Ç’po ndodh me sigurinë publike?

Aug 20, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO/  Në majin prill 2018 (“Ball kanweb”, datë 20 prill 2018), gjatë një takim me qytetarët e Fierit, në kuadrin e ndërtimit të Forumeve Qytetare të Sigurisë, Kryeministri deklaroi se: “Rezultatet kuptimplota të Policisë së Shtetit në këtë periudhë janë domethënëse. Numri i vrasjeve kohët e fundit është ulur”. Kurse disa muaj më vonë, në gusht 2018, kur në fshatin Resulaj të Vlorës u vranë tetë persona nga dora e një psikopati kriminel, Kryeministri tha se “kjo gjë nuk ka lidhje me qeverinë”.

PËLLUMB NAKO

Dy thënie diametralisht të kundërta, që në rrafshin politik flasin për një qeveri, e cila problemet sociale të vendit, për bashkëqytetarët e saj po i trajton në formën e një politike shfaqjesh apo spektaklesh duke pasur për diva Kryeministrin. Problemet e klientëve e shqetësojnë, ato publike e argëtojnë. Qeveri, së cilës trupi nuk i mban asnjë gabim. Asnjë përgjegjësi. Rregullisht ua var në qafë të tjerëve. Kontestimeve u jepet përgjigje nëpërmjet statistikave të organeve kompetente. Këto të fundit përjetësisht vitin në vazhdim e nxjerrin më mirë se vitin paraardhës.

Të thuash nëse në vendin tonë ka apo nuk ka siguri për jetën, është t’i përgjigjesh pyetjes nëse qytetarët e ndiejnë veten të sigurt apo jo. Kanë apo jo ndjenjën e pasigurisë. Dhe përgjigjja nuk vjen vetëm nga statistikat e Policisë. Edhe sikur ato të jenë të plota e të besueshme (e të mos jenë të kontestueshme lidhur me faktin e fshehjes eventuale të ngjarjeve të ndryshme). Problemi është shumë më kompleks. Statistikat japin numrin e ngjarjeve, numrin e individëve të viktimizuar.

Por, sipas sociologëve të psikologjisë sociale, “viktimizimi çon në frikë personale, e cila nuk ndikohet nga presioni që ushtron krimi në shoqëri. Presioni kriminal shkakton shqetësim. Frika dhe shqetësimi nuk janë e njëjta gjë. Frika është personale, shqetësimi ka dimension social”. Pra, shqetësimi për sigurinë është shqetësim për rendin social të lidhur fort me vlerat morale, sociale dhe politike të shoqërisë. Shqetësim i lidhur ngushtë me mirëfunksionimin ose jo të institucioneve. Qytetari nuk ua ka idenë statistikave për të qenë mirë apo jo mirë.

Pra, thelbi është diku tjetër: A merr publiku përgjigjen e duhur nga institucionet kompetente për t’u ndjerë i sigurt? A luftohet ndjenja e pasigurisë prej tyre? Besohen institucionet?

Çfarëdo të thonë sondazhet, fjalët e mësipërme të Kryeministrit janë tërësisht në krahun e kundërt. Dhe nuk është i vetmi. Sepse në këtë spektakël qeveritar, nuk ka sesi Ministria e Brendshme të jetë ndryshe.

Thuajse në formën e një emisioni televiziv të telerealitetit, vitin e shkuar, Ministria e Brendshme shpalli operacionin “Forca e ligjit”. I kontestuar. Më shumë truk propagandistik sesa real. Vazhdoi për ca muaj të reklamohet me hope dhe tani së fundmi u la përgjysmë. Nuk del më në skenë. Por publiku e ndoqi. Pavarësisht nga realizmi i një nisme të tillë, nuk mund ta përjashtojmë faktin e shqetësimit të tij. Përse nuk flitet më për operacionin “Forca e ligjit” ? Po task-forca që do ta realizonte? Publikut, medias iu servir një organigramë e saj. U bënë edhe një apo dy mbledhje. Në media u njoftuan edhe emërimet e kryera nga Prokuroria për ndjekjen e hetimeve të institucionit të krijuar. Madje, miqtë ndërkombëtarë vizituan edhe ambientet. Kemi ndonjë bilanc të kësaj taskforce sot? Jo. Përsëri publiku ngre pikëpyetje. Shqetësohet.

Task-forca kishte studiuar edhe 40 grupe kriminale, që vepronin në territorin e vendit. Grupe këto me lidhje politike, ekonomike, madje edhe me botën e medias sipas taskforcës. Po sot? Nëse sheh rregullisht uebsaitin e Policisë, do të shihet se disa kohë më parë ajo i bënte jehonë bilancit të task-forcës. Tani e ka hequr fare nga uebsaiti. Me pak sforcim, dilnin gjashtë apo shtatë grupe. Po tani? Ku vajtën 33 të tjera? Kur vetë Policia flet për 40 grupe kriminale dhe po vetë zotohet se do t’u bëjë gjëmën, ndërkohë që gazetarët flasin për grupe të shumta kriminale që lëvizin lirshëm nëpër disa qytete, nuk besoj se publiku ndihet i sigurt. Le të thonë ç’të duan statistikat.

Ministria filloi edhe ndërtimin e Forumeve Qytetare të Sigurisë. Për hir të së vërtetës, gjithçka e denjë për shfaqje televizive. Megjithatë, le ta shohim me pozitivitet. Përse nuk vazhdohet më për qytetet apo krahinat e tjera? Përse u la përgjysmë? Një punë e lënë përgjysmë nga një organ si Ministria e Brendshme dhe Policia, nuk besoj se të ushqen siguri. Publiku i bombarduar nuk rri pa ngritur pikëpyetje. Pa u shqetësuar. Pa u zhgënjyer. Pa u ndjerë i tallur e i braktisur.

Shenjat nuk janë të mira edhe për vetingun në Polici. Por, të mos e analizojmë e t’ia lëmë kohës.

Së fundmi po flet edhe Prokuroria. Ajo ka bërë një plan për të luftuar krimin dhe sidomos pastrimin e parave. Plan ky, që nuk flet për ndonjë bilanc të hetimeve të atyre prokurorëve të emëruar prej saj në taskforcën “forca e ligjit”!!!!

Këtyre katër shtyllave të programit politik të Qeverisë lidhur me sigurinë publike, trajtuar gjerësisht në media, nëse do t’u shtonim edhe kontestimet dhe debatet e shumta ku shpesh Policia nuk tregohet transparente, por jep njoftime të shumta “fake”, nuk do të na rezultonte ndonjë sukses. Qytetarët nuk ndihen mirë. Nuk ndihen të sigurt. Ka shqetësim.

Në kushtet e një situate të tillë, kur institucionet që duhet të ofrojnë siguri reale për qytetarin, bëjnë shfaqje e parada; ndjenja e pasigurisë, shqetësimi për jetën, për pronën, për të afërmin, për të nesërmen, për brezat e rinj merr përmasa të gjëra sociale dhe krijon në masë pasiguri. Pasiguria provokon largimin. Braktisjen. Nuk ka motiv tjetër për të shpjeguar se përse qytetarët shqiptarë gjithmonë, kronologjikisht duan të largohen nga vendi. Ndjenja e pasigurisë po e gërryen. Përgjigjja për të është vetëm e institucioneve. Por me atë që është bërë, që tani siguria duket larg. Shumë larg.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura