luftën e fituan të parët, po rezulton gjithnjë e më e vërtetë.

Lëvizje të tilla si “Jemi 99” (%) në SHBA apo “Indignados” në Spanjë, Syriza në Greqi apo edhe Cinque Stelle dhe Lega në Itali në thelbin e tyre janë shprehje e rindezjes së këtij konflikti, sigurisht në një kontekst tjetër. Më thjesht mund të thuhet se këto lëvizje i janë përgjigjur nevojës së shumicës për ndryshim kundrejt një sistemi që jep më shumë siguri sociale dhe barazi.

VEÇANTIA ITALIANE

Veçantia italiane është se Cinque Stelle dhe Lega arritën të krijojnë maxhorancë qeverisëse nëpërmjet një kontrate që duket e pakonceptueshme në vende të tjera perëndimore – kur ke parasysh ndryshimet në vizionin për botën të elektorateve të majta dhe të djathta. Kjo është pak a shumë sikur Trump dhe Sanders në SHBA apo Marie Le Pen dhe Melanchon në Francë të qeverisnin së bashku. Po pse kjo ndodhi në Itali ? Janë dy arsyet kryesore. E para ka të bëjë me sistemin elektoral. Në SHBA mund të fitojë ose kandidati republikan ose kandidati demokrat, qoftë edhe me një votë të vetme, kështu që nuk do të kishte asnjë shans që Sanders dhe Trump të qeverisnin së bashku. Në Francë, pas raundit të parë, shkojnë në balotazh vetëm dy kryesuesit dhe mund të fitojë vetëm njëri, dhe kështu Macron fitoi ndaj Le Pen dhe u bë president i Francës, megjithëse në raundin e parë kishte marrë pak më shumë sesa 20% të votave të francezëve. Kurse në Itali, që një forcë politike apo koalicion paraelektoral të mund të qeverisë i vetëm duhet të marrë mbi 40% të votave (çka i siguron pastaj një “premio di magioranca” d.m.th., marrjen e një numri deputetësh që i lejon të kalojë 50%-in). Në kushtet kur Cinque Stelle mori afro 33% dhe koalicioni i qendrës së djathtë me në krye Legën mori afro 37%, e vetmja marrëveshje që u arrit për të kapur mbi 50% ishte ajo mes Cinque Stelle dhe Legës, e cila në koalicion mori 18%. Përndryshe Italia do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja, çka nuk ishte aspak e dëshirueshme për kurrkënd.

Një arsye e dytë që ia lehtësoi lëvizjes Cinque Stelle kontratën me Legën është fakti se edhe pse, sipas sondazheve, ajo ka marrë më së shumti votat e elektoratit të majtë të zhgënjyer nga PD-ja si dhe të ekstremit të majtë që e ka akuzuar PD-në si parti të kapur nga lobet e të pasurve, asaj nuk i mungojnë pikat e kontaktit me Legën. Në fakt, të dyja janë parti antisistem dhe antikastë; të dyja u janë drejtuar shtresave në nevojë (për më shumë mbrojtje sociale, punësim të sigurt dhe ulje të moshës së daljes në pension); të dyja janë deklaruar kundër Europës së bankave dhe pushteteve të forta, duke qenë fillimisht për daljen nga euro, kurse tani duke kërkuar ta ndryshojnë BE-në së brendshmi. Madje, edhe kur vjen puna për çështjen e qëndrimit ndaj emigracionit, që është një nga temat kryesore sot në Europë e që i ndan të majtët nga e djathta, Cinque Stelle ka manifestuar një qëndrim që e afron me Legën. Kjo afërsi lidhet edhe me një veçanti tjetër italiane: faktin se Italia ka qenë porta hyrëse kryesore e emigracionit nga vende si Libia dhe Tunizia çka ka ndikuar që, përtej ideologjive, të dominojë në vend ideja se kjo punë do frenuar së bashku me pakënaqësinë që vendet e tjera europiane e kanë lënë Italinë vetëm në këtë vështirësi.

A JEMI NË ZHDUKJE TË NDARJES E MAJTË – E DJATHTË?

Kontrata e Cinque Stelle me Legën, mbështetur kryesisht mbi afërsitë që përmenda më sipër, ka ngritur edhe një herë çështjen nëse kategori të tilla si e majta dhe e djathta, që kanë dominuar shekullin XX, janë tashmë të kapërcyera. Një mendim të tillë e ka shprehur edhe Kryeministri i ri Giusepe Conte, i caktuar nga Cinque Stelle. Në fakt, Cinque Stelle nuk është vetëquajtur asnjëherë parti e majtë, por një lëvizje transversale, që ka synuar të tërheqë elektoratin e zhgënjyer nga qeverisjet e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë. Sikurse e thashë më lart, shumica e elektoratit të saj rezulton se vjen nga të zhgënjyerit nga e majta, por ajo ka marrë vota të shumta në Jug edhe nga elektorati i zhgënjyer nga e djathta, që nuk mund të votonte Legën për shkak të qëndrimeve të saj diskriminuese ndaj Jugut gjatë kohës kur ishte parti e Veriut. Në fakt, divergjencat e Cinque Stelle me Legën, përsa u përket qëndrimeve që e ndajnë të majtën nga e djathta, nuk janë të vogla. I ndan më së shumti fakti se Cinque Stelle ka pasur si kalë beteje elektorale dhënien e një “reddito di cittadinanza” (asistencë prej mbi 700 euro për çdo shtetas italian që është i papunë), ndërkohë që Lega ka promovuar taksën e sheshtë që ngre pyetjen se ku do të gjenden të hollat për këtë asistencë, pasi zakonisht të majtat, që luftojnë për asistenca të tilla, janë për taksën progresive. Po ashtu, Lega i mëshon më shumë sigurisë me mjete policore dhe është për zbutjen e ligjit që kufizon të drejtën e “mbrojtjes së ligjshme” (kur bëhet fjalë për përdorimin e armës kundër vjedhësve që të hyjnë në shtëpi), ndërkohë që e majta ka qëndrime të ndryshme për çështje të tilla. Po ashtu, disa nga vendimet e qëndrimet e Cinque Stelle kundër projekteve me impakt ambiental (ndër të cilët hyn edhe një që shqiptarëve u intereson direkt, ai TAP) janë në kontradiktë me disa premtime ekonomike të Legës.

Ndryshime fort të ndjeshme kanë edhe përsa u përket politikave që lidhen me qëndrimet e përkundërta ndaj binomit konservatorizëm-progresizëm, ndaj nacionalizmit, ndaj traditës, fesë, që për një kohë kanë qenë në plan të parë në ndarjen e së djathtës nga e majta e që kohëve të fundit janë fokusuar në tema të tilla si vlerat e Europës kristiane, versus ndërtimit të një Europe multikulturale, të drejtat e homoseksualëve, të drejtat të emigrantëve myslimanë për të pasur objektet e tyre të kultit etj.

Duke pasur parasysh këto dallime është vështirë të flitet për zhdukje të së majtës dhe të djathtës. Por për kapërcimin e tyre është gjetur formula e “kontratës”. Sipas saj, do të punohet vetëm mbi ato gjëra, për të cilat kanë rënë dakord të dyja palët. Kështu p.sh., kur ministri i familjes, i emëruar nga Lega, u shpreh se nuk ekzistojnë familjet gay, duke vënë në diskutim ligjin e sapoaprovuar mbi bashkëjetesën civile, kryetari i partisë së tij, Salvini, u shpreh se kjo çështje nuk është në kontratë.

Me gjithë këtë debat të hapur, Salvini i Legës vazhdon ta quajë partinë e tij parti e djathtë, kurse PD-ja, pas marrëveshjes që bëri Cinque Stelle me Legën, duke dashur të tërheqë përsëri pranë vetes elektoratin që e ka braktisur, e deklaron qeverinë e krijuar së fundmi si më të djathtën që ka pasur ndonjëherë Italia në historinë e pasluftës dhe po kërkon të riorganizojë në një front të gjerë të majtën.

Shkurt, mund të thuhet se përtej së majtës dhe të djathtës, të dyja palët i bashkon qëndrimi kundër sëmundjeve të shkaktuara nga qendrat e majta apo të djathta, që kanë qeverisur Italinë dhe Europën Perëndimore dy dekadat e fundit. Përsa u përket terapive, ato janë një përzierje ilaçesh të së majtës dhe të së djathtës, që mund të quhet pragmatizëm, por jo ilaç i ri. Për këto terapi shumë kritikë thonë se kjo qeveri do t’i shëmbëllejë një qerreje të tërhequr nga dy buaj në drejtime të kundërta, majtas dhe djathtas, duke bërë që ajo të mos ecë përpara.

DEMOKRACI APO DIKTAT I TREGUT

Një shkak tjetër i dështimit të kontratës midis Cinque Stelle dhe Legës mund të jetë edhe kundërreagimi i sistemit që ato kanë sulmuar. Formimi i kësaj qeverie do të mbahet mend edhe për atë se rivuri në dukje një pikëpyetje të madhe, që ka kohë që ngrihet në botën perëndimore : a janë vërtet demokratike këto vende ku sistemi i “pushteteve të forta”, d.m.th. bankat e lobet ekonomike që dominojnë tregun, që kanë në dorë deri borxhet e shteteve, ndërhyjnë për të diktuar rezultatin e votës, madje edhe për të emëruar apo përjashtuar ministra që nuk janë në një linjë me interesat e tyre? Pra, jemi në demokraci apo në postdemokraci – siç e ngre pyetjen politologu amerikan Colin Crouch? Këtë pikëpyetje e riktheu fort në skenë Presidenti i Republikës, Matarella, kur refuzoi të pranojë emërimin si ministër i Ekonomisë të Paolo Savonës pasi ai, në një libër të tij, është shprehur kundër euros, kundër politikave të Gjermanisë në BE dhe ka hartuar edhe një plan B në rast të nevojës për dalje të Italisë nga zona euro. Kjo shkaktoi reagimin e Cinque Stelle që deklaroi se do të kërkonte shkarkimin e presidentit. Edhe Salvini gjithashtu lëshoi deklarata të forta në emër të sovranitetit dhe demokracisë në Itali. I hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit deklarata e komisionerit të Brukselit për ekonominë dixhitale, gjermanit Gunter Oettinger, cili u shpreh se “Tregu do t’u mësojë italianëve se si duhet të votojnë”.

Konflikti u fashit me tërheqjen një hap prapa të të gjitha palëve. Edhe Oettinger kërkoi ndjesë për deklaratën e tij, por çështja megjithatë ka mbetur e hapur në formën e pyetjes : a kanë të drejtë popujt e vendeve të ndryshme europiane të vënë në dyshim apo të kërkojnë të ndryshojnë rregulla të caktuara të projektit europian apo tashmë ata janë futur në një projekt/ kurth, prej të cilit nuk mund të dalin dot më veçse me pasoja masakruese?

Ecuria e qeverisjes së dy partive italiane të etiketuara populiste, që duken të vendosura të kërkojnë ndryshime në politikat e BE-së, duke synuar një Itali protagoniste dhe jo të nënshtruar ndaj rregullave të vendosura, do të jetë një provë e fortë për projektin europian, me pasoja ndoshta edhe historike. Një gjë duket e sigurt: për të mirë apo për të keq, projekti europian nuk do të mund të vazhdojë të mbetet ai që ka qenë në dy dekadat e fundit.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura