Ç’po ndodh me shoqatën A.K Devolli

Dec 9, 2017 | 9:14
SHPËRNDAJE

devoll2Nga Fatos Hoxha

Në sistemin politiko – ekonomik dhe shoqëror që jetojmë, përveç organizmave shtetërore, janë krijuar e funksionojnë dhe një sërë shoqatash joqeveritare, jopolitike, mbi bazën e një etniteti kulturor, social dhe antropologjik vetëfinancuese, me status social të mirëpërcaktuar, të cilat sipas të gjitha rregullave ligjore dhe dokumentacionit përkatës janë regjistruar në gjykatë dhe kanë marrë statusin ligjor. Këto organizma janë një domosdoshmëri që kryejnë një aktivitet jetik duke organizuar më mirë shoqërinë njerëzore dhe mbledhin rreth vetes së tyre njerëz të profesioneve, kulturave traditave që i bashkon dashuria e malli për vendlindjen ose humanizmi për të kryer vepra bamirësia për të rritur vlerat e vendit nga e kanë origjinën. Për këto mesazhe, këto organizata qëndrojnë larg politikës.

devoll1

Po me këto motive, para rreth 20 vjetësh është krijuar dhe shoqata A.K Devolli, e cila ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për të promovuar vlera të veçanta që mbart krahina e Devollit; vlera atdhetare, kulturore duke përcjellë dhe më gjerë dashurinë për punën, humanizmin e devollinjve, traditat e zakonet, prandaj dhe Kryetar Nderi për shoqatën është zgjedhur një figurë unifikuese, një simbol devolli, të pazëvendësueshmin; Dritëro Agolli Nder i Kombit

Përpos gjithë këtyre vlerave, vërejmë me një shqetësim të thellë se fisnikëria e misionit të shoqatës po manipulohet, po nëpërkëmbet, po shfrytëzohet për qëllime personale e politike, po përçahet sistematikisht duke dhunuar ata çka ka të shenjtë një shoqatë; statutin e saj.

Kryetari aktual, Guri Seferi, duke përfituar nga urtësia, mençuria, butësia, humanizmi i shumë intelektualëve devollinj, ka dëmtuar e po dëmton sistematikisht misionin human e fisnik të shoqatës të ngjizur e ngritur me aq mundim nga devollinjtë, të cilët kanë kontribuar dhe financiarisht për të ecur shoqata.

devoll

Për të qënë më konkret në argumentimin për çka parashtruam; kostatojmë se:

Në kundërshtim me statutin dhe me çdo procedurë ligjore, po mbledh konferencën e përgjithshme, pa përfunduar procesi zgjedhor në të gjitha degët si p.sh;

Dega e Tiranës, më e madhja në vend, nuk ka bërë as analizën e saj, as ka zgjedhur kryesinë e kryetarin dhe as delegatët. E ka anashkaluar se nuk mund ta manipulojë dot etj…

Nuk janë bërë dhe zgjedhjet e dy degëve më të mëdha që ka shoqata në emigracion; në degën e Greqisë dhe atë të SH.B.A-ve ku janë me qindra anëtare me peshë të pazëvendësueshme. Në degët ku pretendohet se janë bërë zgjedhjet, nuk ka ekzistuar kuorumi i detyrueshëm për të marrë vendime se s’kanë qenë mbi 50% e anëtarëve. Janë zgjedhur thjesht me listë emërore sipas dëshirës së vetë kryetar Gurit, pra, zgjedhja e delegatëve për në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues është bërë me emërime e jo me votime.

Nuk është lejuar dalja e kandidaturave alternative, thua se Guri qenka i pazëvendësueshëm se ka mbaruar shkollën e mesme bujqësore në Miras e ka punuar brigadier kooperative në Arzë e nuk paska devollinj të tjerë intelektualë të shquar që të drejtojnë shoqatën.

Mbi 60% e anëtarëve të Këshillit të përgjithshëm të zgjedhur janë hequr ose kanë dhënë dorëheqjen dhe janë zëvendësuar me të tjerë të thirru nga Guri personalisht, pa kaluar asnjë procedure zgjedhjeje e për rrjedhojë e as votim. Një absurditet që s’ka ndodhur as në mbledhjet e tij të brigadës në kohën e socializmit.

Në kundërshtim me statutin, programin dhe qëllimin e shoqatës janë përjashtuar nga radhët e strukturave drejtuese intelektualë, veprimtarë të shquar dhe të zgjedhur me votë nga devollinjtë si në Devoll, Korçë, Pogradec e Tiranë.

Më e keqja ka ndodhur me vetë kryetarin ekzistues dhe që do të zgjidhet nesër në mënyrë arbitrare, madje jo nga dega e Tiranës, por nga Elbasani!?

Nën drejtimin apo më mirë uzurpimin e shoqatës prej Shoku Guri, shoqata është kthyer në një shtojcë partie çka e ka dëmtuar thellësisht qenien dhe misionin e saj si bashkuese e vlerave të devollinjve dhe jo të kundërtën. Ka përjashtuar dhjetëra antarë kryesie për arsyen e thjeshtë se nuk kanë teserën e partisë së Gurit apo se i kanë bërë oponencë dhe i ka zëvendësuar me të tjerë njerëz të bindjeve të veta politike.

Qenia e Guri Seferi si kryetar i organizatës së P.S-së në Kombinat, Tiranë dhe koordinator dhe i deleguar i P.S-së në njësinë administrative në Ndroq dhe Farkë, mund të jenë marrëdhënie me dobi të ndërsjellë mes palëve, por është tejet e dëmshme dhe negative për ecurinë e një shoqate atdhetare që synon të përbashkojë brenda saj njerëz dhe vullnete jashtë bindjeve ideologjike, fetare dhe kulturore.

Shoku Guri, ky enveristo-stalinist i thekur, drejton dhe shoqatën me dorë të hekurt komuniste dhe nuk do që në radhët e saj, në gjithë strukturat organizative të ketë të intelektualë të mendimit ndryshe, pa parti.

E si mundet që një njeri i lidhur kokë e këmbë me partinë e tij, që vete dhe i bën presion strukturave të tij politike, duke kërkuar vend të mirë pune, pasi në zgjedhjet politike i ve në dispozicion qindra votat e shoqatës “Devolli” dhe nga ana tjetër pretendon që të jetë kryetar i një shoqate jopolitike, ku të vlojë mendimi ndryshe? Ky është një paradoks dhe një shkelje e normave statusore se bie ndesh me misionin që ka vetë shoqata. Çdokush që është i zgjedhur në forumet e një partie politike, nuk ka të drejtën ligjore dhe morale të jetë kryetar i një shoqate jopolitike dhe aq më tepër atdhetare e kulturore siç është dhe shoqata jonë.

Organi i shoqatës A.K Devoll që është gazeta Devolli, është kthyer në organ politik të sekretarit politik, Guri Seferi, i cili, si shoku Enver, do të dalë në çdo faqe të saj. Pa kontrolluar gazetën sekretari, nuk mund të shkojë në botim.

 

Për këto arsye, një grup intelektualësh, anëtarë të zgjedhur të strukturave drejtuese, do të iniciojnë mbledhjen e firmave në gjithë vendin për të denoncuar veprimet abuzive të kundraligjshme të kryetarit Guri Seferi si më poshtë:

  1. Denoncim në Kuvendin Kombëtar.
  2. Denoncim publik në çdo media të shkruar e vizive si dhe në rrjetet sociale.
  3. Ngritje aktpadie në gjykatë për manipulim dhe falsifikim të gjithë procesit zgjedhor
  4. Verifikim të plotë të shpenzimeve financiare të shoqatës nëpërmjet dokumentacionit të vetë shoqatës
  5. Zhvillimin e zgjedhjeve në degët Tiranë, Greqi dhe U.S.A në përputhje me statutin, sipas një programi të veçantë

Si përfundim, shoqata duhet të çlirohet nga uzurpatori politik shoku Guri Seferi, të marrë frymë lirisht dhe të shëndoshet moralisht që të mbledhë rreth vetes së saj gjithë devollinjtë, kudo që janë, për të realizuar misionin e saj historik dhe në respekt të statusit, Bilishti të jetë të jetë qendra e shoqatës dhe kryetari të jetë me seli po në Devoll dhe degët e saj të shtrihen kudo, në çdo vend dhe nëpër botë.

*Anëtar i Këshillit Kombëtar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura