Copëza kujtimesh: Droja e studentëve ushtarë

Jun 22, 2022 | 7:57
SHPËRNDAJE

ethem rukaET’HEM RUKA

Asnjëherë nuk e kam kuptuar përdorimin e fjalës “zbor”. Kjo fjalë, që ishte kaq e zakonshme për gati 50 vite të brezit tim, sot thuajse nuk ekziston më. Nuk ekziston as në fjalorin e gjuhës shqipe. Dhe nuk duhet të ekzistojë, sepse nuk është fjalë e gjuhës shqipe, por fjalë e huazuar nga sllavishtja. Zbor do të thotë grumbullim, mbledhje e në një kuptim më të gjerë edhe kuvend.

Fjala zbor ishte kaq e zakonshme për të paktën 450 000 rezervistët e dikurshëm në rezervë. Zbori ishte stërvitje ushtarake e popullsisë civile. Çdo mashkull në moshë madhore deri në moshën 50 vjeç ishte i detyruar të bënte tri javë zbor. Edhe femrat ishin të detyruara të bënin një javë zbor në vit, por deri në moshën 35 vjeç. Vështirë është të gjendet ndonjë arkiv familjar të mos ketë një fotografi me veshje ushtarake.

Ishte koha kur fjala karabinë dhe kallashnikov na dukej aq familjare sikur të thuash sot stilolaps. Ne i dinim përmendësh pjesët përbërëse të kësaj arme, dinin të bënim me sy mbyllur zbërthimin e pjesshëm e të plotë të saj, dinim të merrnim vijën e shënimit dhe dinim të bënim qitje në poligonet ushtarake.

Njihnim në detaje rregulloret ushtarake, dinim skemën e njoftimit në rast alarmi, dinim pikat e grumbullimit për t’u veshur me uniforma ushtarake, dinim dhe rajonin ku do të zinim pozicionin luftarak në rastin e një agresioni të mundshëm. Dinim se në rast agresioni një milion shqiptarë ishin nën armë për pak orë.

Përgatitja ushtarake u bë një nga tre komponentët e edukimit në shkollat e mesme dhe ato të larta. Si student e më vonë profesor universiteti, duke filluar nga vitet nga vitet 1970, çdo vit kryenim një muaj stërvitje ushtarake në Drojë të Mamurrasit.

Nuk ka ish-studentë të universiteteve të Tiranës të mos e njohë Drojën e Mamurrasit, rreth 35 km në veri perëndim të Tiranës.

Për të shkuar deri aty duhet të lije rrugën e vjetër që çonte në Mamurras dhe të ktheheshe djathtas për të përshkuar një rrugë të shtruar me zhavorr, që nuk ishte më shumë se dy km. Kazermat e repartit ushtarak ndodheshin përbri lumit të Drojës. Aty ishte komanda, fjetoret, mensa, depot, klubi, sheshi ku bëhej rreshtimi i trupave e gjithçka tjetër që i duhej një reparti ushtarak.

Regjimi ditor ishte regjimi i një ushtari të rregullt. Fjetja dhe zgjimi me orar, fizkultura e mëngjesit, tranazhi, rregullimi i krevateve, mirëmbajtja e kapanoneve, stërvitja ditore, koha e pushimit etj., ishin të programuara saktësisht dhe askush nuk guxonte t’i thyente.

Studentët ishin ushtarë, ndërsa pedagogët në shumicën dërrmuese ishin oficerët e tyre si komandant toge ose kompanie. Studentët e biologjisë e kimisë stërviteshin për mbrojtje kundërkimike, ndërsa ata të matematikës e fizikës për mbrojtje artilerie.

U familjarizuam aq shumë me Mamurrasin, u familjarizuam me Drojën, shpatet e rrëpira të lumit të Drojës, kodrat, pyjet dhe arishtat që shtriheshin poshtë repartit ushtarak deri te rruga nacionale e asaj kohe.

Sikur të mos mjaftonin orët e mësimit, por edhe lëvizjet në rresht kur dilnim nga reparti ose ktheheshim në të shfrytëzoheshin për situata të ndryshme ushtarake.

Mjafton që komandanti të jepte komandën “gazi” dhe të gjithë duhet të nxirrnin me shpejtësi dhe të vishnin kundërgazin. Ai mund të hiqej me vetëm me urdhër. Kur jepej komanda “ajri majtas” që presupozonte një goditje ajrore nga e majta, të gjithë duhet të pozicionoheshin barkas në drejtim të kundërt. Edhe nëse djathtas ishte një kanal me ujë e baltë, duhet të futeshe në të deri sa të jepej komanda tjetër “Ajri u zhduk”.

Për fat të keq kishte disa pedagogë inatçorë që i përdornin këto situata vend e pavend për të lodhur studentët e veçanërisht vajzat që janë me delikate dhe kanë problemet të veçanta gjinore.

Nuk ishte aspak e lehtë. Megjithatë, mbasditet ishin aq të këndshme e gazmore. Mblidheshim grupe-grupe, dikush këndonte, ndonjë i binte kitarës, bënim mbrëmje vallëzimi në natyrë, tregonim anekdota, jepnim opinione pozitive e negative për komandantët, lexonim ndonjë libër që e kishim marrë me vete, ndanim cigaren me njëri-tjetrin dhe thurnim miqësi të reja.

Humori i njerëzve arrinte apogjeun në stërvitjet ushtarake. Një herë një pedagog, pak i ndrojtur nga natyra, po ndihmonte një vajzë të merrte vijën e shënimit duke qëlluar me automatik nga brenda një bunkeri. Aty lëvizi një zhapik dhe vajza bërtiti me zë të lartë sa që të gjithë studentët që ishin jashtë bunkerit u habitën. Pedagogu doli menjëherë nga bunkeri dhe bërtiti “Jo unë, por zhapiku!”. Të gjithë qeshën me të madhe dhe këtë histori e tregojnë edhe sot e kësaj dite.

Ndodhte që dikujt i humbiste kapelja ushtarake dhe ia merrte tjetrit. Loja e vjedhjes se kapelës vazhdonte aq shumë sa përfshiheshin dhjetëra vetë. E gjithë kjo shndërrohej në një lloj loj humori që shkaktonte të qeshura pa fund.

Jeta jonë ishte jetë kazerme. Vajzat, djemtë dhe pedagogët kishin kapanone të veçanta. Me përjashtim të pedagogëve, të gjithë flinin në krevate dysh, tip marinari. Kushtet nuk ishin të përsosura, megjithatë kujdesi për higjienën ishte maksimal. Ndodhi një herë që u helmuan disa studentë. Nuk e di sa specialistë mjekësie me bluza të bardha mbërritën nga Tirana dhe sa analiza ushqimesh u bënë. Thoshin se shumë u pushuan nga puna vetëm për këtë rast.

Njerëzit janë njerëz, secili me individualitetin e vet. Asnjë rregullore dhe asnjë kanun nuk mund t’i shndërrojë në klon të njeri-tjetrit. Kishte djem e vajza që shkelnin ndonjë rregull, që për jetën përtej gardhit të repartit ushtarak ishte normale.

Gjerat ekzagjeroheshin aq shumë, saqë merrnin përmasa që arrinin deri në Komitetin Qendror të asaj kohe. Duke shkruar këto pak rreshta, lexova një dokument që tregonte për 9 djem e dy vajza të një shkolle të mesme të Tiranës, të cilët gjatë stërvitjes ushtarake u gjetën duke pirë konjak. Aq problem u bë, saqë ngjarja u dokumentua në detaje dhe mbërriti deri në zyrën e Enver Hoxhës. Njëri nga këta nxënës, vite më vonë, u bë dhe një nga miqtë e mi të afërt.

Një studentë tjetër vodhi një pelerinë shiu dhe e shkëmbeu me një fshatar me një pulë dhe një shishe raki që e piu me shokët. Një ngjarje e tillë mund të shkonte deri në dënim të pashembullt, megjithatë u gjet një mënyrë për ta mbyllur duke shpëtuar karrierën e tij të mëtejshme.

Secili prej nesh, që jetoi atë kohë, mund të tregojë histori pafund. Ne u edukuam me dashurinë për vendin dhe e konsideronim mbrojtjen e tij prioritet madhor. Sot kemi gjithë pjekurinë të gjykojmë se çfarë ishte mirë dhe çfarë ishte teprim. Kohët kanë ndryshuar, po ashtu edhe aleancat mes vendeve. Brezat tanë jetuan në një kohë tjetër. E megjithatë, ajo ishte koha jonë dhe ne s’ka pse të mos shkruajmë për të.

Harresa gërryen gjithçka, ashtu si një pikë e vogël uji që gërryen pa u ndjerë edhe shkëmbin më të fortë. Kam lexuar se atje në Mamurras, aty nga vitet 1920, u vranë dy qytetarë amerikanë, por askush nuk mësoi cila ishte arsyeja. Një dy-tre kuriozë, pikërisht pas një shekulli, u kthyen të gjenin ndonjë gjurmë të kësaj historie, por nuk gjetën asgjë.

Kështu do të ndodhe edhe me jetët tona nëse nuk shkruajmë edhe për Drojën ku kaluam disa muaj të jetës sonë më të bukur. Ky është një fshat, për të cilin të rinjtë nuk dinë sot asgjë. Shumë nga godinat e repartit janë kthyer në banesa dhe rreth tyre kullosin vetëm dele e dhi. E megjithatë, Mamurrarsi dhe Droja më ngjallin mall, mall për kolegët, studentët si dhe për vitet që kanë mbetur më shumë se 30 vite pas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura