Ç’po ndodh me shqiptarët azilkërkues?

Apr 21, 2015 | 13:03
SHPËRNDAJE

ERJONA CANAJ

   Për fat të keq, në ditët e sotme po asistojmë thuajse në një eksod tjetër të shqiptarëve në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Por, a mund të përfitojnë sot azil shtetasit shqiptarë, që nisen nga Shqipëria? Parimisht, të gjithë njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë azil në një vend tjetër, nëse në vendin e origjinës shkelen të drejtat e tyre themelore. Konventa e Gjenevës e vitit ‘51 dhe Protokolli i ’67-s mbeten instrumentet bazë të legjislacionit ndërkombëtar të refugjatëve, e cila përcakton nëse një person është ose jo refugjat. Sipas Konventës së vitit 1951, refugjat është dikush që për shkak të frikës së persekutimit për arsye të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë së tij në një grup të caktuar shoqëror ose bindjes politike, është jashtë shtetit të tij dhe nuk është në gjendje, ose për shkak të frikës së tillë, që të gëzojë mbrojtjen e vendit të tij. Po kështu, janë arsye për të dhënë statusin e refugjatit edhe diskriminimi me bazë gjinore, orientimi seksual etj.
Shtetasit shqiptarë, në kuadër të këtij eksodi, ditët e sotme po mashtrohen hapur nga disa persona, të cilët u thonë që do të marrin azil në Gjermani apo në vendet e tjera të BE-së. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Bashkimi Europian ka një politikë të përbashkët mbi azilin dhe emigracionin. Përmendim këtu kryesisht Rregullat e Dublinit dhe marrëveshjet “Shengen”. Të gjithë ata shtetas që kërkojnë azil, duhet të përmbushin kriteret për të përfituar azil në një nga vendet e BE-së dhe të mos jenë subjekt mashtrimesh apo indikacionesh se një shtet i caktuar “ofron azil”. Azili ekonomik, një nga format e reja të kërkesave të azilit në kohët e sotme, gjen “terren të përshtatshëm” pa dyshim në shtetet sociale kryesisht edhe ato të BE-së, por edhe këto raste kërkojnë përmbushjen e disa kritereve të vendosura po nga vetë shtetet anëtare dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me azilin politik. Pyetjes pse shqiptarët largohen nga vendi i tyre dhe kërkojnë azil, pra cilat janë arsyet, është shumë e lehtë t’i përgjigjesh. Mendohet që ndër arsyet kryesore mbeten një punë dhe një jetesë më e mirë. Faktikisht, të gjithë shtetasit shqiptarë janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ata gjenden, qoftë ekonomike, qoftë politike. Po ashtu, kanë marrë informacion (për fat të keq të gabuar) që në një moment të caktuar një shtet jep azil dhe mendojnë se edhe ata do të përfitojnë. Në realitet, shtetasit shqiptarë kërkojnë pune, pra nuk shkojnë të kërkojnë azil, sepse në vendin e tyre u janë shkelur të drejtat e tyre themelore. Parimi kryesor i ligjit është se kërkuesi që pretendon statusin, të provojë që kërkesat e tij janë të vërteta, pra atij i bie barra e provës. Megjithatë, në shumë raste, siç ndodh me azilkërkuesit, nuk janë në gjendje që të provojnë në mënyrë të dokumentuar kërkesën e tyre. Kështu, përgjegjësia ndahet ndërmjet aplikantit dhe marrësit të vendimit. Procedura e specializuar për shqyrtimin e kërkesave për azil do të realizohet brenda dy javësh. Pretendimet për statusin e refugjatit apo forma të tjera të mbrojtjes duhet mundësisht të vlerësohen në një procedurë të vetme. Të gjitha kërkesat për rastet e azilit dhe në cilën ka ndonjë tregues që një kërkesë për azil mund të jetë e përfshirë, kryhen nga një personel i kualifikuar, të cilët kanë aftësitë e nevojshme dhe njohuritë mbi çështjet e refugjatëve dhe azil. Ne qoftë se kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare bëhet nga një aplikant i cili kërkon azil në kufi, ai duhet të lejohet të futet në territorin ku do t’i jepet mbrojtja e përkohshme, derisa të vendoset me një vendim përfundimtar aplikimi i tij. Pranueshmëria nuk duhet të mohohet për arsye që nuk kanë të bëjnë me bazën e kërkesave dhe duke u bazuar vetëm në faktin se aplikanti nuk ka dokumentin e identitetit personal ose të udhëtimit. Pra, parimisht, te gjithë shtetasit shqiptarë që kanë shkuar në vendet e BE-së për të kërkuar azil, nuk i kanë nxjerrë jashtë territorit për arsye humanitare, për arsye se duhet të
verifikohet rast pas rasti situata konkrete, si dhe duhet të ecin përpara procedurat, qofte edhe të përshpejtuara, për dhënien ose refuzimin e azilit.
Nga ana tjetër, vlen të përmendim këtu edhe situatën e shtetasve kosovarë, situatë e cila paraqitet edhe më problematike. Siç kanë deklaruar disa zëdhënës të Bashkimit Europiank, ashtu edhe disa ambasadorë në vend, kosovarët (në numër mbi 1650) nuk do të përfitojnë azil dhe do të kthehen në vendin e tyre. Janë mbi 100 shtetasit kosovarë që i kanë kthyer në Kosovë. Të gjithë të tjerët janë akomoduar përkohësisht në kampe të veçanta, ku i strehuan dhe i ndihmojnë për jetesën. Disa prej tyre kanë marrë lejeqëndrim, por duhet theksuar se këto leje janë dhënë vetëm dhe ekskluzivisht për arsye humanitare për një periudhë qëndrimi 3 muaj (maksimumi për 6 muaj). Pra, është një mbrojtje që shtetet europiane bëjnë në rast të flukseve masive…, por jo për të dhënë azil politik apo azil ekonomik, siç janë përhapur disa lajme të rreme. Trajtim i veçantë u bëhet personave të moshës së tretë, grave shtatzëna, fëmijëve të mitur etj. Mbrojtja e përkohshme jepet për arsye humanitare, për të mos i kthyer direkt personat në shtëpitë e tyre, shprehje e parimit të moskthimit të menjëhershëm.
Është për t’u vlerësuar fakti që në pikat kufitare punonjësit dita-ditës po përballen me kërkesat për largim të shqiptarëve (siç shprehen ata) për arsye turizmi. Kthimet në këto pika kufitare i kanë kaluar tashmë 1000 persona, ndërkohë që këto ditë pritet të dalë vendimi zyrtar i Gjermanisë për kthimin e shpejtë ose jo të tyre.
 *Pedagoge në UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura