COVID-19/ Ministrja Manastirliu: Nëse do kemi mbingarkesë të spitaleve, do përzgjedhim kush do trajtohet i pari

Oct 29, 2020 | 14:26
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është shprehur se qeveria shqiptare po përgatitet për të përballur çdo skenar, përsa i përket pandemisë së COVID-19.

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja Manastirliu u shpreh se çdo qytetar duhet që të zbatojë masat, “pasi nëse do të kemi një mbingarkesë të spitaleve, do të përballemi me vështirësi, do të përballemi me zgjedhje se kush do të trajtohet i pari”, ashtu siç ka ndodhur sipas saj në vendet e zhvilluara.

Ogerta Manastirliu: “Ajo çfarë po bën qeveria është përgatitja për të përballuar çdo skenar. Por nuk duhet të shkojmë në mbingarkimin e sistemit shëndetësor. Ndaj masat që jemi duke ndërmarrë, qoftë për sa i përket parandalimit, qoftë për sa i përket izolimit nëpërmjet testimit të gjurmimit, qoftë për sa i përket  kapaciteteve spitalore shkojnë në këtë drejtim për të siguruar frenimin e pandemisë nëpërmjet zbatimit të rregullave, të trajtojmë çdo qytetar në spitalet tona duke mos i lënë asgjë mangut një trajtimit të mirëfilltë siç po ndodh sot.

Sepse nëse do të kemi një mbingarkesë të spitaleve, do të përballemi me vështirësi, do të përballemi me zgjedhje se kush do të trajtohet i pari ashtu sikurse vende të zhvilluara janë përballur kur ka pasur flukse të rasteve në spitale, ku janë drejtuar të përzgjedhin kë do të fusin në frymëmarrje të drejtuar. Sigurisht që akti normative është një akt që jo vetëm mbështet qytetarët, por mbi të gjitha drejton vëmendjen drejt zbatimit të masave. I lë mundësinë qytetarëve të kuptojnë që nuk është gjoba qëllimi parësor i marrjes së masave, por tregon që ka ardhur momenti që të bëjmë më të mirën tonë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura