COVID-19 dhe të drejtat e njeriut nën optikën e ligjit

Jul 24, 2020 | 10:35
SHPËRNDAJE

Alesia BalliuNga Alesia Balliu

Tashmë kanë kaluar muaj dhe ditë të shumta, ku përveç shoqërisë sonë, e gjithë bota po përballet me pandeminë e shkaktuar nga Covid-19-të si në aspektin human, etik, moral dhe ligjor ashtu si dhe një nga tronditjet më të mëdha ekonomike dhe politike të kohërave moderne. Gjithmonë ka pasur epidemi të kthyera në pandemi, por asnjëherë bota nuk ka reaguar në këtë mënyrë si arsye e mbrojtjes nga ky virus që udhëtoi nga një shtet i madh si Kina, duke u përhapur në Europë dhe në gjithë botën me një shpejtësi marramendëse. Por cilat kanë qënë kushtet ligjore dhe përkatësia e tyre në bazën e krijuar deri më tani dhe cilat ishin interpretimet dhe format në shtetet e ndryshme për të përballur këtë pandemi? A e prekën njeriun dhe lirinë e tij këto aspekte të reja apo zhvillime të ligjit në botë dhe tek ne? Po formën e ndryshuar të jetës në përkeqësim të qartë të të drejtave të njeriut?
Përgjigja e qeverive në të gjithë botën ndaj COVID-19 ishte sfiduese në aspektin e cënueshmërisë së të drejtave të njeriut, kryesisht të drejtës për jetën, të drejtës së lëvizjes dhe lirisë, të drejtës së mbledhjes dhe shprehjes dhe më gjerë. Në vendet e Evropës, liritë e mësipërme janë kufizuar në një shkallë apo në një tjetër për shkak të situatës, madje janë vendosur edhe sanksione penale ndaj shkelësve të përsëritur të planit të masave publike.

Covid-19 në Shqipëri

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri. Në amendimet më të fundit në Kodin Penal lidhur me dënimin e shkelësve të masave anti COVID-19 përfshihet dënimi me gjobë, por edhe dënimi me burgim deri në 8 vite. Shoqëria civile në Shqipëri i ka kontestuar gjerësisht këto amendime si mjaft të ashpra dhe si shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në fakt dhe në shtresat e popullsisë të dallueshme qoftë nga arsimimi apo dhe ngritja kulturore, një ngushtim i tillë i të drejtave dhe lirive u perceptua dhe pse fillimet e regjimit “pandemik” ishin të shoqëruara me frikën e vdekjeve të shumta që vinin sidomos nga Italia si vendi perendimor fqinj me ne (ku jetojnë shumë shqiptarë). Kjo frikë u zmadhua dhe nga padituria e përhapur mbi një “grip të tillë SARS” në konceptin popullor. Nga Kina tek Italia (vende të ndryshme kanë konceptin e regjimit politik, p.sh Kina një vend monopartiak dhe jo demokraci, ndërsa Italia një demokraci e madhe perëndimore) ku aplikuan dhe konceptin e ashpër “lockdown”  i paprovuar si i tillë me këtë ashpërsi në histori dhe në një masë kaq të madhe njerzish e shtetesh të përfshira. Gjithsesi, po tentoj të bëj një analizë me disa fakte në aplikimin e një “karantinë” të fortë apo veprimi të tillë në përballje me ligjin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në respektim të disa të drejtave që qëndrojnë të parat në luftimin kundër COVID-19, si e drejta e jetës dhe detyra për mbrojtjen e saj si dhe e drejta për akses në sistemin shëndetësor, kufizimi i lëvizjes së lirë duhet të ndodhë vetëm në rrethana rreptësishtë të nevojshme, në mënyrë proporcionale dhe jo-diskriminuese. Në fakt, impakti i pandemisë në të drejtat e njeriut ka qenë i shumanshëm dhe diskriminues, si rritja e papunësisë për disa kategori, pasiguria e ushqimimitndërprerja e edukimit për fëmijëtreduktimi i shërbimeve të kujdesit dhe mbrojtjesndërprerja e aksesit të shërbimeve të reduktimit të dhunë në familje etj. Gjithashtu, një tjetër sfidë lidhet me kapacitetet e vendeve për të ruajtur rolin e ligjit përgjatë pandemisë dhe për të ndaluar cënimin arbitrar të të drejtave civile të njeriut nga individët, organizatat apo autoritetet qeveritare. Në mënyrë të qartë dhe pse në vende me regjime demokratike, regjime hibride dhe në atë që janë “tirani shtetërore” të sundimit të kastave, shumë nga të drejtat e njeriut, të drejtave themelore u shkelën dhe pse shumë prej shteteve kanë nënshkruar konventat përkatëse.

Në Shqipëri, më 8 mars 2020 u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19. Qeveria ndërmori një serë urdhërash, aktesh, vendime kuvendi dhe udhëzime për masat e kufizimit të transportit ajror dhe detar, mbylljen e shkollave, ndalimin e aktiviteteve, vetëizolimin apo ndëshkimin e personave që hynin në Shqipëri nga zonat e prekura jashtë vendit, mbylljen e transportit ndërqytetas dhe kufizimin e atij qytetas, mbylljen e disa llojeve të bizneseve, lejen për përdorimin e rrugës nga shtetasit e huaj, kufizimin e lëvizjes së individëve në orare të përcaktuara dhe me leje. Shkelja e protokollit të masave në periudhën e pandemisë “u dënua”,  pra u shtua si ligj jo vetëm me gjobë, por në raste të veçanta edhe me burgim që shkon deri në tetë vjet sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Shoqëria civile në Shqipëri i ka kontestuar gjerësisht këto amendime si mjaft të ashpra, si shkelje të parimit të proporcionalitetit, të procedurës për aprovimin e ligjeve dhe në tërësi si shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Politikisht, kjo rrethanë në kushtet e mungesës së opozitës reale u bë “krejtësisht e lehtë dhe aspak e debatueshme në kuvendin e Shqipërisë”. Për më tepër, u krijua dhe precendenti i shtyrjes së pandemisë me dy muaj edhe pse Kushtetuta e ka të qartë se “leja nga kuvendi” bëhet gjithmonë për një muaj.

Megjithatë, në kushtet e mbrojtjes së shëndetit si detyrim ligjor, ende nuk ka një vaksinë apo trajtim specifik për COVID-19, por ka shumë prova klinike për të vlerësuar një terapi të mundshme për këtë virus. Në mbështetje të mbrojtes së shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve, qeveritë e vendeve evropiane dhe më gjerë kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e popullatës. Ato duhet të ndërmarrin masa emergjente në përputhje me Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut, OSCE dhe traktatet e Shteteve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, me qëllim garantimin e tyre, ndalimin e torturës, trajtimit të ashpër dhe çnjerëzor dhe dënimit. Në të vërtetë, a ka qene e lehtë kjo? Mbase në shumë vende janë kapërcyer “tolerancat” ligjore sidomos ato të të drejtave të njeriut. Sipas një raporti të Juridicia, në Itali, mbi 5000 njerëz janë akuzuar si shkelës të Kodit Penal në lidhje me masat emergjente të COVID-19, me dënime të mundshme deri në 6 vjet nese ishin fajtorë.

Duhet të theksojmë se në Itali ka pasur shumë vdekje si pasojë e COVID-19. Në Francë, po ashtu, ka raporte që individët, të cilët kanë shkelur rregullisht rregullat e karantinës janë akuzuar si rrezikues të jetës së të tjerëve dhe si rezultat janë dënuar me gjobë 15,000 Euro ose burgim deri në një vit. Në Rumani, mos-respektimi i karantinave ose shtrimit në spital përfshin një dënim prej 6 muaj deri në 3 vite burg ose masën e gjobitjes. Gjithashtu, dënohet informacioni i rremë për kontakt me personat e infektuar, ose mos-dhënia e informacionit për personat me të cilët një i infektuar ka pasur kontakte dhe dënohet me gjobë ose me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Në të gjitha vendet pati shumë kundërshti si ligjore, politike dhe njerëzorë. Grupe dhe shoqata u shfaqën kritike dhe “të pabindura” duke mbushur lajmet dhe opinionet politike e padyshim ato shoqërore, me rolin e shtetit dhe ligjit në kohë të një pandemie të tillë e sidomos në ashpërsinë e një “lockdown” të tillë! Por, duhet thënë se fillimi i pandemisë i gjeti shumë vende me mungesën e një kornize të fortë kushtetuese për krizat dhe në këtë mënyrë përgjigja ndaj COVID-19 përbën një sfidë më vete, duke marrë parasysh edhe detyrimet e brendshme, rajonale, ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Dënimet me ligj

Po kthehem tek “rëndimi” me ligj i dënimeve në kohë Pandemie si një nga pjesët më të kundërshtuara nga shoqëria e cila tentonte “frikësimin e turmës”, sëbashku me veprimet si shfaqje në bulevard të blindave të ushtrisë në kushte pandemie. Amendamentet në Kodin Penal lidhur me dënimin e shtetasve me burgim për shkeljen e masave gjatë pandemive kanë qenë subjekt i kundërshtimit të një numri organizatash të shoqërisë civile në Shqipëri. Arsyetimi i tyre është bazuar në disa pika kryesore.

Si fillim, procedura ligjvënëse për miratimin e akteve të Kodit Penal duhet të respektojë kriteret formale dhe materiale të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në këtë rast parimin e miratimit me shumicë të cilësuar në bazë të nenit 81/2 të saj, pasi ndryshimet e Kodit Penal nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar. Kjo tregon qartësisht se është një tregues kuptimplotë për çdo vend, në kuptimin se ai është në gjendje të balancojë të drejtën e shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror nga njëra anë, me të drejtat dhe liritë e individit nga ana tjetër. Por akoma dhe më keq është forcimi i masave ndëshkimorë, si dëshmi e pamundësisë së autoriteve shtetërore për të garantuar zbatimin rigoroz të tyre duke nxitur frikën si mjet për respektimin e ligjit nuk është një praktikë efikase.

Në paralelizëm me këtë është “leja në e-albania” për një person në familje vetëm një orë në ditë. Në këtë rast kuadri si ligjor edhe politik i të drejtave të njeriut, bëhet akoma dhe më i qartë në rëndim të psikologjisë kolektive dhe modelit politik demokratik europian që aspirojmë të shkojmë. Më në “faj ligjor” janë amendimet e propozuara në Kodin Penal për parashikimin e dënimeve me burgim në rast të mosbindjes ndaj autoriteteve apo shkeljes së rregullave të karantinës që vijnë në kundërshtim me politikën penale të ndjekur nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet miratimit të Aktit Normativ Nr.7, datë 23.3.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”. Koncepti “burg të sëmurit që të mos sëmurë të tjerë” dhe që duhet të qëndrojë i sëmurë në familjen e tij ku sërish ka njerëz ku mund t’i sëmurë – përbën një sens fajësie individuale në brendi të fajësisë kolektive, që vetë ligji në fakt nuk është i zoti ta ndajë kaq qartë. Në përgjithësi, i sëmuri i gjetur i tillë e ka vendin në spital dhe shteti i “dënon” me izolim në një vend që nuk është një spital apo vend izolimi për shërimin epidemiologjik.

Ulja e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar të përhapjes së COVID-19 dhe marrja e masave urgjente për mbrojtjen e të drejtave të tyre përbën një apel ndërkombëtar të organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Komisioneres për të Drejtat e Njeriut. Por në këtë drejtim ka dhe më, sepse zbatimi i masave penale në kushtet e një gjendjeje të rënduar infrastrukturore të paraburgimeve dhe burgjeve në Shqipëri, mbipopullimit të tyre, qëndrimit tej kapaciteteve të lejuara të personave në kubatorë të caktuara, vështirësive higjeno-sanitare, do të shtonin akoma dhe më shumë rrezikun e përhapjes së infeksionit COVID-19 tek personat e privuar nga liria. Stafi i këtyre institucioneve dhe familjarët e këtyre të fundit ishte diçka jo vetëm e pa menduar mirë, por që të linte të kuptosh se në fund nuk do të mund të zbatohej.

Dënimet vlerësohen si të ashpra dhe jo proporcionale, pasi mungon një raport i drejtë midis rrezikshmërisë së veprës penale dhe shkallës së fajit të autorit, pra duhet të ekzistojë ndarja ndërmjet subjektit i cili nuk është mbartës i infeksionit (por ka detyrimin të zbatojë rregullat e përgjithshme kufizuese) dhe nga ana tjetër subjekti i cili është mbartës apo ka risk të jetë mbartës i infeksionit dhe për këtë shkak është vendosur në karantinë me qëllim që masat e dënimit të caktohen në proporcion me shkallën e fajësisë së subjektit, i cili konsumon veprën penale dhe pasojat që kanë ardhur si rrjedhojë e shkeljes së marrëdhënies juridike të mbrojtur nga legjislacioni penal. Ka dhe diçka tjetër, sepse parashikimi i njëkohshëm i dënimit me gjobë dhe dënimit me burgim, sipas Gjykatës Kushtetuese nuk është në përputhje me Kushtetutën, pasi bën që dënimi mos të jetë në proporcion me gjendjen që e ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit. Sipas Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike,  masat duhet të plotësojnë kërkesat e ligjshmërisë, nevojës dhe proporcionalitetit dhe të jenë jo-diskriminuese. Liria e lëvizjes, shprehjes dhe e mbledhjes, mund të jenë subjekt i kufizimeve për arsye të shëndetit publik, edhe në mungesë të një gjendjeje emergjencë, por gjithmonë ndërhyrje e bazuar jo në një ligj arbitrar apo të paarsyeshëm, por në një ligj të qartë dhe të aksesueshëm nga publiku; në nevojën për mbrojtjen e shëndetit publik; në proporcionalitet me interesin në fjalë, duke qenë opsioni më pak ndërhyrës midis atyre që mund të arrijnë funksionin mbrojtës apo rezultatin e dëshiruar; të mos jetë diskriminues, pra të jetë në përputhje me ligjin e të drejtave ndërkombëtare; të jetë kufizim i interpretuar në mënyrë strikte dhe në favor të së drejtës mbi çështjen dhe jo arbitrar; të jetë kufizim i së drejtave i justifikuar nga autoritetet.

Koncentrat i mendimeve dhe opinioneve

Shpeshherë, cenimi i të drejtave të njeriut, është bërë shkas i mjaft protestave në vendet kryesore të Evropës, përfshirë Shqipërinë. Ligjet “shtesë” në kohë pandemie dhe zbatimi i tyre, ishin “virtuale” dhe pothuajse e parealizueshme tek ne. Ato vepronin si një frikësim (fiction ligjor) dhe jo si qëllim ligjor i mirë-studiuar dhe konsultuar. Zbatimi i ligjit në këto raste është i pasigurt dhe i paqartë. Për më tepër, do të ishte e vështirë të identifikohej një individ specifik si burim i një infeksioni të mundshëm, veçanërisht pasi virusi mund të mbetet në sipërfaqe për disa ditë. Kërcënimi i ndjekjes së njerëzve për transmetimin me qëllim të virusit gjithashtu mund të shtojë frikën e njerëzve. Kurse gjobat e larta në vend, mund të ndikojnë në mënyrë disproporcionale në segmente të caktuara të shoqërisë, siç janë të varfërit ose të pastrehët.

Bota demokratike (në raport dhe me ne), përkatësisht Europa mes kërcënimit të jetës dhe trysnisë së vdekjeve të shumta, rrënoi disi konceptin e mbrojtjes së lirisë dhe parimeve ku bazohet demokracia! Ndërsa luftimi i kërcënimeve ekzistenciale, në rastin e pandemisë COVID-19, “kërkoi” nga vendet e Evropës që të ndërmarrin masa të kufizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në shkallë të ndryshme. Qartësisht ekziston një rrezik i lartë që qeveritë të kapërcejnë dhe të pengojnë tej mase të drejtat dhe liritë e shtetasve të tyre. Në raste ekstreme, gjendja e emergjencës së përhershme, e pakufizuar, çoi (shtete të ndryshme) në heqjen e kontrolleve dhe ekuilibrave si dhe sundimin minimal të ligjit, deri në atë pikë ku një vend pushon së qëni demokratik. Në qoftëse në Itali dhe Francë, por dhe Greqi, njerëzit dilnin të punonin, bënin pazare duke lëvizur me një autodeklaratë, në Shqipëri u përdor në mënyrë të ashpër bllokimi i tyre me leje të drejtuara (me raste dhe të klasifikuara shpesh si benefit të një grupi) ashpërsisht dhe ndalim të mjeteve me të njëjtën forcë, pa marrë parasysh “ligjin” e vetzbatuar të personit dhe deklaratës që ai duhet të bëjë për zbatimin e rregullit apo ligjit.

Në këtë rast ne nuk imituam demokracitë europiane, por imituam “tollonin e dikurshëm të diktaturës”.  Në Shqipëri u urdhërua rreptësisht, kurse në Europa u “betua” dhe firmosi për zbatim ligji vetë individi. Vendet e Evropës por edhe Shqipëria, patën një reagim të menjëhershëm ndaj krizës. Megjithatë, ashpërsia dhe deklarimet përnatëshme, të ndryshme dhe të thëna verbalisht në mënyrë virtuale krijuan dhe ndjesinë e shtetit të Urdhërit dhe në Pandemi. Krijimi i urdhërave për: kohët të lejeve me ditë; fashave orare; ndasitë si fëmijë veç dhe gra; të moshuar; të punësuar që nuk i lejohej të ulnin familjarët e tyre në makinë, ishin dhe mënyrat që dëmtuan imazhin e ligjit të drejtë dhe proporcional, por dhe lirisë në përgjithësi në shkelje absurde të së drejtave të njeriut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura