Ç’po ndodh me kursin e këmbimit? Forcohet leku, të gjitha monedhat e mbyllin javën të zhvlerësuara

Aug 17, 2018 | 13:53
SHPËRNDAJE

Monedha vendase ka fituar pikë përkundrejt të gjitha valutave sot në vend. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 125.49 lekë, me një rënie prej 0.06 pikë në krahasim me një ditë më parë. Edhe dollari amerikan, humbi pikë përkundrejt lekut pasi preku nivelin më të lartë prej fillimit të vitit në vend. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar u këmbye sot në vend me 110.2 lekë, rreth 0.24 lekë më pak se një ditë më parë.

Leku

Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, muaji gusht shoqërohet me ofertë të shtuar të valutave në vend, për shkak të prurjeve të turistëve dhe emigrantëve. Megjithatë ata shtojnë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë mbajtur të stabilizuar nivelin e këmbimit të euros në vend, ndërsa për sa i përket dollarit në tregun vendas është reflektuar forcimi i monedhës së gjelbër në tregjet ndërkombëtare.

Edhe monedhat e tjera kanë shënuar rënie përkundrejt lekut. Paundi britanik këmbehet sot në treg sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 140.11 lekë, apo rreth 0.25 pikë më pak se dje. Zhvlerësim përkundrejt lekut ka pësuar edhe franga zvicerane, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë një frang është këmbyer me 110.65 lekë

Në tregjet ndërkombëtare euro ka rimarrë veten pasi preku nivelet më të ulëta të 12 muajve të fundit. Sipas Financial Times aktualisht një euro po këmbehet me 1.138 dollarë, ndikuar edhe prej stabilizimit të lirës turke në treg. Euro preku nivelet të ulëta pas shqetësimeve të investitorëve mbi ndikimin e krizës së Turqisë në Zonën Euro.

Edhe pse ka fituar pikë në bursë, euro është shfaqur e dobët në tregun tonë vendas, kjo ka bërë sipas ekspertëve që të gjitha monedhat të zhvlerësohen përkundrejt lekut (për shkak të kryqit të kryqëzuar).

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura